Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 67 pasagjerë në bord! 38 viktima dhe 29 të mbijetuar! Detajet e para nga hetimet (VIDEO)

Një avion pasagjerësh i linjës ajrore Azerbaijan Airlines, me 67 persona në bord, i nisur nga Baku dhe i drejtuar për në Grozni, Çeçeni, është rrëzuar në Kazakistan pranë qytetit Aktau. Avioni i rrëzuar është një Embraer 190.

Disa nga personat që ndodheshin në bord kanë mbijetuar: pas një pasigurie të gjatë ditës së Krishtlindjes, autoritetet e Kazakistanit njoftuan se 38 persona kanë humbur jetën, ndërsa 29 kanë mbijetuar. Ministria gjithashtu ka korrigjuar numrin e personave në bord, duke e reduktuar nga 70 në 67, duke përfshirë 5 anëtarë të ekuipazhit.

Gjatë gjithë mëngjesit, rreth 150 zjarrfikës kanë punuar në vendin e aksidentit. Policia vendase dhe ajo azere kanë hapur dy hetime të ndryshme penale për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Autoritetet kanë sqaruar se fluturimi kishte ndryshuar rrugën për shkak të një problemi teknik dhe kishte provuar të bënte një ulje emergjente. Shumica e pasagjerëve ishin azerë, por në bord kishte gjithashtu rusë, nga Kazakistani dhe kirgizë.

Embraer, një prodhues brazilian dhe një konkurrent më i vogël i Boeing dhe Airbus, njihet për rezultate të shkëlqyera në fushën e sigurisë. Presidenti azer Ilham Aliyev ishte në një udhëtim për në Moskë, ku do të takohej me liderin rus Vladimir Putin, por pas marrjes së lajmit për aksidentin e fluturimit të Azerbaijan Airlines në Kazakistan, është kthyer në vendin e tij, duke anuluar pjesëmarrjen në samitin joformal të vendeve të Komunitetit të Shteteve të Pavarura (CSI).

Aliyev, sipas mediave azere, ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave të aksidentit ajror dhe u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve. Më pas, ai është kontaktuar me telefon nga Putin për ngushëllime.

Dyshimet për përplasjen me zogj 

Sipas informacioneve të para, fluturimi është rrëzuar në Kazakistan për shkak të një përplasjeje me një tufe zogjsh, të njohur si “bird strike”. Këtë e ka raportuar Sputnik Azerbaijan, duke cituar kompaninë ajrore. Në vendin e aksidentit ndodheshin 52 shpëtimtarë dhe 11 mjete të pajisura nga Ministria e Emergjencave e Kazakistanit.

Mediat ruse raportojnë se do të kryhet një hetim i veçantë në lidhje me aksidentin. Në mbrëmje, është gjetur kutia e zezë që përmban regjistrimin e komunikimeve të kabinës së pilotimit. Këtë e ka bërë të ditur prokurori kryesor i transportit kazak, Timur Suleimenov, në një konferencë për shtyp./ La Repubblica

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:43
Avioni 'Embraer 190' duhej të përshkonte 500 kilometra nga Baku në Grozny: si përfundoi në anën tjetër të Detit Kaspik?

1735141662_kazakistan.jpg

Foto ilustruese

Avioni i kompanisë Azerbaijan Airlines, i nisur nga Baku dhe me destinacion Grozny, në Rusi, duhej të përshkonte pak më shumë se 500 kilometra, por u rrëzua në Kazakistan, pranë Aktau, mëngjesin e Krishtlindjeve. Sipas rindërtimeve të para të aksidentit, duket se Embraer 190 kishte raportuar probleme pak pas ngritjes. Al Jazeera raporton se, sipas deklaratave të korrespondentit të saj në Moskë, «avioni kishte kërkuar të ulej në një aeroport alternativ para aksidentit për shkak të mjegullës së dendur në Grozny».

