Në emisionin “Studio Live” në Report TV u zhvillua një diskutim mbi arsimin në Shqipëri, i nxitur nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me progresin dhe reformat që, sipas qeverisë, duhen ndërmarrë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Presidentja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar, Alma Lama, u ndal te situata aktuale e sistemit arsimor, duke thënë se investimi në arsim ka qenë i pamjaftueshëm dhe se, sipas saj, realiteti në shkolla ofron sfida të vazhdueshme.

Lama theksoi se reformat në arsim janë shoqëruar shpesh me qasje eksperimentale dhe se, sipas saj, politikat e reja duhet të mbështetet në zërin e ekspertëve.

Sipas saj, përmirësimi i cilësisë së arsimit kërkon bashkëpunim të drejtpërdrejtë me prindërit, shkollat dhe mësuesit, si dhe dëgjimin e zërit të ekspertëve të fushës.

“Politika po prodhon propagandë dhe nuk mbështetet në zerin e ekspertëve. Arsimi nuk është në ditët e tij më të mira. Bëhen arrnime të njëpasnjëshme, mësuesit janë të demotivuar, me diploma të tjetërsuara, që në 2015. Ligji i arsimit të lartë prodhoi një pakujdesi dhe diskriminim brenda grupit të mëesuesve të diplomuar para sistemit të Bolonjës. Mësuesit nuk i kemi të mirëpaguar kur vlera e qerave është sa 80% e pagës së një mësuesi” tha ajo.

Lama u ndal gjithashtu te ligji i arsimit parauniversitar, duke kritikuar faktin se një numër i konsiderueshëm mësuesish janë të detyruar të rikthehen në universitete për të plotësuar kriteret formale të diplomimit.

"Ne kërkojmë që të korrigjohet gabimi i bërë me zhvlerësimin e diplomave të mësuesve të arsimit para universitar, 1/3 e të cilëve janë në sistem. Ose diplomat janë bachelor dhe nuk kanë titull, o kanë titull dhe ai titull i ka bërë mësues. Ligji ynë i arsimit parauniversitar në nenin 57, flet që vetëm me titull për mesuesi mund të jesh mësues nga klasa 1 në klasën e 12. Jemi në një situatë që një numër i konsiderueshëm mësuesish po shkojnë në universitete për të plotësuar diplomat sepse ligji nuk u njeh diplomat. Ky është mesuesi sot. Politika prodhoi një ligj që i ktheu mesuesit të pavlerë e të padiplomuar që të mbushin universitetet bosh” tha ajo.