Kohë më parë prej opozitës është shprehur mendimi kundër në parim për ndarjen e re territoriale. Ndërsa në këtë rast Basha, në cilësinë e kreut të bashkisë do të duhet të shqyrtojë në anë praktike draftin e propozuar. Ashtu si dhe është cilësuar më parë, kryeqyteti do të kthehet në një superbashki.
Përballja
Ndarja territoriale votohet në parlament me 84 vota. Vetë PS dhe LSI në kuvend numërojnë 85 vota në Kuvend. Por se mazhoranca e re ka kërkuar një votim me konsensusin e të gjithë palëve. Gjë që prej opozitës është kundërshtuar me kërkesën që votimi të jetë i pranueshëm vetëm nëse do t’i ofrohet e drejta e vetos. Kjo për shkak dhe të ndikimit që ndryshimi territorial mund të ketë në sistemin zgjedhor dhe në përllogaritjen e votave që secila nga partitë parashikon, si në zgjedhjet vendore dhe në ato parlamentare.
Qëndrimi
Burimet kanë bërë të ditur se vetë krerët e pushtetit vendor të komunave të PD dhe aleatëve të saj do të tregohen neglizhent mbi kërkesën e rishikimit të ndarjes territoriale. Gjithsesi do të jenë ekspertët e PD dhe ato të bashkive përkatëse që do të shqyrtojnë pikat e dobëta të draftit për të pasur më pas mundësinë e kundërshtimit të draftit në diskutimin parlamentar.
Votimi
Bashkimi dhe ndarja e zonave territoriale paralelisht do të shkojë dhe në një rillogaritje të mandateve të deputetëve. Edhe pse detyrimisht kjo reformë nuk prek sistemin zgjedhor, vetë palët kanë pranuar se kjo të çon drejt kësaj. Ndaj dhe opozita ka shprehur frikën se bashkimi dhe ndarja e bashkive do të jetë në bazë të spekullimit mbi elektoratit. Ndërsa kalimi i Kamzës si një zonë më vete pritet të sjellë dhe një zbutje të situatës.
Projekti
Projekti i propozuar nga mazhoranca dhe që do të kërkojë konsultimin me kreun e Bashkisë së Tiranës parashikon shkrirjen e 15 komunave. Ndërsa do të mbesë më vete Kamza. Tiranës do t’i bashkohet Vora, Petrela, Farka, Dajti, Zall Bastar, Bërzhita, Krraba, Shën Gjergji, Vaqarri, Kashari, Ndroqi, Baldushku, Preza, Peza dhe Bërxulli. Ndërkohë që Kamzës do ti bashkohen Komunat Paskuqan dhe Zall Herri. Në lidhje me Tiranën është kërkuar shkëputja dhe e disa komunave duke ia lënë këtë në dorë një projektpropozimi prej kreut aktual të bashkisë. Pikë që do të zbardh më së pari atë çfarë do të pritet në fund të korrikut në parlament. E cila do të koinçidojë dhe pak pas dhënies së vendimit për statusin e Shqipërisë si vend kandidat për integrimin në BE.
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)