Reforma territoriale, Rama i
ofron opozitës të drejtën e vetos

Reforma territoriale, Rama i<br />ofron opozitës të drejtën e vetos
TIRANE-Kryeministri Edi Rama fton opozitën të jetë pjesë e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën territoriale duke shprehur gadishmërinë t’i njohë opozitës të drejtën e bashkëkryesimit dhe të gjitha të drejtat që garantojnë barazinë përfshirë edhe veton.
 
Në ceremoninë e  nënshkrimit të "STAR" projekti i asistencës ndërkombëtare, në mbështetje të qeverisë shqiptare për reformën adiministrativo-territoriale. kryeministri Rama u shpreh se maxhoranca i ka votat që këtë herë politika shqiptare të mos jetë pengesa e papërgjegjshme por dëshiron pjesëmarrjen e plotë të opozitës.

"Kjo është kryereforma. Ka dhe votat e shumicës së cilësuar që lypset për ta kaluar në Parlament. Madje votat e shumicës që Aleanca e Shqipërisë Europiane i ka janë arsyet e fundit për të besuar se këtë herë politika shqiptare nuk mund të jetë pengesa e papërgjegjshme tradicionale. Por më lejoni të jem i qartë. Ne duam që këtë reformë ta udhëheqë Kuvendi i Shqipërisë me një komision të posaçëm parlamentar. Jo vetëm e dëshirojmë pjesëmarrjen e plotë të opozitës në hartimin e projektit të reformës, por kemi gadishmërinë që në bazën e praktikës së mirë t’i njohim opozitës të drejtën e bashkëkryesimit dhe të gjitha të drejtat që garantojnë barazinë në komision përfshirë edhe veton siç është përdorur në praktikën e komisionit të reformës zgjedhore”, nënvizoi Rama në fjalën e tij që u mbajt sot paradite në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e kryeministrisë.

Përgjigjja e kryeministrit vjen një ditë pas tryezës së përbashkët e PD-së dhe aleatëve të djathtë nga ku doli një qëndrim i përbashkët i opozitës se nëse nuk jepet e drejta e vetos nuk marrin pjesë në komision.

RAMA: REFORMA S'KA LIDHJE ME INTERESAT PARTIAKE
Për Ramën kjo reformë s'ka lidhje me interesat partiake dhe shprehet i hapur për të mirëpritur çdo sugjerim.

“Jemi të hapur ndaj të gjithëve dhe mirëpresim çdo ide, sugjerim dhe kontribut nga të gjithë në çdo nivel parlamentar a komunitar. Dëshirojmë dhe urojmë që opozita ta nxjerrë jashtë axhendës së aksionit të vet legjitim antiqeveritar këtë temë të madhe të politikës dhe të mos mungojë në rrugën e reformës me  interes të madh kombëtar publik e komunitar.  Vizioni ynë nuk lidhet me asnjë inters partiak në favor apo kundër një pale për ne është instrument modernizimi për vendin dhe shtysë e fortë për zhvllimin e   integruar të tij, për të cilën jemi dëshmitarë se ky vend ka nevojë të dëshpëruar”, nënvizoi më tej Rama.
 
ARVIZU: NXISIM TE GJITHA PARTITE TE JENE PJESE E REFORMES, TE DEGJOHET ZERI I TE GJITHE QYTETAREVE

I pranishëm në këtë aktivitet, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Aleksander Arvizu, tha se nevojitet përfshirja e të gjithë aktorëve në këtë proces, si dhe të dëgjohet zëri i qytetarëve.
 
“Nxisim qeverinë të sigurohet që zërat e të gjithë qytetarëve të dëgjohen në këtë proces. Nxisim të gjitha partitë të marrin pjesë aktive në këtë proces. Produkti më i mirë për vendin do të ishte një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse”, tha Arvizu.

ARVIZU DHE RAMA: REFORMA TERRITORIALE DUHET PATJETER
Si ambasadori i SHBA-së ashtu edhe kryeministri Rama u shprehën se reforma territoriale është e nevojshme.

 “Për mbi 10 vjet Shqipëria dhe komuniteti ndërkombëtar, janë në një mendje se sistemi i tanishëm i njësive të shumëfishta të qeverisjes vendore është i paqëndrueshëm. Në kohën kur këto njësi kanë qenë të vogla, për të pasur numrin e duhur të personelit të trajnuar dhe në pamundësi për të pasur burimet e mjaftueshme, çdo shqiptar ka paguar çmimin për shërbimet publike jashtë standardeve. Përpjekja në vazhdim do të konsolidojë Qendrat Vendore nga 385 të tilla. Ky konsolidim i bashkërenduar me reforma paralale do të përmirësojë sektorin publik dhe forcojë autonominë vendore.Rezultatet do të ndihen çdo ditë si në qytete dhe fshatra. Përkrahim përkushtimin e qeverisë për të bërë reformën që të ndjekë standardet ndërkombëtare,” nënvizoi më tej ai.

Ndërsa Rama u shpreh se reforma territoriale vendos piketa dhe standarde të reja për trajtimin e potencialeve të çdo pjese të territorit të vendit dhe menaxhimin e këtij territori. Hedh themelet duke garantuar një bazë te re për mirëqëeverisjen; transformon shtetin dhe qasjen e tij në të dyja nivelet e qeverisjes dhe mundëson daljen nga një prapambetje të  thellë.

"Është reforma për të cilën të gjithë bien dakord në parim. Të gjithë thonë po duhet, madje duhet patjetër, nuk është dëgjuar asnjëherë një zë i vetëm që të thotë: Jo kjo reformë nuk duhet”, nënvizoi ai.

ARVIZU: KOHA PER ZBATIMIN E PROCESIT ESHTE E NGUSHTE
Ambasadori i SHBA-së, shtoi se, “koha për zbatimin e procesit është e ngushtë, duke qenë se qeveria ka për synim që ta përfundojë procesin në kohë për zgjedhjet vendore të vitit 2015″.“Për këtë ne kemi përshpejtuar ndihmën tonë, me qëllim që qeveria dhe parlamenti të mund të veprojnë shpejt dhe kemi besim tek suksesi”, tha Arvizu.

RAMA: QEVERIA MBESHTETESE E KESAJ REFORME
“Qeveria falë mbështetjes bujare teknike e financiare të miqve do luajë rolin e domosdoshëm mbështetës për të siguruar që të gjitha aspektet e këtij procesi të lidhur pazgjidhshmërisht me dialogun e konsultimin e komuntiteve. Synimi është që përmes ndërveprimit gjithëpërfshirës të garatojmë reformën me sukses.”- tha Rama

Të pranishëm në ceremoninë ishin kryeministri Edi Rama, anëtar të kabinentit qeveritar, ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, ai i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, zv.shefi i misionit të OSBE-së në vendin tonë, Robert Wilton si dhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë


Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen