Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michel Tarran, u takua sot, me kërkesën e tyre, me një grup përfaqësuesish të shoqërisë civile, të cilët ndanë vëzhgimet e tyre lidhur me procesin e reformës zgjedhore.

Në takim morën pjesë Komiteti Shqiptar i Helsinkit, BIRN Albania, Instituti i Studimeve Politike, Fondacioni Westminster për Demokraci, Qëndresa Qytetare dhe Rrjeti i Grave Barazi në Vendimarrje.

Ambasadori Tarran i falënderoi përfaqësuesit e shoqërisë civile për rolin aktiv në vëzhgimin e zgjedhjeve, si dhe për ekspertizën e tyre të vyer dhe kontributin e vazhdueshëm në përmirësimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Ai dëgjoi me vëmendje çështjet dhe shqetësimet lidhur me ritmin e punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, si edhe rëndësinë e garantimit të një procesi konsultimi efektiv dhe kuptimplotë me palët e interesuara, përfshirë organizatat e shoqërisë civile.

Ai theksoi se është e rëndësishme të sigurohet që pikëpamjet dhe kontributet e të gjitha palëve të interesuara të merren në konsideratë siç duhet dhe që procesi i reformës zgjedhore të zhvillohet në mënyrë transparente, përfshirëse dhe konsultuese.

Ambasadori Tarran ritheksoi se Prezenca e OSBE-së do të vijojë të inkurajojë Komisionin dhe përfaqësuesit politikë që ta përmbushin angazhimin e tyre për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it në mënyrë të plotë dhe në kohën e duhur, në përputhje me afatet kohore të miratuara nga Komisioni dhe mjaftueshëm përpara zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm.