Me Edi Ramën nuk ka asnjë bashkëpunim, ka vetëm betejë. Ndërsa mazhoranca dha sinjale të prera se puna në komisionet e posaçme do të vijojë edhe pa opozitën në rast se nuk do të ulen në tryezë, Berisha paralajmëron tryeza paralele vetëm me të tijtë.
“Ne krijojmë komisionet e reformës territoriale me forcat opozitare dhe reformën zgjedhore me forcat opozitare’, tha Berisha.
Në Kuvend nuk ka asnjë hapësirë ligjore për ta bërë realitet këtë skenar të Berishës, ndaj e vetmja mënyrë që i mbetet opozitarëve janë tryezat e punës në seli.
“Me media me të gjitha dhe ne krijojmë, paraqesim para shqiptarëve reformën tonë territoriale. Do bëjmë reformën e vërtetë. Janë deputetët tanë që do e bëjnë. Oerd Bylykbashi dhe Luçiano Boçi do të jenë ata që do të kryesojnë komisionet nga ana e PD, sepse do jetë bashkë me opozitën për reformën territoriale dhe reformën zgjedhore”, tha Berisha.
Ky skenar i ri ishte përgjigje ndaj lëvizjes më të fundit të socialistëve. Komisioni i reformës territoriale u mblodh të enjten dhe vendosi t’i propozojë seancës plenare ndryshimin e projektvendimit për mënyrën e funksionimit të komisionit. Thënë ndryshe, PS ndryshon formulën e përbërjes së komisioneve dhe merr shumicën.
“Dashamirësia e mazhorancës dhe Kuvendit për të krijuar barazi dhe bashkëkryesi, është kthyer tashme në një mekanziëm bllokimi për vijimësinë e punës. T’i kërkojmë Kuvendit ndryshimin e vendimit të krijimit të Komisionit në mënyrë që koncepti i paritetit dhe bashkëkryesisë mos të jenë më si koncepte ne vendimin e krijimit të komisionit”, tha Arbjan Mazniku, kryetar i Reformës Territoriale.
Mazhoranca ka nisur punën për ndryshimet dhe do të kërkojë që seanca plenare të miratojë formulën e re për funksionimin e reformës territoriale, këtë herë pa numër të barabartë anëtarësh dhe pa bashkëkryetar siç kanë qënë tradicionalisht komisionet e posaçme.
Me formulën e re, mazhoranca do të ketë 9 anëtarë ndërsa opozita 8. Luçiano Boçi që aktualisht është bashkëkryetar, ne formulën e re do të jetë nënkryetar i Komisionit të Posaçëm, por pa të drejtë vetoje.
Ndërkohë, opozita po ndjek të njëjtin skenar si në 2015-ën, kur bojkotuan punën e Komisionit të Reformës Territoriale dhe lanë të vetme të tryezë mazhorancën socialiste e cila miratoi variantin aktual me 61 bashki.
Komente











