Reforma, financimi i fushatave
të partive,ngërçi i radhës PS-PD

Financimi i partive politike për fushatat zgjedhore është përplasja e radhës mes mazhorancës dhe opozitës, që rrezikon të mbajë peng reformën zgjedhore.

Partia Demokratike i qëndron fort propozimit të saj për financimin e fushatave zgjedhore 100 % nga buxheti i shtetit, me argumentin se kjo skemë shmang financimin e partive nga lekët e krimit. Por socialistët thonë se ky propozim do të sillte një keqpërdorim të parave të qytetarëve për fushata zgjedhore, teksa fondet mund të orientohen drejt investimeve.

“Platforma e Partisë Demokratike ka kërkuar në mënyrë shumë të qartë të kriminalizohet shitblerja e votës, të merren të gjitha masat që kjo të bëhet e pamundur dhe një nga këto masa do të ishte votimi elektronik dhe identifikimi biometrik i zgjedhësve. Pikërisht për të bllokuar këtë, e bllokoi procesin e reformës zgjedhore. Kemi kërkuar financim 100 % nga burime shtetërore të partive politike dhe fushatës zgjedhore për të hequr korrupsionin zgjedhor që vjen nga paraja e krimit dhe korrupsionit qeveritar.

Kemi kërkuar një numër masash të tjera që garantojnë barazinë në media dhe zhdukin problemet që OSBE-ODIHR-i ka konstatuar”,-tha dje bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, demokrati Oerd Bylykbashi. Por kësaj kërkese bashkëkryetari socialist, Taulant Balla i kishte paraprirë që të premten.

Një tjetër ndryshim që kërkohet të bëhet është tek çështja e financimit të partive. PD kërkon që partitë politikë të financohen nga buxheti i shtetit, por kjo është e padrejtë pasi partitë kthehen në ndërmarrje shtetërore. Këto para duhet të shkojnë për investime, jo për partitë,”- tha Balla.

Kostot
Sipas statistikave të renditura Open Data Albania, gjatw fushatës së vitit 2013 rezulton se totali i fondeve mbledhur dhe deklaruar për zhvillimin e kësaj fushate është në total 241 211 140 lekë (dyqind e dyzet e një milion lekë e dyqind e njëmbëdhjetë mijë e njëqind e dyzet lek), ku 95 % e tyre janë përdorur nga partitw parlamentare. Partia e cila ka siguruar më shumë fonde në zgjedhjet e fundit parlamentare është Partia Demokratike me 39.18 % të totalit të të gjithë partive, pasuar nga Partia Socialiste me 33.2 % të totalit dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim me 10.5 % të totalit të fondeve.

PD ka siguruar një total fondi prej 94 500 296 lek; ku vlera nga donacionet është 63.3 milion lek, ndërsa fondet publike janë 25 688 615 lekë, po ashtu nga vetë partia janë siguruar 5 473 551 lek.

PS ka grumbulluar një total fondesh prej 80 078 541 lek; ku 45 308 650 lek nga lista e donatorëve,( gjithsej 53 donatorë); fonde të vetat në vlerën 8 655 295 lekë; fonde publike 2 6114 596 lek.

Por kjo parti ka harxhuar 187 183 915 lek; pra 57% e shpenzimeve janë të pa mbuluara nga fondet e mbledhura. Po ashtu gjatë kësaj fushate edhe LSI ka mbledhur një total fondesh prej 25 334 368 lek; fonde publike 31 00 410; donacione 1 270 489; të ardhura nga burime të vetat 5.493.313 lek, të ardhura nga neni 84 pika 6 Kodi Zgjedhor 15 470 156 lek. Nga këto shifra rezulton se fushata e vitit 2013 ka qenë më e kushtueshmja me 380 113 328 lek.

Vonesa
Praktikat e mira të Komisionit të Venecias rekomandojnë Kodi Zgjedhor të mos ndryshojë të paktën 6 muaj para zgjedhjeve. Nëse ky rekomandim do të zbatohet, Reforma Zgjedhore duhet të përfundojë deri në 18 dhjetor, mision ky i pamundur në dukje, duke marrë në konsideratë ritmin e deritanishëm të punës së punës së këtij komisioni. Ai është mbledhur vetëm 3 herë në këtë vit kalendarik.

Taulant Balla tha se do të kërkohet nga Kuvendi që Komisionit për Reformën Zgjedhore t’i zgjatet mandati, por Ilir Meta u përgjigj se reforma zgjedhore duhet të kishte mbaruar me kohë. 

Në këtë pikë, Partia Demokratike shfajësohet duke thënë se rekomandimet e saj janë depozituar që më 17 maj të këtij viti. “Është një platformë e cila trajton në mënyrë shteruese të gjitha shqetësimet e rënda konstatuar OSBE-ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias në zgjedhjet e fundit dhe që janë të domosdoshme për tu trajtuar në mënyrë që zgjedhjet e 2017 të jenë të lira dhe të ndershme.

Është një platformë e cila ka marrë vlerësimin më të mirë dhe më të madh nga partnerët ndërkombëtarë dhe për rrjedhojë, nga 17 maji e deri më sot, po bëhen 7 muaj gjatë të cilave maxhoranca, Edi Rama, kjo qeveri ka sabotuar në mënyrë të qëllimshme procesin e reformës zgjedhore vetëm e vetëm që të vijmë në këtë pikë ku janë dekretuar zgjedhjet, ka filluar procesi i hartimit të listave, procese të tjera zgjedhore dhe asgjë, si asnjëherë më pare, në qeverisjen e Edi Ramës nuk është bërë për reformën zgjedhore edhe pse zgjedhjet janë tek porta”,-tha dje Oerd Bylykbashi.
 

dy.b/shqiptarja.com
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë