TIRANE - Njëzetë policë italianë do të jenë në Shqipëri nga 15 Marsi. Ky është vendimi i marrë nga ministri i Brendshëm i shtetit fqinj, Angelino Alfano, si masë për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë nga emigrantët. 

Ndihma vjen në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë për të adresuar çështjen e parandalimit të emigrimit dhe menaxhimin e kufijve, në rast të ardhjes së emigrantëve në vendin tonë si pasojë e mbylljes së rrugës ballkanike. 

Tirana do të jetë ajo që do të vendosë se ku do të zbarkojnë policët kufitarë të Italisë. Gjithashtu duke iu referuar burimeve nga FRONTEX, mediat italiane shkruajnë se edhe një avion do të monitorojë lëvizjet në detin Adriatik dhe Jon. 

“Shqipëria nuk është më vetëm një shqetësim italian, por edhe i BE-së”, ka thënë ministri i Brendshëm i Italisë, i cili do të vizitojë edhe Riranën gjatë këtij muaj. 

Italia ka marrë përsipër të patrullojë në det si pjesë e operacionit “Triton” dhe do të sigurojë mjete të tjera për të kontrolluar kufijtë qoftë në jug me Greqinë e qoftë në det. 

Nga ana tjetër prokurori i Leçes, Cataldo Motta, se lëvizjet drejt Pulias janë shumë të kufizuara, por gjithashtu pranoi se pas maleve shqiptare janë 25 mijë refugjatë, gati për të shkuar drejt Italisë.


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)