TIRANE, 14 Shkurt/ATSH/- Qeveria ka miratuar një projektligj të ri për lojrat e fatit, i cili ndryshon rrënjësisht mënyrën se si rregullohet kjo industri në vend.
Drafti, i cili ka mbërritur në Kuvend për shqyrtim, synon të reformojë gjithë tregun e lojërave të fatit, duke e shndërruar në një aktivitet që do lidhet ngushtë me promovimin dhe zhvillimin e turizmit.
Me reformimet e propozuara synohet që, nëpërmjet zhvendosjes së kazinove nga qytetet në zonat turistike, të shndërrohet në një atraksion plus për turistët. Projektligji parashikon kushte dhe kritere të forta për subjektet që do të aplikojnë për marrjen e licencës për çdo kategori lojërash fati, si dhe për aksionerët e administratorët. Këto kritere, duke u shoqëruar dhe me tarifa për dhënie licence e numër të kufizuar pikash, do të bëjnë të mundur zvogëlimin e tregut të lojërave të fatit në vendin tonë, si dhe rritjen e cilësisë dhe të përgjegjshmërisë në zhvillimin e lojërave të fatit nga subjektet e licencuara. Një pikë e rëndësishme e këtij projektligji, është kufizimi në shtrirje territoriale i kazinove vetëm në zonat e përcaktuara për zhvillimin e turizmit.
Për bastet sportive, numri total i sallave do të reduktohet në 500 dhe nuk do të lejohet të ndërtohen në distancë më të vogël se 200 metra nga njëra-tjetra. Shoqëritë që ushtrojnë këtë aktivitet, ndryshe nga më parë nuk do të kenë më liçensë me afat të pakufizuar, por me afat 10-vjeçar dhe për ta marrë atë do të paguajnë 200 milionë lekë. Për bingon kombëtare, afati do të jetë po dhjetëvjeçar, ndërsa tarifa për të marrë liçencën është vendosur 40 milionë lekë, ndërsa për kazinotë dhe llotaritë kombëtare tarifa e liçencimit varion nga 40 milionë deri 1 miliardë lekë.
Megjithatë, ndryshimi më i fortë që sjell ligji i ri është ai i skemës së taksimit. Aktualisht taksat mbi lojrat e fatit janë fikse mbi numrin e sallave, nipteve apo makinave elektronike, në varësi të llojit të aktivitetit.
Me ligjin e ri, taksimi do të jetë në përqindje mbi xhiron që realizojnë. Përkatësisht, bizneset e të gjitha llojeve të bixhozit do të paguajnë si taksa në shtet 25 për qind të të ardhurave bruto që ato realizojnë.
Paralelelisht mbi këtë taksë, organizatorët e lojrave të fatit do të paguajnë edhe një tarifë prej 3 për qind mbi të ardhurat për llogari të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojrave, MF dhe 0.2 për qind në Ministrinë e Sporteve.
Për arsye se gjatë vitit 2015 parashikohen të ardhura nga tarifat e licencimit sipas ligjit të ri, niveli i të ardhurave nga lojërat e fatit, në total, vlerësohet të jetë 4.1miliardë lekë. Ky vlerësim është bërë bazuar në të ardhurat e vitit 2013. Ndërsa për vitin 2016, sistemi i tatimit parashikohet të jetë plotësisht si përqindje ndaj së ardhurës bruto./a.gjonaj/f.n/