PRISHTINË, 27 Shkurt/ATSH/.- Agjencia e Statistikave të Kosovës ka prezantuar rezultatet paraprake të regjistrimit të bujqësisë në Kosovë, ku nuk është përfshirë veriu i Mitrovicës.
KosovaPress informon se, sipas rezultateve janë 129 mijë e 220 ekonomi bujqësore që kishin aktivitet bujqësor në vitin 2013-2014, në një sipërfaqe të përgjithshme të tokës së punueshme prej 257 mijë e 639 hektarë.
Nga të pranishmit në këtë prezantim u tha se ky paraqet një hap të rëndësishëm dhe shumë të nevojshëm për Kosovën, për të parë në detaje gjendje aktuale sa i përket bujqësisë në vend.
Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasniqi tha se, qëllimi i këtij regjistrimi ishte që të dihet më saktësi struktura e ekonomive bujqësore në vend.
Sipas tij, "regjistrimi është vendimtar për zhvillimin e politikave bujqësore".
Regjistrimi i bujqësisë 2014 ishte regjistrim i parë i bujqësisë pas 54 vjetesh. Rezultatet paraparke të Regjistrimit të Bujqësisë përfshijnë të dhënat e 34 komunave. Ndërkaq, katër komunat në veri të Republikës të Kosovës kanë refuzuar regjistrimin./m.m/












