Rehatia, në plan të dytë
kur bëhet fjalë për modën

Rehatia, në plan të dytë <br />kur bëhet fjalë për modën
Përzgjedhja e këpucëve që veshim është shumë e rëndësishme. Disa individë parapëlqejnë komoditetin karshi të bukurës. Ndërkohë që për të tjerë, blerja e këpucëve përfaqëson kryesisht një çështje kombinimi. Rehatia dhe shëndeti i këmbëve kalon në plan të dytë kur bëhet fjalë për të ndjekur modën. Por mendojeni kështu: këmbët mbajnë peshën e të gjithë trupit dhe, në të njëjtën kohë, sjellin përfitime të mëdha sepse transportojnë të gjithë trupin nga një vend në tjetrin. Megjithatë këmbët ndoshta janë një nga pjesët e trupit për të cilën kujdesemi më pak. Prandaj është e rëndësishme të zgjedhim këpucë të përshtatshme dhe të shmangim problemet e shëndetit.
Normalisht, gjatë qëndrimit në pozicion vertikal, thembra është pjesa e këmbës që mban peshën më të madhe. Gjatë përdorimit të takave, kjo peshë bie mbi pjesën e përparme të shputës së këmbës dhe mbi gishta. Kjo do të çojë në deformimin e gishtave të këmbës si pasojë e peshës që duhet të mbajnë mbi vete, ashtu si dhe në inflamacionin e nervave përreth. Presioni kronik mund të çojë dhe në fraktura.
Përdorimi i takave mund të kontribuojë në konsumimin e indit kërcor që ndodhet në vendin e bashkimit të dy kockave, pra në artikulacion. Me konsumimin e indit kërcor, kockat fërkohen njëra me tjetrën dhe dëmtohen. Kjo sëmundje njihet me termin osteoartrit.
Të gjitha këpucët e larta bartin problemin e ndrydhjes së kyçit të këmbës. Ky problem mund të shkojë deri në këputjen e ligamenteve të kyçit.
Në rast se ju jeni mbipeshë, atëherë kujdesi që duhet të keni ndaj këmbëve duhet të jetë akoma më i madh. Duke ecur mbi taka, këmbët tuaja mbajnë gati katër fishin e peshës suaj.
Megjithatë këpucët nuk ndikojnë vetëm mbi këmbët tuaja, por dhe në pjesë të tjera të trupit si gjunjtë dhe kurrizi. Mendohet se përdorimi i takave të larta përbën një atentat të vërtetë ndaj shëndetit të gjunjëve sepse dhe këtu ndodh konsumimi i indit kërcor të këtij artikulacioni. Prandaj, sa herë që do të veshësh taka mos harro që gjuri përfaqëson një artikulacion me strukturë të ndërlikuar, i cili kur dëmtohet, kërkon shumë kohë dhe përpjekje për t’u rikuperuar.
As kurrizi nuk i shpëton efekteve të dëmshme të këpucëve të larta. Përdorimi i tyre çon në adoptimin e disa qëndrimeve të veçanta në mënyrë që të shmanget parehatia dhe dhimbja e këmbëve. Në rast se kurrizi juaj iu dërgon sinjale të dhimbshme, mendojeni dy herë përpara se të bleni taka të larta. Do të shmangni probleme të mëdha.
Nga ana tjetër, dhe këpucët shumë të sheshta mund të shkaktojnë probleme për shëndetin e këmbëve. Një prej tyre është fasciiti plantar. Një fashë indore, që quhet fascia plantare, përshkon shputën e këmbëve. Përdorimi i këpucëve që nuk ofrojnë një mbështetje të përshtatshme për harkun e këmbës çon në tërheqjen e tepërt apo inflamacionin e saj. Kjo sëmundje që takohet shpesh shkakton dhimbje në thembër të cilën pushimi e lehtëson vetëm përkohësisht.
Sipas llojit të këpucës edhe problemi
Taka të larta
Takat po bëhen gjithmonë e më të larta. Por si takat marramendëse, ashtu dhe ato të mesme, njihen se mund të shkaktojnë një nyje të dhimbshme në pjesën e sipërme të thembrës. Termi mjekësor është deformimi i Haglund. Materiali rigid ushtron presion mbi deformimin kockor dhe mund të shkaktojë flluska në lëkurë, ënjtje, bursit ose dhimbje në tendinin e Akilit. Akulli dhe mbrojtëse e thembrës, së bashku me një palë këpucë më të mira, mund të ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjes. E dala kockore është e përhershme.
Zgjidhja: Ec ulët
Veshja e këpucëve të sheshta do të shmangë problemet me kockat e pjesës së përparme të këmbës, metatarset. Sa më të sheshta të jenë këpucët, aq më natyral do të jetë pozicioni i këmbës suaj.
