Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë paralajmëruar sot të gjithë qytetarët, se duke nisur nga data 1 shkurt do të dënohen për lidhjet e paligjshme të ujit të pijshëm. Rama dhe Veliaj iu kanë bërë thirrje të gjithë atyre qytetarëve që nuk kanë bërë akoma lidhjet e ligjshme të nxitojnë deri më 31 janar. 

Rama shkruan në 'Facebook' se uji i pijshëm është pasuri e përbashkët, ndaj dhe boll është vjedhur e shpërdoruar 27 vjet. Sipas tij, shërbimi me ujë 24 orë në çdo biznes e shtëpi arrihet duke vendosur në radhë të parë ligjshmërinë, pastaj duke arritur dhe investimet falë kontributit të secilit.

“Kush ende nuk ka bërë lidhjen e ligjshme me ujësjellësin të nxitojë deri në 31 janar. Të ligjërojë marrëdhënien me ndërmarrjen e bashkisë përkatëse pa asnjë penalitet ligjor, ashtu siç kanë e po bëjnë me mijëra konsumatorë familjarë e biznese.

Nga 1 shkurti çdo lidhje e paligjshme do të ndëshkohet sipas ligjit! Uji i pijshëm është pasuri e përbashkët, boll është vjedhur e shpërdoruar 27 vjet! Shumica nuk mund të paguajë më edhe për pakicën dhe shërbimi me ujë 24 orë në çdo shtëpi e biznes, arrihet duke vendosur në radhë të parë ligjshmërinë, pastaj duke rritur edhe investimet e jo borxhet falë kontributit të secilit sipas sasisë që konsumon. #Shqipëriaqëduam është aspiratë dhe detyrim për çdo shqiptar”, shkruan Rama në ‘Facebook’.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Veliaj paralajmëroi ngritjen e grupeve të Taskë-Forcave në të gjitha bashkitë, që do të kontrollojnë dhe ndëshkojnë të gjithë abuzuesit e ujit, duke shtuar se ndëshkimi do të nisë me biznesmenët.

“Në Shqipëri ndodh rëndom që, ai që ka më shumë, ai është edhe më i pabinduri sepse mendon se ka një të drejtë hyjnore meqë është ‘beu’ i zonës. Një mënyrë për të vendosur autoritetin ujësjellësave në vend është që, së pari të goditen këta njerëz dhe një konsumator, i cili mund të ketë 27 vjet pa paguar, por është familjar. Nga data 1 shkurt secili të tregojë faturën e paguar të ujit, siç u bë me energjinë. Kemi filluar ta bëjmë në Bashkinë e Tiranës, kemi larguar nga detyra ata që nuk paguajnë faturën e ujit. Nga muaji shkurt, grupet e taks-forcës do të jenë në terren për t’i dhënë fund vjedhjes së kësaj pasurie publike", tha Veliaj.

d.c./shqiptarja.com