Tedi Blushi deklaroi sot se referendumi është e vetmja rrugë kushtetuese për çdo ndryshim të hartës territoriale, duke kundërshtuar projektin për shkrirjen e 15 bashkive. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, qytetarët duhet të vendosin vetë përmes referendumit, pasi ndryshimet e propozuara nga mazhoranca cenojnë përfaqësimin vendor dhe largojnë shërbimet nga komunitetet.
"Projekti ogurzi për shkrirjen e 15 bashkive është një ndërhyrje e dhunshme në organizimin e pushtetit vendor, me pasoja shumë të rrezikshme për mijëra familje, sepse u largon shërbimet, dobëson përfaqësimin vendor, centralizon më tej pushtetin dhe financat, dhe përshpejton shpopullimin e zonave që sot kanë nevojë për më shumë shtet pranë tyre, jo për degdisjen e shtetit edhe për dhjetra kilometra më larg. Qartësisht ky projekt është në kundërshtim me rekomandimet e BE-së dhe Këshillit të Europës dhe bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë" tha Blushi
Deklarata e plotë
Referendumi dhe vetëm referendumi është rruga që duhet ndjekur për çdo ndryshim të hartës territoriale të Shqipërisë. As Edi Rama, as Qeveria e tij dhe as shumica e kartonëve në Kuvend nuk kanë të drejtë t’u imponojnë qytetarëve se ku do të jetojnë, si do të përfaqësohen dhe sa larg do t’u ofrohen shërbimet publike. Bashkitë nuk janë pronë e Edi Ramës dhe harta territoriale e Shqipërisë nuk është karikaturë që kryeministri e vizaton dhe e fshin sipas humorit dhe interesit të tij politik. Projekti ogurzi për shkrirjen e 15 bashkive është një ndërhyrje e dhunshme në organizimin e pushtetit vendor, me pasoja shumë të rrezikshme për mijëra familje, sepse u largon shërbimet, dobëson përfaqësimin vendor, centralizon më tej pushtetin dhe financat, dhe përshpejton shpopullimin e zonave që sot kanë nevojë për më shumë shtet pranë tyre, jo për degdisjen e shtetit edhe për dhjetra kilometra më larg. Qartësisht ky projekt është në kundërshtim me rekomandimet e BE-së dhe Këshillit të Europës dhe bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Neni 13 i Kushtetutës e ndërton qeverisjen vendore mbi decentralizimin dhe autonominë vendore. Neni 108 garanton ekzistencën e njësive të qeverisjes vendore dhe kërkon që organizimi i tyre të respektojë parimet e vetëqeverisjes. Por edhe më qartë flet Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Vendore, e ratifikuar nga Shqipëria. Neni 4, pika 3, vendos parimin e subsidiaritetit: përgjegjësitë publike duhet të ushtrohen, në mënyrë të përgjithshme, nga autoritetet që janë më pranë qytetarit. Ndërsa neni 5 përcakton se ndryshimet në kufijtë territorialë të njësive vendore nuk duhet të bëhen pa konsultimin e komuniteteve të prekura dhe, kur është e mundur, përmes referendumit. Edi Rama po bën të kundërtën. Nuk ka pyetur komunitetet. Nuk ka marrë pëlqimin e tyre. Nuk ka zhvilluar një proces real konsultimi. Nuk ka kërkuar vullnetin e sovranit. Dhe tani kërkon t’ua imponojë vendimin me shumicën parlamentare. Nëse Edi Rama beson vërtet se shkrirja e këtyre 15 bashkive është në interes të qytetarëve, pyetja është fare e thjeshtë: Pse ka frikë nga referendumi? Le t’i pyesë qytetarët! Le të vendosin banorët e Fushë-Arrëzit nëse duan të shkrihen me Pukën. Le të vendosin banorët e Libohovës, Këlcyrës, Memaliajt, Poliçanit, Maliqit, Divjakës, Selenicës, Klosit, Rrogozhinës, Patosit, Dimalit, Përrenjasit dhe të gjitha komuniteteve të prekura. Marrëzia e kësaj harte të re është e dukshme edhe në terren. Si mund të pretendohet se bashkimi i Fushë-Arrëzit me Pukën do të përmirësojë