Këshilli Bashkiak i Cërrikut nuk e mbështeti draftin e Partisë Socialiste për reformën e re administrativo-territoriale, i cili parashikon shkrirjen e Bashkisë Cërrik dhe Bashkisë Belsh dhe bashkimin e tyre me Bashkinë e Elbasanit.
Në votimin e zhvilluar këtë të martë, 11 këshilltarë abstenuan, 7 votuan kundër dhe vetëm 2 ishin pro. Pas përfundimit të votimit nuk pati një sqarim zyrtar nëse rezultati konsiderohet kundër apo pro draftit, pasi kryetari i Këshillit Bashkiak nuk dha një përgjigje mbi interpretimin e votës.
Drafti i depozituar nga Partia Socialiste synon uljen e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46. Për Qarkun e Elbasanit ai parashikon që Cërriku dhe Belshi të humbasin statusin e bashkive më vete dhe të bëhen qytete përbërëse të Bashkisë së madhe të Elbasanit, me një nënkryetar përgjegjës për secilin qytet.
Pak ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Elbasanit e miratoi me shumicë votash këtë propozim, duke argumentuar se bashkimi do të krijojë një bashki me kapacitete më të mëdha ekonomike dhe investuese. Ndërkohë, në Cërrik nuk u arrit një mbështetje për draftin, ndërsa edhe Këshilli Bashkiak i Belshit ka votuar kundër bashkimit të propozuar.
Reforma e re administrativo-territoriale ka sjellë përplasje politike mes mazhorancës dhe opozitës. Socialistët argumentojnë se bashkitë më të mëdha do të kenë më shumë kapacitete financiare dhe administrative, ndërsa opozita e kundërshton draftin, duke e cilësuar atë një projekt politik dhe duke pretenduar se largon shërbimet nga qytetarët.






Komente
Komento