Reforma, grupi anti-Perëndim
në PD, të gjitha akuzat në 2 vjet 

Reforma, grupi anti-Perëndim<br />në PD, të gjitha akuzat në 2 vjet 
Angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për miratimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi ka prodhuar konfliktin më epik, më të gjatë dhe më rraskapitës me Partinë Demokratike. Beteja mes Perëndimit dhe opozitës shqiptare për shembjen e drejtësisë aktuale dhe ngritjen e një drejtësie të re, ka njohur dy pika kulmore.

Pika e parë u shënua në korrik të 2016, kur Ambasada Amerikane kërcënoi hapur deputetët e Partisë Demokratike se do të shpalleshin non grata nëse nuk do të votonin ndryshimet Kushtetuese, ndërsa pika e dytë kulmore u shënua ditët e fundit, kur kryetari i opozitës Lulzim Basha tha se ligji i Vetingut (investimi më i madh gjermano-amerikan) është një projekt mafioz. Kjo akuzë është shoqëruar me një fushatë intensive sulmesh ndaj përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, të cilët janë pozicionuar kundër bojkotit të Kuvendit dhe zgjedhjeve parlamentare, që përbëjnë edhe dy shtyllat e aksionit të opozitës.

Fushata kundër përfaqësuesve të SHBA-BE po udhëhiqet nga Lulzim Basha, por aksionit i janë bashkuar edhe disa figura të larta të Partisë Demokratike si Edmond Spaho, Genc Pollo, Gent Strazimiri, Arben Imami, Genc Ruli etj. Referuar influencës së tij në Partinë Demokratike, duket se, orientuesi dhe baza e kësaj fushate është ish-kryeministri Sali Berisha.

Pas dy vitesh akuzash, kryesisht në adresë të ambasadorit amerikan Donald Lu dhe ambasadores së delegacionit të BE në Tiranë, Romana Vlahutin, Berisha, ditët e fundit, kaloi në ekstrem, teksa e krahasoi Brukselin me Perandorinë Osmane. Duke komentuar propozimin e diplomatit austriak Eduard Auer, i cili ftoi aleatët e PD të merrnin pjesë në zgjedhje dhe të përfitonin nga mungesa e PD, Berisha tha se ndërhyrja e shefit të Divizionit për Zgjerim në Parlamentin Europian i kujtonte Perandorinë Osmane.
 
Akuzat dhe përfaqësuesit e PD të angazhuar në luftën kundër SHBA-BE

Lulzim Basha kundër Vetingut
“Projekti i Vetingut është projekt mafioz ku janë përfshirë diplomatë të lartë në Tiranë për llogari të Edi Ramës. Kanë marrë peng ekspertët e BE dhe së shpejti ora do të vijë kur të japin përgjegjësi demokratike në një institucion demokratik siç është BE.

Komploti është zbuluar, jo herët por në kohë. Gjithçka është bërë me një qëllim, jo për të ndihmuar Shqipërinë për të patur prokurorë e gjyqtarë të pavarur, por për t’i dorëzuar drejtësinë Edi Ramës. Ky ka qenë projekti, një projekt jo pro Shqipërisë, por pro Edi Ramës. Formula jonë është “Nulan-Hahn” dhe jo si formula “Rama Tahiri Shullazi” dhe jo ndonjë i korruptuar me pasaportë të huaj, që s’po ja them emrin sa për kortezi dhe që së shpejti do të japë llogari”.
 
Sali Berisha për Brukselin
 “Çfarë i tha drejtori që erdhi nga Brukseli anëtarëve të opozitës? ‘Lëreni PD dhe Lulëzim Bashën të kalben në çadër dhe merrini ato mandate se ju erdhi radha’. Erdhi me misionin të shkatërrojë opozitën.

Na kujtove kohët e Perandorisë Osmane, kur sulltani para se të dërgonte ushtrinë, dërgonte qeset me para se kë mund të blinte dhe të shiste. Erdhe këtu të blesh mandate për llogari të Edi Ramës, turpi të mbuloftë. Thirrja ime për Komisionin Evropian është që largojeni këtë njeri nga Komisioni, largoni njerëzit e korruptuar nga Komisioni, nuk ka imunitet askush nga korrupsioni, ky është një akt i shëmtuar dhe i turpshëm që nuk i bën nder as komisionit as vendit nga i cili ka ardhur”.
 
