Reforma, 6 ligjet shtyhen në 6 tetor
LSI kërkon faturën financiare

Reforma, 6 ligjet shtyhen në 6 tetor<br />LSI kërkon faturën financiare
Parlamenti nuk do të votojë as këtë javë 6 ligjet prioritare të zbatimit të reformës në drejtësi. Kjo është shtyrja e tretë, pas dy të parave për shkak se Komisioni i Posaçëm nuk kishte përfunduar shqyrtimet. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist, është njoftuar një shtyrje e dytë për në tetor, për shkak të mungesës së deputetëve.

Kryeministri Edi Rama i ka njoftuar deputetët të tij në mbledhjen e grupit parlamentar se paketa me 6 ligjet që e bëjnë efektiv ndryshimin e sistemit, nuk do të miratohet këtë të enjte por në 6 tetor. Motivi i parë lidhet me mungesën e një pjese të mirë të ligjvënësve të enjten, të cilët ndodhen jashtë vendit në udhëtime zyrtare. Disa prej tyre në Këshillin e Europës të tjerë në Komisionin Europian. Për miratimin e 6 ligjeve maxhoranca nuk mund t’i lejojë vetës mungesa që rrezikojnë 84 votat.

Motive i dytë lidhet me një kusht të artikuluar në komisionin e reformës nga LSI e cila kërkon faturën financiare të tërë reformës, rritjen e pagave dhe kosto e ndërtimit të godinave të reja. Për këtë arsye gjatë javës që vjen deputetët do të koordinojnë me qeverinë për të përcaktuar shifrat finale sesa do të rëndojë në buxhet reformimi i drejtësisë, para se ta miratojnë paketën e ligjeve.

Po çfarë përmbajnë 6 projektligjet e mbetura, teksa është miratuar vetëm projektligji i vetingut.

Projektligji “Për Gjykatën Kushtetuese” risi kryesore ka zgjedhjen e anëtarëve të këtij institucioni, përmes një formule të re. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, 3 prej tyre emërohen nga Presidenti i Republikës, 3 anëtarë zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa 3 të tjerë nga Gjykata e Lartë. Një tjetër risi e draftit janë dhe afatet që i vendosen Gjykatës Kushtetuese në shqyrtimin e çështjeve, qe duhet te përfundojnë brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës, ndërsa vendimi përfundimtar shpallet i arsyetuar, jo më vonë se 1 muaj nga përfundimi i seancës. Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” parashikon rregulla të rëndësishme për sa i përket kushteve ligjore, kritereve të vlerësimit dhe procedurës së zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Kreu i organit të akuzës zgjidhet me 3/5 e votave të anëtarëve të Kuvendit, ndërmjet tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë(KLP). Projektligji “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë” përcakton rregullat e funksionimit të katër organeve kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Emërimeve. Ligji i ri parashikon një ndryshim thelbësor të rolit të organit që qeveris gjyqësorin, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i emërtuar rishtas si Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ). Projektligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor” synon të rregullojë organizimin dhe funksionimin e sistemit të gjykatave në vend. Disa nga risitë kryesore të këtij projekti është: parashikimi i rregullave të plota në lidhje me krijimin e hartës së gjykatave në vend, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, duke mundësuar akses për qytetarët. Projektligji “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve” parashikon të drejtat dhe detyrimet e tyre, kriteret dhe procedurën për pranimin, emërimin, zhvillimin e karrierës, mbarimin e mandatit, etj. Një moment i spikatur i pr/ligjit janë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve qe do të pësojnë një rritje të konsiderueshme, në mënyrë që edhe ata të kenë një trajtim me dinjitet, sipas standardeve evropiane.  Pr/ligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” parashikon krijimin e një gjykate dhe prokurorie, të dedikuara vetëm hetimit, ndjekjes penale dhe gjykimit të korrupsionit e krimit të organizuar nga zyrtarët e lartë.
 
Ja 6 ligje prioritare të reformës
1. Projektligji “Për Gjykatën Kushtetuese”
2. Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”
3. Projektligji “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”
4. Projektligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”
5. Projektligji “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”
6. Pr/ligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

‘Moodi im pas një tjetër procedimi penal’, Kryemadhi shfaqet duke kërcyer në pishinë: Nuk mu ndanë sa majtas djathtas

‘Moodi im pas një tjetër procedimi penal’, Kryemadhi shfaqet duke kërcyer në pishinë: Nuk mu ndanë sa majtas djathtas