Kryetari i Grupit Parlmanetar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas takimeve që zhvilloi në Estoni dhe në Berlin, tha se në procesin që pason rekomandimin e KE-së është shumë e rëndësishme mbështetja që japin parlamentet e vendeve anëtare.
“Në disa prej vendeve, sigurisht ndër to Gjermania apo Franca, ky proces kalon edhe përmes konsultimit të parlamenteve. Prandaj bashkë me kryetarin e Parlamentit Ruçi morëm pjesë në samitin e rëndësishëm të drejtuesve më të lartë të dhomave të deputetëve apo të senateve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, pikërisht për të intensifikuar komunikimin lidhur me vendimarrjen shumë të rëndësishme të Këshillit Europian për vendosjen, për përcaktimin e një date për fillimin e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian”, tha Balla.
Sipas Ballës, shumë prej kryetarëve të parlamenteve kanë vlerësuar hapat e rëndësishëm që Shqipëria ka bërë gjatë dy viteve të fundit në përmbushjen e prioriteteve kyçe.
“Jam shumë krenar të konstatoj që mes shumë kryetarësh parlamentesh që kemi kontaktuar, konstatojmë një vlerësim të hapave të rëndësishëm që Shqipëria ka bërë gjatë dy viteve të fundit, kryesisht në përmbushjen e prioriteteve kyçe. Vlerësim maksimal për ecurinë e procesit të implementimit të reformës në drejtësi po ashtu, në mënyrë të veçantë për Vettingun, i cili konsiderohet si një prej hapave më të rëndësishëm që ka hedhur Shqipëria drejt përafrimit me Bashkimin Europian. Kujtoj faktin që dy prej kapitujve më të rëndësishëm, kapitulli 23 dhe 24, pikërisht kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës dhe sigurisht me funksionimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri”, deklaroi Balla.