Konsultimin Publik i Amendamenteve Kushtetuese për Reformën në Drejtësi
Jemi këtu për t’ju bërë me dije se sot përmbyllëm një fazë të rëndësishme të procesit të konsultimeve publike mbi projektamendamentet kushtetuese. Këto projektamendamente janë rezultat i punës së ekspertëve më të mirë vendas dhe këtë e them me kompetencë të plotë, dhe ndërkombëtarë, ku një rol të të rëndësishëm kanë zënë dhe konsultimet e vazhdueshme me përfaqësues të Komisionit të Venecias.
Krahas këtij procesi teknik është zhvilluar një konsultim i gjerë publik, që është orientuar në dy drejtime :
Nga njëra anë, është ofruar informacion dhe janë marrë sugjerime dhe rekomandime nëpërmjet portalit online të Reformës (www.reformanedrejtesi.al). Ai është ndjekur nga shumë vizitorë. Vetëm në muajt Shtator – Nëntor numri i tyre ka qenë rreth 1500 në muaj. Në adresën elektronike të reformës janë përcjell vleresime, komente dhe propozime konkrete rreth projektit kushtetues nga gjyqtarë, prokurorë, pedagogë, studentë dhe ekspertë të fushës, si dhe qytetarë të ndryshëm. Ne si ekspertë të nivelit të lartë përfitojmë nga ky rast për të shprehur vlerësimin dhe falenderimin tonë për të gjithë ata që u angazhuan dhe kontribuan në këtë proces.
Nga ana tjetër, konsultimi publik i zhvilluar gjatë dy fazave të para të veprimtarisë së Komisionit të posaçëm për Analizën e Sistemit të Drejtësisë dhe Strategjisë, vijoi në periudhën 13 Nëntor–7 Dhjetor 2015, filloi sot, me diskutimin e projekt-amendamenteve kushtetuese. Gjatë kësaj periudhe u organizuan 19 tryeza me qëllim informimin dhe marrjen e mendimeve dhe sugjerimeve lidhur me amendamentet e propozuara nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë.
4 tryeza të konsultimit publik u zhvilluan në Tiranë, dy prej të cilave në kujdesin e vecantë dhe me bashkëpunimin e Ministrisë së Drejtësisë. 6 të tjera, u zhvilluan në qendrat e rretheve më të rëndësishme gjyqësore, me pjesëmarrjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe profesionistëve të tjerë të sektorit të drejtësisë. 9 tryeza u zhvilluan në institucionet e arsimit të lartë juridik publik dhe privat me pjesëmarrjen e pedagogëve, studentëve dhe të shoqërisë civile.
Një hapësirë e posaçme u është kushtuar në cdo tryezë ekspertëve të propozuar nga opozita, të cilët kanë pasur mundësinë të parashtrojnë sugjerimet dhe rekomandimet e tyre për projektamendamentet kushtetuese.
Në këto tryeza morën pjesë rreth 1300 pjesëmarrës nga radhët e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, noterëve, përmbaruesve, pedagogëve dhe studentëve të Fakulteteve të Drejtësisë dhe studentëve në Shkollën e Magjistraturës, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të Presidentit të Republikës dhe institucioneve të tjera të Sistemit të Drejtësisë (Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë etj).
Në të gjitha veprimtaritë e konsultimit publik morën pjesë dhe ofruan mbështetje për procesin e reformës dhe domosdoshmërinë e saj, partnerët ndërkombëtarë të vendit tonë, Ambasadori SHBA-ve, Ambasadorja e Delegacionit të BE-së, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së, ambasadorë të shteteve të Bashkimit Europian, Zëvendës Sekretari i shtetit, në Byronë për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Narkotikët, pranë Departamentit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.
Ne dëshirojmë t’i falenderojmë përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit e përfshirë në këtë proces konsultimi për interesin, vlerësimin dhe mbështetjen që i kanë dhënë këtij projekti dhe veçanërisht, të gjithë ata që janë angazhuar me kontribute konkrete për përmirësimin e tij.
Ne, në cilësinë e ekspertëve, kemi mirëpritur dhe kemi shqyrtuar me vëmendje të veçantë kritikat e sugjerimet konkrete për projektamendamentet kushtetuese. Shumë prej tyre janë konstruktive për tu marrë parasysh nga ekspertët në procesin e rishikimit. Pse kanë qenë konstruktive?
