TIRANE - Pas denoncimit për shpenzimet e Ministrisë së Mbrojtjes, asaj të Punëve të Brendshme apo Ministrinë e Transporteve, për të reklamuar veten në televizionet pranë qeverisë, një tjetër fakt të ri që deputeti i PS Eduard Shalsi shtroi sot para mediave, është edhe akuza ndaj Ministrisë së Integrimit e cila ka dhënë 170 mijë dollarë për realizime dhe transmetime spotesh. Për këto akuza të reja, Shalsi iu referua edhe Drejtorisë së Rrugëve, e cila sipas tij ka shpenzuar 18.9 milionë lekë, duke ia dhënë të gjitha spotet kompanisë Promo e Edi Frangaj.

Partia Socialiste denoncoi pastaj heshtjen e qeverisë për skandalin e reklamave shtetërore. Sipas Shalsit, reagimi i një dite më parë nga zëdhënësja e Ministria e Transporteve nuk zbardh abuzimet me reklamat dhe për këtë duhet përgjigja e kryeministrit Berisha. Shalsi tha sot se vetëm Ministria e Integrimit ka shpenzuar 170 mijë dollarë për spotet, të cilat i janë shpërndarë mediave pro qeveritare nëpërmjet një agjencie. Sipas Shalsit paradoksi qëndron në faktin se firma që fitoi këtë tender prej 170.000 dollarësh (edhe ajo afër PD-së) është dënuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të paguajë 90.000 dollarë për dëmet e shkaktuara Shtetit, shumë të cilën nuk e ka paguar asnjëherë.

Deklarata e Eduard Shalsi erdhi menjëherë pas një njoftimi për shtyp nga zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi ku në fjalët e saj nuk u përmend asgjë në lidhje me këtë fakt. “Qeveria nuk iu përgjigj akuzave tona kur vendosi në gojën e zëdhënëses shpjegime absurde”, u shpreh deputeti Shalsi.

Sipas tij, heshtja e Partisë Demokratike “tregon se kjo qeveri përballë të vërtetës lakuriqe të këtij zbulimi të pashoq, nuk ka me çfarë të mbrohet dhe nuk ka asnjë argument”, ndërsa vijoi se “duket dashur të manipulojnë të pamanipulueshmen këta individë të papërgjegjshëm kërkojnë të tallen me shqiptarët”.

“Zëdhënësja e PD-së nuk mohoi që Ministria e Mbrojtjes i kishte lënë 100 % të fondeve Frangajve, që Ministria e Brendshme i kishte dhënë miliona euro po prap Frangajve, apo që 2/3 e fondeve të Ministrisë së Transporteve i kanë marrë vetëm 4 media, ndërsa 17 të tjera kanë marrë vetëm 1/3”, tha Shalsi.

Sipas tij Sokol Olldashi i Ministrisë së Transporteve duhet të përgjigjet para drejtësisë për 500 mijë dollarët që ka financuar gazetën RD. “Me Olldashin duhet të merret shumë shpejt drejtësia, ai duhet të japë llogari dhe të përgjigjet se me çfarë kurajo ka financuar gazetën RD me 500 mijë dollarë, ku kanë shkuar këto para, çfarë aktivitetesh kanë financuar”, janë pyetjen që ngre Shalsi në lidhje me reklamat shtetërore.

Ndërkaq, në përfundim të deklaratës së tij, deputeti Eduard Shalsi, tha se “tani është koha të dalë në skenë Sali Berisha, të mos fshihet, t’i shpjegojë shqiptarëve se përse janë shpërdoruar paratë e tyre”.

Redaksia Online


(Gre.M/Shqiptarja.com)