TIRANE- Regjistrimi online në Universitete do të mbyllet sot në mbrëmje. Ministria e Arsimit mori dje vendim të shtyjë deri sot regjistrimin, pasi deri në orën 18:00 të ditës së djeshme, e dielë ishin regjistuar 21. 000 kandidatënga 27 647 që do të pranohen në ciklin e studimeve me kohë të plotë.

Fituesit do të kenë mundësi të regjistrohen në portalin e Agjencisë Kombëtare të Provimeve dhe MASH deri në orën 23:00 të mbrëmjes. Pas kësaj të dhënat do të hidhen në sistemin e AKP-së nga ku do të përjashtohen kandidatët të cilët nuk janë bërë pjesë e procesit. Lista përfundimtare do të shpallet më 1 tetor.

RISHPERNDARJA E KUOTAVE

Por kuotat që do të mbeten bosh nga kjo faze e parë regjistrimesh, do të rishpërndahen. Kjo do të thotë që lista e fituesve do të zhvendoset me aq vende sa kanë mbetur të lira në çdo fakultet. Për këtë arsye, lista përfundimtare e fituesve është ajo që do të shpallet me datë 1 tetor. Sipas udhëzimit të ministrisë së Arsimit, universitetet, deri në orën 14:00, të datës 25 shtator 2012, të dorëzojnë në AKP, listën origjinale të fituesve të regjistruar në sekretaritë mësimore, në formë të shkruar dhe elektronike, në dy kopje. Kandidatët, të cilët nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda afatit, për çfarëdo lloj arsye, humbasin të drejtën e regjistrimit dhe të vazhdimit të procesit. Këta kandidatë nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve. Në bazë të regjistrimeve paraprake të kryera dhe të vendeve të paplotësuara, më 1 tetor 2012 shpallet lista përfundimtare e kandidatëve fitues në faqen zyrtare të MASH-it. Kjo listë u çohet universiteteve, të cilët duhet t'a afishojnë brenda datës 2 tetor. Ndërkohë që po sipas udhëzimit të ministrisë, auditoret e universiteteve publike do të hapen për të pritur 27 mijë studentët me datë 8 tetor

TARIFA E REGJISTRIMIT

Një tjetër risi e regjistrimit të kandidatëve on-line këtë vit akademik ka të bëjë edhe me pagesën e tarifës së regjistrimit. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kjo pagesë do të bëhet në sekretaritë mësimore të fakulteteve nga datat 08-13 shtator 2012 prej orës 08:00-18:00, të cilat do të pranojnë dokumentacionin plotësues për të gjithë kandidatët fitues. "Kandidatët dorëzojnë personalisht dokumentacionin plotësues të mëposhtëm: dokument identifikimi (pasaportë ose kartë identiteti, në sekretari mbahet vetëm fotokopja e njërit prej këtyre dokumenteve), 2 fotografi si dhe mandat arkëtimi i faturës prej 1.600 lekësh të reja.
(sg/shqiptarja.com)