Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore kërkon edhe 6 muaj shtesë për të përmbyllur punën e tij. Report TV ka siguruar një letër që dy bashkëkryetarët, Bledi Çuçi e Oerd Bylykbashi i kanë dërguar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit ku i kërkojnë dhe 6 muaj kohë për reformën.
Komisioni i Posaçëm për Zgjedhoren u ngrit në 13 tetor 2017 dhe kjo është hera e dytë që komisioni kërkon zgjatje afati. Deri më tani, komisioni ka zhvilluar disa mbledhje dhe disa tryeza konsultuese me ekspertët, por nuk është marrë ende asnjë vendim me rëndësi për tu arritur ndonjë dakordësi për dy krye-çështje: votimin elektronik dhe votën e emigrantëve. PS ka dhënë sinjale se dëshiron ta votojë reformën zgjedhore në Kuvend brenda këtij viti.