TIRANE - Ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi, ka përsëritur edhe njëherë apelin e tij sot për përmbushjen e reformave, duke thënë se koha është e shkurtër dhe vullneti I partive në këtë është esencial. “Ju mund ta kryeni, ne do vazhdojmë të mbështetim por vendimet do të merren vetëm nga Shqipëria. Tani duhet të lëvizni”, ka theksuar Sequi.

Deklaratën, ambasadori i BE e bëri gjatë prezantimit të Planit të Veprimit për Integrimin Europian nga Ministria e Integrimit, nga ku ka theksuar se plotësimi i reformave dhe mënyra se si funksionin Parlamenti mbeten kryesore.

“Nuk duhet të humbasim prioritete të tjera. Korrupsioni, reforma gjyqësore, mbrojtja e të drejtave të njeriut, zbatimi i të cilave, do të tregonte se Shqipëria do të ndante të njëta gjëra me BE”, ka pohuar Sequi. Ambasadori Sequi pohoi se, Shqipëria është kandidate e mundshme për statusin e vendit kandidatë dhe vetë BE mbështet integrimin e saj.

Bregu ftesë PS për heqjen e imunitetit
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, i ka bërë ftesë sot PS, për heqjen e imunitetit të zyrtarëve në këtë sesion parlamentar. “Ne jemi të gatshëm të votojmë çdo variant për imunitetin”, ka deklaruar Bregu.

Gjithashtu, gjatë Konferencës së prezantimit të planit për integrimin europian, Bregu raportoi mbi progreset e Shqipërisë në disa sektorë, nga ku nënvizoi se, pjesa më e madhe e prioriteteve janë zbatuar.

Sipas Bregut, Shqipëria ka arritur sukses në luftën kundër krimit të organizuar, në zbatimin e ligjit anti-mafia, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, çështjen e pronësisë. Ndërsa, një arritje tjetër sipas Bregut, është dhe ndërtimi e qendrës së paraburgimit në Elbasan.

(bd/shqiptarja.com)