TIRANË - Amendamentet kushtetuese të propozuara nga ekspertët e nivelit të lartë dhe anëtarë të Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi synojnë ta integrojnë Gjykatën e Lartë në sistemin gjyqësor, duke krijuar kushtet për pavarësinë, profesionalizimin dhe integritetin e saj. Përmes një pyetësori të përbashkët të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit për Reformën në Drejtësi, ekspertët e nivelit të lartë, Agnes Bernhard (në foto), Gent Ibrahimi dhe Ilir Panda u përgjigjën për gazetën Shqip disa shqetësimeve që janë shprehur gjatë shqyrtimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit të reformës në drejtësi, materiale këto që janë kundërshtuar nga përfaqësues të opozitës.


Për eksperten e huaj që është edhe anëtare e Komisionit të posaçëm, Agnes Bernhard, Komisioni i Venezias në opinionet e tij për një vend tjetër ka vlerësuar të arsyeshëm propozimin që gjyqtarët e rinj të sapoemëruar të jenë të moshës 30-vjeçare dhe të kenë 5 vjet dhe jo 3 vjet përvojë. Por nga ana tjetër ajo shprehet se formimi fillestar në Shkollën e Magjistraturës duhet forcuar, duke përcaktuar më qartë formimin gjatë vitit të tretë të praktikës përmes gjyqtarëve udhëheqës të përgatitur. "Megjithatë parashikohet mundësia që gjyqtarët e emëruar të caktohen me dëshirën e tyre si ndihmësgjykatës në gjykatat e nivelit më të lartë", - thotë Bernhard.
 
Ndërsa lidhur me integrimin e Gjykatës së Lartë në sistemin e drejtësisë, sipas Gent Ibrahimit këto objektiva të sipërpërmendura mendohet të arrihen përmes krijimit të një sistemi të unifikuar për emërimin, shkarkimin, dhe llogaridhënien në gjyqësor.
 
Ndërsa eksperti Ilir Panda shprehet se dokumentet zyrtare të hartuara nga komisioni kanë parashikuar ndër të tjera edhe rregullimin e sistemit të tarifave, të cilat synojnë të rrisin aksesin në gjykatë të individëve që nuk kanë mundësi financiare, por nga ana tjetër e bëjnë më të logjikshme përdorimin e së drejtës për ankimim.
 
Një problematikë e tillë - shprehet Panda- është hasur në Gjykatën Kushtetuese e cila aktualisht nuk ka një tarifë aplikimi. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)