Juristi Kreshnik Spahiu ka folur sot në një lidhje për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, për ndarjen e re territoriale të propozuar nga PS, e cila pritet të miratohet së shpejti në Parlament dhe që parashikon shkrirjen e 15 bashkive.
Spahiu tha se ndarja administrative është e rëndësishme për zgjedhjet e ardhshme lokale, pasi sipas tij, është ‘prognoza’ e këtyre zgjedhjeve, duke ditur ndarjen e bastioneve mes forcave politike në Shqipëri.
Më tej me ironi Spahiu tha se PS dhe PD bëjnë ndarje administrative në Shqipëri, më shpesh sesa bëhet në Kinë apo Indi, vende që kanë një popullsi shumë të madhe.
“Këto janë ligje të rëndësishme në vigjilje të zgjedhjeve lokale. Këto do përcaktojnë të ardhmen e këtyre zgjedhjeve. Ndarjet janë shumë të rëndësishme, janë prognoza e rezultatit të zgjedhjeve. Ajo që unë ndiej keqardhje është që PS dhe PD ende nuk e kanë të qartë se Shqipëria nuk është as Kina e as India për numrin e popullsisë, që të bëjë ndarje administrative çdo 8 vite. Edhe Kina apo India që ndikojnë në ndryshimin e popullsisë së planetit, nuk e bëjnë këtë ndarje kaq shpesh sa Shqipëria. Këta e kanë logjikën politike më rëndë se kinezët”, tha mes të tjerash Spahiu.
Në përfundim Spahiu theksoi se Shqipëria, si një vend i vogël, ka nevojë për më shumë stabilitet dhe sipas tij, nuk ka nevojë për ndarje të herë pas hershme administrative.
“Shqipëria është një vend shumë i vogël që duhet të ketë stabilitet, qoftë në ndarjet administrative, qoftë në zonat elektorale për pushtetin parlamentar. Unë kurrë nuk e kam kuptuar këtë tendencë dhe dëshirë për ndryshime në hartën territoriale. Të gjitha këto ndryshime, a na kanë sjellë ne qeverisje më të mirë, bashki më transparente apo shërbime më të mira?”, shtoi Spahiu.
Lajmi kryesor:
Spahiu: Përplasja e Gjyqësorit me Qeverinë për pagat, një debat mediatik artificial





