Reforma territoriale,
ja detajet e ndarjes së re

Reforma territoriale,<br />ja detajet e ndarjes së re
TIRANE- Reforma territoriale do të bëhet brenda këtij sesioni parlamentar, pavarësisht qëndrimit që do të mbajë opozita për këtë çështje. Në seancën e djeshme parlamentare, kryeministri Rama ripërsëriti ftesën e tij ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për të zhvilluar takimin sy më sy, jo vetëm për reformën territoriale, por edhe për problemet e tjera që kërkojnë dialog me opozitën, duke vënë theksin kryesisht tek reforma territoriale. “Meriton një shpjegim pyetja se pse unë e ftova kryetarin e PD-së për t’u ulur dhe për të diskutuar. Shpjegimin e kam dhënë në letër, por vlen të shtjellohet edhe pas reagimeve të marra ndaj ftesës.

Përgjigja e opozitës është kushtëzuese. Pas përgjigjes së marrë, kam ngarkuar deputetin Taulant Balla, si drejtues i pjesës tonë në grupin e deputetëve që na përfaqëson në PE, që të komunikojë me palën tjetër dhe të bëjë prezent faktin që ne vërtet jemi shumë të interesuar të ulemi për reformën administrative-territoriale, por nuk e kushtëzojmë dialogun vetëm me këtë çështje. Opozita kërkon të kushtëzojë parlamentin, jo thjesht komisionin, që do të thotë se kërkon t’i japë vetes të drejtën që ta bllokojë komisionin dhe të mos lejojë reformën të bëhet. Nuk kemi mundësi ta shtyjmë këtë reformë. I kemi votat, kemi mbështetje, puna ka filluar në të gjithë territorin e vendit në nivelin teknik për të mbështetur komisionin. Nuk kemi mundësi që të presim, por duam t’i bëjmë të gjitha që të ulemi së bashku”,-tha kryeministri Rama.

Detajet e reformës
Pavarësisht se nuk ka një draft konkret për reformën territoriale, kreu i Ekzekutivit tregoi dje në Kuvend disa prej detajeve se si do të bëhet kjo reformë. Sipas tij, ndryshimet që do të bëhen në hartën administrative të Shqipërisë nuk do të kenë impakt në Kodin Zgjedhor, çka do të thotë se në reformë do të bëhet një zvogëlim i numrave të njësive vendore dhe jo të qarqeve, të cilat janë të parashikuara në Kodin Zgjedhor. “Nuk kemi asnjë prirje dhe qëllim të prekim qarqet të cilat lidhen me Kodin Zgjedhor. Reforma ka impakt të madh ekonomik dhe social. Ne nuk kemi synim që të prekim qarqet që prekin Kodin tonë Zgjedhor”,- theksoi Rama. Sipas Kodit Zgjedhor, është parashikuar se qarku është njësia administrative e parashikuar nga Ligji për Ndarjen Administrative të Shqipërisë dhe ka disa kritere për njësitë vendore që gjenden brenda saj.

“Zonë zgjedhore” është ndarja administrativo-territoriale e qarkut për zgjedhjet në Kuvend dhe bashkia apo komuna për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore”,- thuhet në përkufizimet e Kodit Zgjedhor ndërsa në nenin 27 , pika 3 ku përcaktohen zonat e administrim zgjedhor thuhet se: “Asnjë Zonë Administrimi Zgjedhor nuk mund të shtrihet gjeografikisht në dy ose më shumë qarqe apo rrethe të ndryshme brenda të njëjtit qark”. Por sipas ligjit, bëhet edhe llogaritja e reformës që do të ndërmarrë qeveria, nga e cila përcaktohet se ndryshimet e ndarjes administrative do të bëhen brenda qarkut, pra ulet numri i komunave, bashkive, rretheve, por jo i qarqeve pasi ato do të ngelin po 12.

Batutat dhe akuzat në Kuvend
Rama: Ndjesë për fyerjen. Balla: Listat e PD i bëri Shkëlzen Berisha
BREGU: Nuk e di nëse keni bërë mirë apo jo, që nuk keni zbardhur atë fjalor të përdorur në seancë. Por po ju them një gjë, sepse jashtë sallës së këtij Kuvendi janë disa qindra punonjës të administratës shtetërore që po protestojnë për pushimet e padrejta nga puna.
HARITO: Jeni të shqetësuar për ata 7000 vetë që deklaroni ju, apo jeni të shqetësuar për listat e farefisit tuaj. Jeni të shqetësuar për gruan e z.Kosova që punon në Ministrinë e Jashtme, për gruan e Saimir Shehrit në Ministrinë e Ekonomisë, për Gjergj Lezhën që ka gruan në DAP dhe kunatën në Ministrinë e Mbrojtjes.

Mos jeni gjë të shqetësuar për Hasan Metukun apo për Roland Bejkon që ka vëllain në Ministrinë e Mbrojtjes? Mos jeni të shqetësuar për gruan e Glori Hysit në Ministrinë e Arsimit, për znj.Rusmajli në Ministrinë e Financave apo që ka kunatën në Kryeministri, apo për motrën e z.Patozi në Ministrinë e Brendshme, për mbesën e Liri Berishës në Ministrinë e Integrimit, për kunatën e Genc Rulit në Ministrinë e Transportit, për znj.Mediu në Ministrinë e Energjisë apo për gruan e Kuliçit në Ministrinë e Punëve të Brendshme se ky donte ta mbante gruan pranë. Mos jeni të shqetësuar për vëllain e Gerti Bogdanit në Ministrinë e Jashtme. Nuk di dhe një gjë. Pse keni një numër kaq të madh kunatash? Kunata pafund.

Vetëm në Postën Shqiptare keni një listë me emra dhe mbiemra Berisha, lexojini raportet.
BERISHA: Qytetarët janë të shqetësuar kur shohin Çuçin, burrin e gruas, ministër. Xhillarin, burrin e Linda Bashës Kryetar bordi. Janë të shqetësuar kur shohin kushëririn tënd të parë drejtor të MEICO. Jeni familja e vetme që keni 4 vetë në qeveri.
MEDIU: Nëse ka shkelje minimale nga ana e bashkëshortes time, merrni masa, por nëse ecni me ligjin e 1945-ës, atëherë bëjini si në atë kohë.
TOPALLI: T’ju vijë turp se nuk jemi bij të komunizmit. Nëse do me pa se ku janë fundërrinat e komunizmit, i keni në krah.

BALLA: Kishe familjen në qeveri, madje për listat e Shkodrës kur të hoqën Arencën dhe vunë shokun e ngushtë të Shkëlzenit the që listat e deputetëve të Shkodrës i ka bërë Shkëlzen Berisha. Çfarë merite të veçantë kishte dhëndëri yt që të ishte në Ambasadën e Shqipërisë në Francë?
Rama: Ju keni shumë të drejtë kur thoni se unë shkela etikën...
Braçe: Po lëre, o Flamur, që të flasë
Noka: Pse ça je ti, bodigardi i atij?
Rama: Kryeplaku juaj (për Berishën)
Topalli: Të ndërpritet seanca
Rama: Kryeplak nuk është fyerje, është profesion
BRAÇE: Borxhin ndaj kompanive, ua ka marrë për të financuar fushatën elektorale dhe jo për të ndërtuar vepra në infrastrukturë. Berisha kur të ngrihet në Kuvend, të flasë për paratë që ai dhe familja e tij u ka marrë sipërmarrësve privatë, si 10 %, shpeshherë edhe 15-20 %

Shkrimi u publikua sot (28.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja