Një nga regjisorët e rinj më të suksesshëm në Kosovë, Qëndrim Rijani, i cili pak kohë më parë solli në Tiranë veprën e mirënjohur të Alfred Hitchcock-ut “39 Hapat”, shprehet se ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar nuk e dëshirojnë vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por e gjithë shqiptaria, sepse siç thotë ai: “Një projekt në Teatrin Kombëtar e quajmë si arritjen më të madhe tonën ndër Shqiptari”. Rijani shprehet se një Teatër i ri Kombëtar është kërkuar më shumë se 38 vjet më parë edhe nga “të mëdhenjtë e të mëdhenjve, artistët e historisë dhe arritjeve, të cilëve ne sot iu referohemi”.
Prononcimi i plotë i tij:
“Po e filloj duke ju referuar një shkrimi nga i nderuari Bedri Islami: “Pak vite, para se Enver Hoxha të ndahej nga jeta, në një mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror, kur po diskutohej edhe për artin, veçmas për Teatrin, ishin të ftuar edhe artistët e mëdhenj, mes tyre edhe Kadri Roshi e Sandër Prosi. Në atë mbledhje të Sekretariatit, aktorët, mes të tjerash, i kërkuan dy gjëra: kur të jenë me xhirime filmash, të kenë një dietë më të madhe, sepse pasioni, çasti, rrëmbimi, duan trajtim ndryshe - kërkesë që nuk iu plotësua - gjithashtu, kërkuan ndërtimin e një teatri të ri.
Enver Hoxha u ktheu përgjigjen e përhershme, se tani për tani shteti nuk ka paratë e nevojshme për një teatër të ri, se jemi përballë bllokadës etj, fjalë të kësaj natyre. Sidoqoftë, u premtoi se kur të zgjidheshin halle të tjera, do i vinte rradha edhe teatrit të ri popullor, si quhej asaj kohe”.
Pra, Teatrin e Ri e kërkuan ata, të mëdhenjtë e të mëdhenjve, artistët e historisë dhe arritjeve, të cilëve ne sot iu referohemi. U kërkua ai Teatër i Ri, 38 vitë me parë, të cilin ende ne sot nuk e kemi. Besoj shumë që Shqipëria dhe të gjithë ne shqiptarët që vazhdimisht sytë i kemi tek ai Teatër Kombëtar dhe vazhdojmë ta konsiderojmë një projekt në Teatrin Kombëtar si arritjen më të madhe tonën ndër Shqiptari, ka dhe kemi nevojë për një Teatër të Ri. Teatri Kombëtar ka nevojë që të vazhdojë të ketë në pronësi çdo pëllëmbë të tokës të cilën posedon sot. Dhe Teatri i Ri Kombëtar do të ketë nevojë për aktor, regjisor, skenograf, kostumograf, kompozitor, etj... të cilët do të arrijnë të shfrytëzojnë dhe menaxhojnë të gjitha mundësitë, që do ofrojë një teatër dinjitoz dhe vazhdimisht do të ofrojnë produkte artistike dinjitoze, pa u fshehur pas formulës së famshme: “Mungesa e kushteve bëri që mos arrijmë të gjitha qëllimet”.