Të tilla fusha janë :
- Shqetësimet lidhur me numrin e madh të institucioneve të reja ose me riformatimin e atyre ekzistuese;
- Nevoja për më shumë saktësi lidhur me kriteret përzgjedhëse për kandidatët në organet kushtetuese;
- Paqartësitë mbi rolin e Gjykatës Kushtetuese në kontrollin e amendamenteve kushtetuese;
- Shqetësimet lidhur me rolin e Ministrit të Drejtësisë në disa prej institucioneve të sistemit;
- Shqetësime lidhur me organizimin e gjykimit administrativ në dy shkallë;
- Propozime për forcimin e statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve;
- Nevoja për më shumë qartësi lidhur me decentralizimin e sistemit të prokurorisë;
- Shqetësimet e ngritura mbi procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Të gjitha vlerësimet, rekomandimet dhe sugjerimet e bëra gjatë procesit të konsultimit publik janë dokumentuar nga Sekretariati Teknik i Komisionit të Posaçëm dhe janë vënë në dispozicion të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë. Këto çështje bashkë me vlerësimet e Komisionit të Venecias që priten të bëhen publike së afërmi, do të përbëjnë bazën për rishikimin e projektamendamenteve kushtetuese.
Ne jemi të angazhuar që procesi i reformës në sistemin e drejtësisë të vazhdojë të respektojë parimet e gjithëpërfshirjes, profesionalizmit, pajtueshmërisë me standardet ndërkombëtare, transparencës dhe konsultimit të gjerë midis të gjithë aktorëve në këtë proçes.
Pyetje nga gazetarët
A do të përfshihen në paketën tuaj të ndryshimeve kushtetuese, idetë dhe propozimet e ardhura nga ekspertë apo opinioni publik në tryezat e shumta dhe konsultimet që ju keni bërë deri më tani?
Unë besoj se gjëja e parë e atyre që na kanë dhënë ide gjatë konsultave është t’i dëgjojmë. Patjetër që do e dëgjojmë zërin e konsultave, sepse ne që merremi me këtë punë, pra ekspertë të një profesioni, nuk duam të biem në kurthin e mendimeve tona. ne duam ngacmime sepse kjo punë nuk bëhet për ne që jemi këtu, bëhet shumë e shumë më gjerë se për ne. Jemi shumë të hapur, por të kemi parasysh se midis profesionalizmit dhe dëshirave ka një hendek dhe taktika se si mendimet dhe aspiratat pasqyrohen është njëra anë. Ana tjetër që është e forta fare, po, po dhe po: do t’i marrim parasysh propozimet. Flas në emër të grupit të ekspertëve, unë nuk jam i rekomanduar as nuk kam dëshirën të fals përtej pozicionit tonë prej ekspertësh. Politika është diçka tjetër.
Pavarësisht se ishte e përcaktuar në një axhendë data 13 nëntor, sot kemi ardhur në përfundim të gjitha konsultimeve me grupet e interesit dhe opinionin publik. A do të vijojnë pas ditës së sotme ende konsultimet deri në implementimin e plotë të reformës në drejtësi? E dyta, kur priten përgjigjet përfundimtare nga ana e Komisionit të Venecias për propozimet që ju i keni dërguar?
Po, procesi nuk mbaron. Arsyeja në paragrafin e parë të deklaratës online, çdokush mund të thotë çdo gjë deri sa nuk janë miratuar. Ky është një proces që strukturohet. Ne kemi nisur një proces konsultimi me Komisionin e Venecias që është organi prestigjioz i Këshillit të Evropës për çështje konstitucionale. Unë kam mund të them, më datën 17,18,19 një grup përfaqësues i komisionit të ekspertëve të nivelit të lartë do të shkojë në Venecia për konsultime paraprake në vazhdimësi. Të jeni të bindur për një gjë.
Fjalët e para nga Komisioni i Venecias do t’i dëgjoni nga grupi i ekspertëve, jo nga politikanët. Deri atëherë unë nuk mund të them asgjë. Ne kemi paraqitur një projekt që është i botuar dhe i shtypur, për konsultë publike dhe ky konsultim do të mbarojë ditën që projekti do të miratohet. Deri atëherë nuk ka limit për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në përmirësimin e projektit.
Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)