Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Punës për vitin 2026m Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vuri theksin tek dialogu social që sipas saj mbetet një shtyllë themelore e mirëqeverisjes.
"Është një instrument kyç për ndërtimin e politikave të qëndrueshme në fushën e punësimit, sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe zhvillimit të tregut të punës" tha Ibrahimaj duke drejtuar mbledhjen e parë të Këshillit të rikonstituar me mandatin e ri.
“Rikonstituimi i Këshillit Kombëtar të Punës dhe mbledhja e tij që në muajin janar janë një hap konkret përpara drejt forcimit të dialogut social dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm mes qeverisë, punëdhënësve dhe punëmarrësve”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Gjatë mbledhjes u diskutua për funksionimin e Këshillit për vitin 2026, si dhe për prioritetet kryesore që lidhen me reformat në tregun e punës, në kuadër të procesit të integrimit europian.
Ministrja e vuri theksin te nevoja për përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian, duke përfshirë rishikimin e Kodit të Punës dhe legjislacionit shoqërues, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe konsultativ.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua modernizimit të politikave aktive të punësimit, digjitalizimit të shërbimeve, forcimit të garancisë rinore dhe krijimit të Observatorit të Tregut të Punës, si instrument për politika më të bazuara në të dhëna dhe më transparente për publikun.
Në kuadër të dialogut social, u trajtuan gjithashtu çështje me rëndësi të veçantë për punëmarrësit dhe ekonominë, si paga minimale, reforma e pensioneve, statusi i minatorit, si dhe sfidat që lidhen me mungesën e fuqisë punëtore dhe migracionin.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se qeveria do të vijojë të punojë ngushtë me të gjitha palët e interesit për të ndërtuar reforma të qëndrueshme dhe të zbatueshme, duke e kthyer Këshillin Kombëtar të Punës në një hapësirë reale dialogu, bashkëpunimi dhe vendimmarrjeje të përbashkët.
“Dialogu i hapur, i vazhdueshëm dhe i sinqertë është garancia më e mirë për politika që i shërbejnë zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së punëmarrësve” deklaroi ministrja.
Komente