shërbimet, kur vetë Bashkia e Pukës deklaron se nuk e përballon dot këtë barrë? Si mund të pretendohet se Bashkia e Vlorës do t’u shërbejë banorëve të Selenicës dhe dhjetëra fshatrave të saj, kur sot nuk arrin të menaxhojë as mbetjet e veta, të cilat digjen pranë zonave turistike? Si mund të mendohet se largimi në Berat i administratës nga Tërpani dhe zonat malore të Tomorrit, sot në Bashkinë Poliçan, do t’i mbajë njerëzit atje? Dhe çfarë do t’u thuhet banorëve të Zagorisë, që do të përballen me distanca edhe më të mëdha për të shkuar deri në Gjirokastër për shërbimet administrative? Po banorët e zonave të thellave të Memaliajt, përse duhet të bëjnë më dhjetra kilometra për të shkuar në Tepelenë, kur ata e kanë tani bashkinë e tyre? Pra të largosh administratën nga qytetari dhe pastaj të çuditesh pse qytetari largohet nga Shqipëria. Shkrirja e Maliqit, një prej zonave me rëndësi të madhe bujqësore në vend, nuk mund të trajtohet si një vijë që fshihet me laps në hartë. Është një goditje fatale për bujqësinë e blegtorinë në një prej zonave më prodhuese të vendit. Aty jetojnë komunitete, fermerë, familje, biznese dhe njerëz që kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre. Nëse logjika është se çdo bashki duhet të bashkohet me një tjetër vetëm sepse ka një lidhje infrastrukturore apo ekonomike, atëherë ku ndalet kjo logjikë? Nëse nesër Elbasani kërkon dalje në det, a do ta bashkojmë me Durrësin? Apo me Kavajën? Kjo nuk është reformë. Kjo është improvizim administrativ i një pushteti që mendon se mund ta qeverisë Shqipërinë nga një zyrë në Tiranë. Të mos harrojmë edhe një fakt politik të rëndësishëm. A i pyetën në fushatë deputetët socialistë, qytetarët e këtyre bashkive, kur ju kërkuan votën, nëse janë dakord për t’i fshirë bashkitë e tyre nga harta? Ku ishin këta deputetë gjatë fushatës? A u thanë votuesve: “Na votoni, sepse pas zgjedhjeve do ta shkrijmë bashkinë tuaj”? Nëse nuk ua thanë, atëherë qytetarët kanë të drejtë t’i pyesin: Pse na mashtruat? Bashkitë nuk janë thjesht emra në një hartë. Janë institucione të vetëqeverisjes së komuniteteve. Janë administrata, shërbime, përfaqësim, identitet, histori dhe lidhje të drejtpërdrejtë të qytetarit me shtetin. Prandaj çdo përpjekje për t’i zhdukur ato pa marrë më parë pëlqimin e qytetarëve është një akt i pastër dhune dhe imponimi që do të refuzohet me çdo mjet demokratik. Banorët e Poliçanit e dinë rrugën që duhet ndjekur dhe e kanë dhënë përgjigjen e tyre sa herë me dhunë u janë imponuar vendimeve pa i pyetur. Në Divjakë, qytetarët e kanë treguar se cilat është rruga që duhet të ndjekin, se e treguan kur e hodhën në kanal traun që Edi Rama u vendosi për të hyrë me pagesë në parkun e Divjakë-Karavastë. Në të 15 bashkitë e vendit, qytetarët e dinë rrugën që duhet të ndjekin nëse Edi Rama nuk do heqë dorë nga imponimi me dhunë i një projekti që godet mijëra familje, biznese dhe komunitete që përfaqësojnë tradita, histori, kulturë e vlera që nuk mund të fshiihen dot me një të rënë të lapsit. A do të lejojmë që 15 komunitete të fshihen nga harta administrative me një urdhër politik? Përgjigjja është e prerë: JO! Asnjë shumicë parlamentare nuk mund të zëvendësojë vullnetin e qytetarëve për një çështje që prek drejtpërdrejt jetën, përfaqësimin, shërbimet dhe të ardhmen e komuniteteve të tyre. Shqipëria nuk është pronë e Edi Ramës Sovrani është populli. Dhe përballë një projekti që kërkon të ndryshojë hartën e vendit pa pyetur qytetarët, rruga e vetme është referendumi dhe vetëm referendumi.










Komente
Komento