Mos ndoshta mbyllja e kufijve në Ballkan do t’i drejtojë refugjatët në një rrugë të re mes Shqipërisë dhe Italisë? Ministri i Brendshëm Italian Angelino Alfano qetëson duke thënë se për momentin nuk ka shenja se një gjë e tillë mund të ndodhë dhe se fluksi duhet të ndalet në Turqi.

Pyetjes së gazetarëve se nëse ka një rrugë Adriatike për 150 mijë emigrantë Alfano u përgjigj: “Deri në këto momente nuk kemi sinjalizime të tilla. Jemi mësuar të bëjmë parashikime,por edhe të shohim realitetin. Për momentin nuk kemi të dhëna të një fluksi emigrantësh.”

Më tej ai shtoi: "Logjika na sugjeron se nëse ka një fluks nga Turqia drejt rrugëve ballkanike atëherë ato mund të hapen . Kështu është ana logjike, por jo faktet. Por ne jemi duke punuar për mos tu bazuar në supozime të cilat mund të kenë pasoja negative. 

Megjithatë ndër të tjera Alfano thotë se është duke u punuar plani B me Shqipërinë.
“Unë u takova me Ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë i cili erdhi në Romë, dhe gjatë ditëve të ardhshme edhe unë do të shkoj në Shqipëri për të marrë masa si për parandalimin e anti-terrorizmit edhe për emigracionin e paligjshëm ".

Kanë qenë këto deklaratat që ka dhënë nga Brukseli ministri i brendshëm Italian Alfano ndërkohë që shumë prej shteteve evropiane kanë lajmëruar mbylljen e kufijve për emigrantët.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)