Gjatë dekadës së fundit, vendet evropiane kanë hapur dyert për më shumë se një milion azilkërkues të larguar nga lufta civile në Siri. Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit, disa qeveri evropiane kanë pezulluar proceset e reja për azil.
Nabil Attar ka sjellë me vete një pjesë të Sirisë në qytetin mesjetar francez të Orleans-it, recetat e mësuara nga nëna e tij dhe kujtimet nga vendi i lindjes. Ai thotë se u largua nga Siria gati një dekadë më parë për shkak të regjimit të Assadit.
“U kërcënova nga njerëz të armatosur për të paguar para. Ata ma rrëmbyen djalin. Ishte situatë e ndërlikuar. Kam paguar shumë para për ta marrë tim bir”.
Një biznesmen i suksesshëm në Damask, ai mori familjen dhe u nis drejt Evropës si qindra mijëra sirianë të tjerë. Ai u trajnua në Paris në fushën e gastronomisë.
Në vitin 2018, bashkë me gruan hapën restorantin “Narenj” në qytetin Orleans. Emri në arabisht do të thotë “portokalli i hidhur”. Familja mori shtetësinë franceze. Zoti Attar thotë e vendasit e mirëpritën familjen e tij.
“Nuk kemi patur kurrë ndonjë problem apo ndeshur me racizëm”.
Lajmi për rënien e regjimit të Assadit, në fillim të muajit, shkaktoi festime në Orleans, përfshirë restorantin e zotit Attar.
“Shpresoj dhe besoj se do të bëhet më mirë në Siri, shumë më mirë se më parë. Kam besim për këtë”.
Por ndryshimi i regjimit në Siri po ngjall shqetësime të tjera. Disa vende të Bashkimit Evropian i kanë ngrirë kërkesat e reja të sirianëve për azil me argumentin se shkaktari i vuajtjeve, regjimi i Assadit, nuk ekziston më. Franca po e studion këtë çështje.
Ndërsa janë shtuar kundërshtitë ndaj imigracionit, disa politikanë evropianë po shkojnë edhe më tej, duke thënë se refugjatët sirianë duhet të kthehen në vendin e tyre. Grupet e të drejtave dhe shumë sirianë argumentojnë se ata ende përballen me kërcënime.
Zëri i Amerikës bisedoi me Olivia Sundberg Diaz, të organizatës Amnesty International.
“Ajo që është më e rëndësishme tani duhet të jetë siguria e refugjatëve sirianë dhe atyre që kërkojnë mbrojtje. Kjo duhet të ketë përparësi përballë interesave politike.”
Debati ka shkaktuar shqetësime edhe në qytetin Orleans, ndërsa disa sirianë shprehin shqetësimet lidhur me udhëheqjen e re në Damask.
“Jam i shqetësuar për vendin dhe të ardhmen sepse ata janë ekstremistë”, thotë Ramez Ghadri, banor i qytetit Orleans.
Por zoti Attar është më optimist.
“Njoh shumë njerëz që janë të gatshëm të kthehen, sepse nuk mund të integroheshin në shoqëri. Në rastin e azilit, nëse kanë një arsye të vërtetë, ata do ta fitojnë”.
Ai thotë se shpreson të kthehet në Sirinë pas Assadit.
“Do të doja të shkoja për të vizituar familjen time, shtëpinë, të shihja miqtë. Të shikoj rrugët ku kam jetuar dhe punuar”.
Por jo për të jetuar përgjithmonë atje, pasi jeta dhe e ardhmja e tij tani janë në Francë, thotë zoti Attar./ VOA