E ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses kishte një mesazh të qartë për opozitën dhe për cilindo që thotë se reforma në drejtësi është kompromentuar apo po dështon është 'e keni gabim'. Ajo tha se Shqipëria është në drejtimin e duhur, ndërsa ka mbështetjen e plotë të SHBA në rrugën që ka nisur.

"Për dhjetë vjet, Shqipëria e ka bërë aleancën tonë më të fortë nëpërmjet angazhimit të saj me trupa dhe burime në Afganistan, Kosovë, Bosnje dhe Irak, ndërmjet misioneve të tjera. Ajo i kushton 3.9 përqind të forcave të saj ushtarake aktiviteteve të NATO-s, duke u kthyer kështu në kontribuesen e dytë më të madhe të numrit të trupave për frymë në aleancë. Shqipëria do të vijojë ta bëjë aleancën më të fortë nëpërmjet investimit prej 58 milionë dollarësh për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, e cila do të përforcojë operacionet e furnizimit nga ajri, mbështetjen logjistike, patrullimin ajror, trajnimet dhe stërvitjet. Roli shumë i madh i Shqipërisë në aleancë është shembull për të gjitha vendet aleate.

Roli i Shqipërisë në NATO rritet së bashku me përgjegjësinë e saj për të bërë përparim të vazhdueshëm në reformat demokratike. Këto reforma janë themelore për vlerat që mbron aleanca, dhe janë thelbësore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Përparimi duhet të vazhdojë për të përmirësuar zbatimin e ligjit, çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe krijimit të një ekonomie të forte që është e lirë dhe e barabartë për cilindo. Lajmi i mirë është se Shqipëria është në drejtimin e duhur, pavarësisht se ka ende punë për të bërë.

Reforma në drejtësi, për shembull, është ende në shinat e duhura dhe shumë shpejt do t’iu sjellë shqiptarëve sistemin e ndershëm dhe transparent të drejtësisë që meritojnë. Mesazhi im për cilindo që thotë se reforma në drejtësi është kompromentuar apo po dështon është: e keni gabim" shprehet e ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë. Më herët SHBA-ja dhe BE i kanë bërë thirrje opozitës që të rikthehet në institucione dhe të heqë dorë nga protestat e dhunshme.