Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore i ka kërkuar zyrtarisht OSBE/ODIHR-it të caktojë ekspertë për t’iu bashkuar grupit të punës. Në shkresën e firmosur nga bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, komisioni kërkon që ekspertët të kontribuojnë drejtpërdrejt në hartimin e ndryshimeve zgjedhore.

"Në cilësinë e bashkëkryetarëve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, dëshirojmë të shprehim vlerësimin tonë për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e OSBE/ODIHR-it në përmirësimin e legjislacionit dhe të proceseve zgjedhore në Republikën e Shqipërisë.

Në mbledhjen e zhvilluar më datë 17.11.2026, Komisioni vendosi t’i drejtohet OSBE/ODIHR-it me kërkesën për caktimin e ekspertëve, të cilët do t’i bashkohen grupit të ekspertëve të Komisionit dhe do të kontribuojnë drejtpërdrejt në hartimin e projektakteve në kuadër të reformës zgjedhore.

Angazhimi i këtyre ekspertëve do të mbështesë vijimin dhe përmbylljen e punës së nisur, duke ndihmuar në trajtimin e çështjeve të mbetura dhe në reflektimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Përfshirja e tyre në procesin e hartimit do të mundësojë ofrimin e ekspertizës së specializuar gjatë përgatitjes dhe finalizimit të projektakteve.

Në zbatim të këtij vendimi, do të vlerësonim mbështetjen tuaj për caktimin e ekspertëve dhe njoftimin e emrave të tyre, me qëllim përfshirjen në veprimtarinë e grupit të ekspertëve të Komisionit.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm, mbetemi të angazhuar për vijimin e një procesi gjithëpërfshirës, të mbështetur në ekspertizën profesionale dhe në rekomandimet ndërkombëtare", thuhet në letër. 

Shkresa e firmosur


Lajmi kryesor:

'Zgjedhorja'/ Peleshi i drejtohet Komisionit të Venecias për ekspertë, kërkohet opinion për pr.ligjin e financimit të partive! Gjiknuri e Bylykbashi kërkojnë ekspertë nga ODIHR-i