Stiletto
Kështu quhen këpucët me takë shumë të lartë dhe shumë të hollë. Dëmi i shkaktuar nga kjo lloj take është akoma më i madh, duke qenë se sipërfaqja mbështetëse është shumë e vogël.
Zgjidhja: Taka të trasha
Nëse nuk shkëputeni dot nga takat apo kërkoni lartësi, atëherë është më mirë të zgjidhni taka të trasha, të cilat e shpërndajnë peshën në formë më të barabartë. Kjo e bën ecjen më të qëndrueshme. Pavarësisht se dhe takat e trasha mund të bëjnë që të ushtrohet presion mbi pjesën e përparme të këmbës, ato ulin nivelin e dridhjes së këmbës gjatë mbështetjes në tokë.
Balerinat
Jo vetëm takat, por dhe këpucët shumë të sheshta krijojnë probleme në këmbë. Ndonjëherë të ecësh me këto lloj këpucësh është si të ecësh zbathur, pa amortizim. Për më tepër nuk kanë një strukturë ku mund të mbështetet harku i këmbës. Kjo çon në një funksionim jo të mirë të këmbës dhe në probleme të gjurit, dhe kurrizit. Pamundësia për të mbështetur harkun e këmbës mund të çojë në fascit plantar.
Zgjidhja: Shtrojat plantare
Shtrojat që vendosen në pjesën e brendshme të këpucës mund të blihen në farmaci dhe ndihmojnë në parandalimin e dhimbjes së pjesës së mesme të këmbës.
Shapkat
Shapkat “me gisht” ofrojnë shumë pak mbrojtje. Rreziku për ndrydhje apo dëmtim të këmbës është më i madh kur këmbët janë kaq të ekspozuara. Individët që vuajnë nga diabeti nuk duhet të veshin shapka, pasi prerjet apo gërvishtjet e thjeshta mund të çojnë në ndërlikime serioze.
Zgjidhja: Shapka “të gdhendura”
Shapkat të cilat nuk e kanë tabanin e sheshtë ofrojnë një mbështetje të mirë për harkun e këmbës. Për më tepër, një takë ortopedike jep më shumë amortizim gjatë ecjes. Disa prej këtyre shapkave kanë një shënim që thotë se janë të pranuara nga shoqata mjekësore.
Këpucët me plataformë
Këpucët me plataformë zakonisht janë rigide. Fortësia e tyre nuk ndihmon biomekanizmin e ecjes. Këmba juaj mundohet të përkulet, por këpuca nuk e lejon. Në rast se pjesa e thembrës është shumë më e lartë se ajo e gishtave, atëherë dhe në këtë rast ka probleme me zhvendosjen e mbajtjes së peshës.
Zgjidhja: Plataforma më të sheshta
Kërkoni një këpucë me plataformë të gjerë që ta mbajë këmbën sa më paralel me tokën. Megjithatë, tabani i fortë vazhdon të mbetet problem.
Këpucët me majë
Majat e ngushta të këpucëve bëjnë që pjesa e përparme e këmbës të ngjishet. Pas një farë kohe kjo shkakton dëmtim të gishtit të dytë, të nervave, fshikëza në lëkurë dhe hallux valgus (shmangie e gishtit të madh të këmbës anash). Disa gra kanë mavijosje poshtë thonjve për shkak të presionit të qëndrueshëm.
Zgjidhja: Zgjeroni majën
Duhet të zgjidhni këpucë me majë më të gjerë. Për më tepër, mundohuni që pjesa e përparme e këpucës të mbulojë gjithë gjatësinë e gishtave dhe përdorni këpucë me materiale të buta.
Numri i gabuar i këpucës
Nëntë në dhjetë gra përdorin këpucë më të vogla se numri i tyre. Pasojat nuk janë dhe aq të këndshme; kallo, fshikëza në lëkurë, shmangie anash të gishtit të madh dhe probleme të tjera. Fërkimi i vazhdueshëm mund të irritojë artikulacionet dhe të çojë në artrit. Kërkimet tregojnë se dhe një pjesë e mirë e fëmijëve mbajnë këpucë me numër të gabuar, çka i vë ata në rrezik për të zhvilluar deformime në këmbë gjatë rritjes.
Zgjidhja: Masni këmbën
Përpara blerjes së këpucëve të reja, bëni një matje profesionale të gjatësisë dhe gjerësisë së këmbës tuaj në fund të ditës dhe në pozicion në këmbë. Në rastet kur ka probleme me harkun e këmbës (hark i sheshtë ose hark i lartë) duhet të konsultoheni me një mjek ortoped.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza