Qeveria prezantoi rekomandimet për SPAK-un dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për vitin 2026, në 8 fusha kryesore dhe të fokusuara te lufta kundër krimit financiar, pastrimit të parave dhe evazionit fiskal. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, vlerësoi arritjet e SPAK gjatë vitit 2025, duke thënë se Prokuroria e Posaçme ka rritur me 19.8% hetimet e nisura kryesisht, ndërsa ka ulur me 78% stokun e dosjeve të mbartura.

Gogu theksoi se rekomandimet fokusohen tek fushat ku ka ende hapësira për përmirësim, siç janë forcimi i hetimeve financiare, një fushë ku qeveria kërkon më shumë rezultate nga prokuroritë. Gogu tha se evazioni fiskal nuk duhet parë vetëm si shkelje tatimore, por si kërcënim për konkurrencën e ndershme dhe rendin ekonomik, ndaj kërkohet shtim i hetimeve proaktive nga prokuroritë.

“Risitë e rekomandimeve për vitin 2026 do t’i përmblidhja në tre shtylla. E para lidhet me evazionin fiskal, i cili nuk duhet parë thjesht si një çështje tatimore, por si një element themelor për rendin ekonomik dhe konkurrencën e ndershme. Kjo do të kërkojë intensifikimin e hetimeve proaktive nga prokuroritë”, tha Gogu.

Një tjetër prioritet është lufta kundër krimit kibernetik dhe pastrimit të parave. Sipas ministrit, sot pastrimi i parave kryhet gjithnjë e më shpesh përmes kriptovalutave, ndërsa mashtrimet zhvendosen në platformat online. Për këtë arsye, qeveria kërkon ngritjen e njësive të specializuara brenda prokurorive, të afta për të hetuar dhe ndjekur në mënyrë efektive këto forma moderne të krimit.

“Shtylla e dytë lidhet me krimin kibernetik dhe format e reja të kriminalitetit. Sot, pastrimi i parave kryhet gjithnjë e më shpesh përmes kriptovalutave, ndërsa mashtrimet zhvillohen në platforma online. Për këtë arsye, në rekomandimet për vitin 2026 kërkojmë ngritjen e njësive të specializuara brenda prokurorive, të afta për të hetuar dhe ndjekur në mënyrë efektive këto forma moderne të krimit”, tha Gogu.

Rekomandimet e vitit 2026 vendosin fokus të shtuar edhe te kriminaliteti rrugor, duke kërkuar angazhim më të madh nga prokuroritë dhe institucionet ligjzbatuese.

“Së treti, lidhet me kriminalitetin rrugor, i cili sipas rekomandimeve për vitin 2026 duhet të trajtohet me një fokus më të shtuar nga organet e drejtësisë”, theksoi Gogu.

Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, tha se sfidat e reja në luftën kundër krimit kërkojnë investime shtesë, më shumë buxhet dhe teknologji moderne.

“Sfidat e reja duhet që të shoqërohen edhe me mbështetje buxhetore, që të luftohet pastrimi i parave”, tha Braho.

Ai theksoi se krimi i organizuar tashmë vepron përtej kufijve kombëtarë dhe se lufta kundër korrupsionit nuk mund të fitohet nga një institucion i vetëm.

“Lufta ndaj krimit e korrupsionit nuk mund të bëhet vetëm nga një institucion i vetëm. Duhet një bashkëpunim gjithnjë e më i madh me Policinë e Shtetit dhe të gjitha institucionet e tjera”, deklaroi kreu i SPAK-ut.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, tha se rekomandimet e qeverisë përbëjnë një mekanizëm të rëndësishëm koordinimi mes institucioneve në luftën kundër krimit dhe do të reflektohen në planet e veprimit të prokurorive.

Çela veçoi si arritjen kryesore rezultatet në hetimet financiare dhe sekuestrimin e pasurive me origjinë kriminale.

“Në vitin 2024 u sekuestruan mbi 60 milionë euro dhe në vitin 2025 mbi 40 milionë euro asete”, tha ai.

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm, këto rezultate janë arritur pavarësisht faktit se prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm funksionojnë me vetëm 50-60% të kapaciteteve të tyre.