Ndër hipotezat që po shqyrtohen është edhe përplasja me një tufë zogjsh. Pas një devijimi fillestar drejt qytetit më të afërt rus, Makhachkala, iu komunikua që të vazhdonte uljen në Aktau, në Kazakistan. Ky qytet ndodhet në bregun tjetër të Detit Kaspik, në krahasim me Azerbajxhanin dhe Rusinë.

Pilotët kishin rënë dakord për uljen emergjente, por pak pas fluturimit mbi aeroportin kazak, Embraer 190 u rrëzua me hundën drejt tokës, duke u shkatërruar pothuajse tërësisht. Reuters raporton se në një video, burimi i së cilës ende nuk është verifikuar, shihet avioni duke marrë flakë sapo përplaset me tokën.

Qeveria kazake ka ngritur një komision për të hetuar shkaqet e aksidentit. «Komisioni ka marrë udhëzime për t’u nisur menjëherë drejt vendit të aksidentit, për të siguruar një hetim të plotë mbi shkaqet dhe për të ndërmarrë masa për t’u ofruar ndihmë prioritare familjeve të viktimave dhe të plagosurve», thuhet në një njoftim të lëshuar nga qeveria.

Për më tepër, Kazakistani do të bashkëpunojë me Azerbajxhanin për zhvillimin e hetimeve me qëllim zbardhjen e dinamikës së katastrofës./ Corriere della Sera

Ora 16:37
VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

Një video që ka qarkulluar në rrjetet sociale ka zbuluar momentet e fundit të pasagjerëve të avionit të Azerbajxhanit, i cili u rrëzua afër qytetit Aktau në Kazakistan. Videoja, që u regjistrua nga një prej pasagjerëve, tregon përpjekjet e udhëtarëve për të mbijetuar pas një incidenti fatal.

Sipas pamjeve, maskat e oksigjenit janë lëshuar brenda kabinës, një shenjë e qartë që tregon se ndodhi një dështim i papritur i sistemeve të avionit, ndoshta për shkak të një problemi teknik ose ndonjë shkaqe tjetër që ende nuk janë sqaruar. Pasagjerët janë parë në gjendje paniku, ndërsa avionin po e mundonte diçka e rëndë në ato momente.

Një tjetër video, e marrë pak sekonda pas përplasjes së avionit, tregon pasagjerët që përpiqen të dalin nga avioni i shkatërruar. Ky moment është veçanërisht dramatik, pasi është e qartë që shumë pasagjerë kanë pësuar dëmtime dhe gjendja është kaotike. Sipas raportimeve, shumica e pasagjerëve që mbijetuan përplasjen ndodheshin në pjesën e pasme të avionit, pranë bishtit, dhe kjo mund të ketë qenë arsyeja që ata shpëtuan.

 

Ora 14:55
Aksidenti ajror në Kazakistan, Rama: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik ajror të ndodhur sot në Kazakistan

“Në emër të Shqipërisë, bashkohem me miqtë tanë të pikëlluar për të shprehur ngushëllimet e mia për vendet tona vëllazërore, Azerbajxhanin dhe Kazakistanin, dhe urimet e mia të përzemërta që paqja të mbizotërojë në të gjithë rajonin e tyre”, shkruan Rama.

 

Ora 12:18
VIDEO: Momenti kur të mbijetuarit dalin nga avioni i rrëzuar në Kazakistan

Avion me pasagjerë i “Azerbaijan Airlines”, që ishte nisur nga Baku për në Grozni të Rusisë, u rrëzua në perëndim të Kazakistanit, bëri të ditur Ministria e Transportit e Kazakistanit më 25 dhjetor. Ministria e Transportit e Kazakistanit tha se në bord ishin 67 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit.

Sipas autoriteve 28 persona kanë mbijetuar, dhjetë prej të cilëve janë në gjendje të rëndë dhe janë transportuar në spitalet e afërta.

Ndërkohë janë publikuar pamjet nga momentet kur të mbijetuarit dalin nga avioni i rrëzuar.

Mediat kanë raportuar se avioni i Azerbaijan Airlines ndryshoi rrugëtimin e tij për shkak të mjegullës në Grozni.

 

S.B/K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!