TIRANË - Reforma e pensioneve duhet të ishte bërë një dekadë më parë. Kështu ka deklaruar drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho dje gjatë takimit të zhvilluar në kryeministri sa i përket Reformës së Pensioneve.

Sipas saj, për ISSH-në me rëndësi është zbatimi i kësaj reforme që do të sillte përfitime më të drejta dhe shërbime më të mira për të gjithë qytetarët.

“Për Institutin e Sigurimeve Shoqërore është me rëndësi zbatimi i kësaj reforme, nga e cila do të kenë përfitime më të drejta dhe shërbime më të mira qytetarët. Kemi filluar punën për zbatimin e kësaj reforme”, tha Braho.
 
Më tej, ajo ka nënvizuar se në 2014 ISSH ka tejkaluar të ardhurat e saj, të cilat, siç tha ajo, janë më të lartat të mbledhura në 10 vitet e fundit. “Kemi tejkaluar të ardhurat me 58 milionë dollarë këtë vit. Janë të ardhurat më të larta të realizuara gjatë 10 viteve të fundit, ndërkohë që edhe numri i punësimeve këtë vit është rritur ndjeshëm” ka pohuar drejtorja e ISSH-së. Një risi e prezantuar prej saj, ishte një llogari personale për çdo person që derdh kontribute shoqërore. “Të gjithë mund ta kontrollojnë llogarinë e vetë, mund të menaxhojnë sistemin” theksoi Braho dhe kjo falë dixhitalizimt që është bërë së fundmi në këtë institucion.
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 janar 2015

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)