LETRAT ME VLERE
Në ankandin e rradhë, të zhvilluar dje në mjediset e Bankës së Shqipërisë për llogari të ministrisë së Financave, është shënuar një rritje e interesit për obligacionet 3-vjeçare, nga ajo që synonte qeveria. Në njoftimin paraprak të dikasterit thuhej se kuponi vjetor për këtë interes mendohej të ishte në nivelin 8.65 për qind, ndërkohë që janë paraqitur më pak kërkesa nga operatorët dhe individët, duke bërë që ky interes të fiksohej përfundimisht në 9.01 për qind në vit. Në njoftimin zyrtar për ankandin thuhet se, nga 3 miliardë lekë obligacione, që synonin të shisnin Financat, në fakt janë shitur vetëm 2.749.150.000 lekë. Në këtë mënyrë, interesi është rritur me të paktën 4 për qind, nga ajo çka ishte dakord të pranonte qeveria.
BORXHI I BRENDSHEM
Ankandet e fundit të bonove të thesarit, deri në fund të muajit të kaluar, u duk se qetësuan pjesërisht tregun e brendshëm financiar, duke sjellë një stabilizim të interesave dhe ofertë disi më të lartë për të financuar borxhin e kërkuar nga qeveria. Me obligacionet me maturim 2-vjeçar qeveria arriti të siguronte të gjithë borxhin e kërkuar prej 3 miliardë lekësh, ndërkohë që oferta për financim kaloi vlerën e 4 miliardë lekëve. Interesi ra në 8.59%, nga 8.7% që kishte qënë në ankandin paraardhës.
I suksesshëm rezultoi edhe ankandi për bonot me maturim 12-mujor. Qeveria arriti të marrë një borxh prej rreth 10.1 miliardë lekësh, vlerë kjo më e lartë se shuma e shpallur dhe që plotësoi një pjesë të borxhit që nuk u arrit të sigurohej në ankandin e mëparshëm. Oferta për financim arriti gjithsej në 12.4 miliardë lekë. Interesi njohu një rritje mjaft të lehtë në 7.34%, nga 7.32% që kishte qënë në ankandin paraardhës. Por, ndërkohë qeveria nuk arriti të siguronte me sukses edhe borxhin prej 4.7 miliardë lekësh që ishte programuar të merrej përmes bonove me maturim 6-mujor. Vlera e borxhit të siguruar u ndal në 4.2 miliardë lekë, ndërsa interesi mesatar i ponderuar u rrit në 6.2%, nga 6.08% që kishte qënë në ankandin paraardhës.
U duk se ankandet e fundit zbutën disi shqetësimin për vështirësitë e sigurimit të borxhit në tregun e brendshëm, por pasiguria në treg nuk ka ndërmend të largohet. Një pjesë e grupeve të huaja bankare ju kanë kërkuar bankave të tyre të kufizojnë ekspozimin në borxhin publik, si pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse, pas krizës së borxheve sovrane në Eurozonë. Kjo do të rezultojë sërish me një ulje potenciale të ofertës në tregun e letrave të borxhit të qeverisë.
ANKANDI
Ndërkohë, ministria e Financave njoftoi se ditën e martë, më datë 12 prill, do të zhvillohet ankandi i bonove 6-mujore dhe 12-mujore. Shuma e përgjithshme e synuar për bonot me afat 6-mujor maturimi është 7.5 miliardë lekë, ndërsa ajo e bonove njëvjeçare është 10.2 miliardë lekë, në total një shumë e barabartë me rreth 127 milionë euro.
(aq/shqiptarja.com)