TIRANE- Qeveria do të paraqesë në Komisionin për Reformën Administrative 5 variante për ndarjen e re të njësive vendore në Shqipëri. Këto propozime do të bëhen edhe për të afruar opozitën në komision, në mënyrë që edhe ata të kenë mundësi që të zgjedhin një ndër propozimimet si edhe të paraqesin kërkesat e tyre. Por edhe sikur PD të mos i pranoj, sërish opozita do të dalë në qëndrimin bojkotues pasi mazhoranca do të paraqesë 5 variante ndërsa opozita asnjë.
 
Mbledhja
Komuna më e vogël pas muajit korrik do të përbëhet nga 10 mijë banorë. Në mbledhjen e parë të Komisionit për Reformën Administrative, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, theksoi se ndarja e re e Shqipërisë do të bëhet në bazë të zonave me intensitet të popullsisë. Duke iu referuar CENSUS-it të INSTAT-it në vitin 2011 ku Shqipëria ndahej në bazë të intensitetit të popullsisë, Çuçi theksoi se do të krijohen tri zona të njësisë vendore. Zona e parë është ajo ku numri i popullsisë ka densitet të lartë dhe një njësi vendore nuk do të ketë më pak se 30 mijë banorë, zona e dytë ajo me densitet mesatar ku numri minimal i banorëve për njësi vendore të mos jetë më pak se 20 mijë dhe zona e tretë është ajo me densitet të ulët, ku numri minimal i banorëve për njësi vendore do të jetë 10 mijë. “Për zonat me intensitet të lartë nuk do të ketë më njësi vendore ndër 30 mijë banorë. Për zonat me intensitet të mesëm nën 20 mijë banorë dhe te zonat me intensitet të ulët nuk duhet të ketë më njësi vendore me popullsi me nën 10 mijë banorë.

Ne mendojnë që komunat me përbërje minoritare të mos bashkohen në një Bashki të madhe, në mënyrë të tillë që do të sillte pastaj përzierjen e popullsisë dhe do të krijonin ndonjë premis për humbjen e identitetit të tyre”,- tha Bledi Çuçi. Reforma për ndarjen ose bashkimin e komunave dhe bashkive do të nisë fillimisht nga rrethet, ku është dhe numri më vogël i popullsisë, për të vijuar më pas me qytetet e mëdha. Kapja e kohës së humbur, si pasojë e mungesës së opozitës, u mëshua si nga kryetari Fino ashtu edhe nga ministri Çuçi, të cilët folën për një axhendë të ngjeshur të komisionit, me mbledhje thuajse të përditshme. “Themi se do të miratojmë kriteret dhe me këto kritere pastaj do të shtohet poshtë si të thuash në mënyrë urdhërore te njerëzit, tek komunat dhe bashkitë”,- tha Bashkim Fino.
 
Variantet
Qeveria do t’i paraqesë komisionit tri variante për ndarjen e re administrative të Shqipërisë dhe më pas do të jenë anëtarët që do të vendosin numrin e komunave dhe bashkive. Kryetari i komisionit, Bashkim Fino, i vuri afat qeverisë datën 19 maj për të paraqitur variantet e mundshme për ndarjen e re të vendit. “Po i lëmë kohë qeverisë dhe ministrit, që deri në 19 maj, të na sjellë variante të hartës së re të ndarjes territoriale. Pasi të kemi bërë diskutimet, e të kemi dëgjuar të gjithë aktorët, do të vendosim se cilat projekte do të miratojmë. Nga data 19 maj-20 korrik do të ketë një diskutim me të gjithë organet e pushtetit vendor. Do të diskutohet me kryetarët e omunave, këshillave. Më pas, kjo hartë pas dy muajsh diskutimi do të vijë në Komision dhe më pas do të marrim vendimin përfundimtar për t’ia paraqitur Kuvendit”,- u shpreh Fino.

Shkrimi u publikua sot 29 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)