Sali Berisha për Lu dhe Vlahutin
“Rama e mori në dorë reformën dhe aktin e parë që bëri përjashtoi opozitën. Çuditërisht në krah të Edi Ramës u rreshtuan edhe guvernatorja, edhe në një farë mënyre më pak ambasadori Lu. Por Vlahutin me deklarata të njëpasnjëshme, sa u detyrova ti përgjigjem që ti me këto deklarata po çon drejt destabilizimit Shqipërinë”.
 
Edmond Spaho për Knut Fleckenstein
“Nuk çuditemi që flet kështu. Ta kanë bërë shërbimin. Por edhe ne mos kujto se do ndërrojmë mendje nga çfarë thua ti”.
 
Genc Pollo për ambasadorët
“E theksoj që palët duhet të flasin me respekt për njëra-tjetrën, sepse lexova në një gazetë që një diplomati i atribuoheshin fjalë si “nëse nuk e votoni reformën, do turpëroheni përpara popullit tuaj.

Nuk do të doja të flisja për konfliktin e interesit potencial kur një diplomat, që përfaqëson qeverinë e tij dhe interesat e saj gjithashtu, përcakton se cili është interesi i popullit të vendit pritës dhe i përfaqësueseve të tij demokratikisht të zgjedhur. Nuk është ky rasti”.
 
Jozefina Topalli për rolin e ambasadorëve
“Kryetar, unë jam kundër pjesëmarrjes së ambasadorëve në mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD-së. Për mua personalisht pjesëmarrja e ambasadorëve në Grup shkel sovranitetin e kësaj force dhe dikton votën tonë në komision.

A ka ndodhur ndonjëherë në 25 vjet që ambasadorë të huaj të shkojnë në komisionet parlamentare dhe të marrin fjalën? Dhe këtu e kam edhe me deputetët e PD-së në atë komision në Kuvend. Si ka mundësi që asnjë nga ju nuk reagoi për praninë e ambasadorëve në komisionet parlamentare? A ka ndodhur ndonjëherë në 25 vjet, apo në 125 vjet që ambasadorë të huaj të kërkojnë të marrin pjesë në Grupet Parlamentare? Kurrë!”.
 
Arben Imami kundër Romana Vlahutin
“Dua të kërkoj një gjë të përsëritur nga Partia Demokratike. A mund të kemi një qëndrim më të fortë politik ndaj ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin? Duhet të ishim artikuluar më parë, por edhe tani që flasim nuk është vonë nëse e themi të vërtetën ashtu siç është. Është një ambasadore e angazhuar publikisht dhe politikisht në përkrahje të qeverisë”.
 
Genc Ruli për rolin e ambasadorëve
“Nuk votoj draftin e Ramës, kemi një ambasador që po sillet si Kryeministër dhe një Kryeministër që po sillet si ambasador. Drafti për drejtësinë i ardhur sot në Parlament është një draft i Ramës dhe unë nuk e votoj. Nuk do të votoj asnjë draft që sjell kapjen politike të drejtësisë”.
 
Bylykbashi
“Me dokumentet e publikuara online, Komisioni i Venecias ka bërë një transparencë të plotë: ka tekstin e Kushtetutës, ligjin me tekstin e gabuar, si dhe ligjin e përkthyer dhe të dërguar më pas. Ndërkohë, web site të tjera, përfshirë EURALIUS, i kanë hequr përkthimet e mëparshme që ishin në faqet e tyre.

Ekspertët e PD e zbuluan më 25 nëntor këtë deformim duke verifikuar përkthimin e tekstit kushtetues dhe të ligjit në faqen e Komisionit të Venecias. Kjo ju bë prezente Gjykatës Kushtetuese, që pranoi faktin se përkthimi është i EURALIUS, që i është dërguar KV dhe mori përsipër të bëjë përkthimin zyrtar me ekspertë të licencuar nga Ministria e Drejtësisë”.
 
Edi Paloka për diplomatët e SHBA-BE
“Disa në fakt kanë qenë palë dhe ne i kemi denoncuar si PD që kur kanë ardhur në Shqipëri. Por disa të tjerë nuk e di pse nuk i qëndruan fjalës që na thanë dhe sot nuk po mbajnë atë qëndrim që duhet të mbajnë”.
 
dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai