Reforma territoriale e vitit 2014 do të kalojë në një analizë të plotë pas 10 vitesh, për të parë çfarë ka funksionuar dhe çfarë duhet ndryshuar. Kështu u shpreh bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, gjatë dëgjesës së 11-të publike në qarkun e Korçës, ku u zhvilluan konsultime me aktorët vendorë dhe grupet e interesit për reformën e re territoriale.
Mazniku tha se objektivi është ndërtimi i bashkive më të forta, me më shumë kapacitete për të përmbushur detyrat e tyre dhe për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.
“Sfida që kemi përpara është se si t’i bëjmë bashkitë të kenë të gjitha mjetet dhe kapacitetet e nevojshme për t’i kryer detyrat e tyre më mirë. Pas 10 vitesh nga reforma e vitit 2014, ky është momenti i duhur për të bërë dy gjëra; së pari, një analizë të thelluar të asaj që ka funksionuar dhe asaj që nuk ka funksionuar; së dyti, të identifikojmë çfarë duhet të ndryshojmë për ta përmirësuar sistemin”, u shpreh Mazniku.
Ai tha se një pjesë e bashkive nuk arrijnë ende të ushtrojnë plotësisht funksionet që u ngarkon ligji, çka sipas tij ka sjellë diferenca të dukshme në zhvillimin e territoreve.
“Nga 36 funksione buxhetore që kanë bashkitë, ka një pjesë të tyre që realizojnë vetëm 9, 10 apo 12 prej këtyre funksioneve. Pyetja që shtrohet është nëse kjo është një problematikë sistematike apo lidhet me faktorë të tjerë, si madhësia e bashkisë dhe cilësia e menaxhimit. Padyshim që kjo lidhet edhe me madhësinë e territorit që administron secila bashki. Ka bashki që kanë arritur të jenë të suksesshme dhe të menaxhojnë mirë burimet e tyre, por ka edhe të tjera që nuk kanë mundur ta bëjnë këtë në të njëjtën masë. Kjo ka sjellë zhvillim jo të njëtrajtshëm dhe përbën një nga sfidat kryesore që duhet adresuar”, tha ai.
Sipas Maznikut, forcimi i pushtetit vendor është i domosdoshëm edhe në funksion të integrimit europian, pasi bashkitë duhet të jenë të afta të hartojnë dhe zbatojnë projekte sipas standardeve të Bashkimit Europian.
“Procesi i integrimit evropian hap një dritare të jashtëzakonshme mundësish për bashkitë e vendit. Por kjo kërkon që të kemi bashki të forta, të afta për të hartuar dhe zbatuar projekte sipas standardeve evropiane. Kjo lidhet drejtpërdrejt me afatet që kemi përpara. Në maj të vitit 2027 do të zhvillohen zgjedhjet vendore dhe synimi ynë është që vendi të hyjë në atë proces me një sistem më efikas dhe më funksional”, deklaroi ai.
Mazniku theksoi se periudha 2027–2030 duhet të shërbejë për përgatitjen e bashkive për të përthithur fondet dhe financimet europiane, ndërsa reforma që po diskutohet sot do të ketë ndikim afatgjatë në zhvillimin e vendit.
“Ky proces nuk ndikon vetëm në të tashmen; ai do të ketë ndikim në një dekadë të tërë. Prandaj kemi një momentum shumë të rëndësishëm. Duhet të ndërtojmë bashki që janë të gatshme të lidhen dhe të integrohen me Evropën. Ky është diskutimi që duhet të bëjmë së bashku”, përfundoi Mazniku.
Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale pritet t’i paraqesë Kuvendit produktin përfundimtar të punës së tij brenda afatit të përcaktuar, më 15 korrik.
Komente










