Relacioni i 1967, ja se si shpëtuan
pa u shembur 77 kisha e xhami

Relacioni i 1967, ja se si shpëtuan<br />pa u shembur 77 kisha e xhami
TIRANE- Ndërsa u propozua heqja nga lista e monumenteve të kulturës dhe tjetërsimi i tyre pa u dokumnetuar, i njw varg kishash e xhamish, në vitin 1967, në periudhën më të egër të luftës ndaj klerit, regjimi diktatorial, mendoi sidoqoftë që disa objekte kulti duheshin ruajtur si monumente kulture. 

Sot po sjellim listën e këtyre 77 objekteve që patën fatin t’i shpëtojnë rrënimit në vitin 1967. Për seicilin objekt specialistët që i kanë shqyrtuar me kujdes, japin argumentet dhe vlerat e tyre duke theksuar se duhen ruajtur si pasuri e trashëgimisë. 
Gazeta sjell të plotë listën e këtyre objekteve kulti së bashku me shpjegimet përkatëse mbi vlerat dhe gjendjen reale të tyre në atë kohë.  

(Vijon nga dje)    Lexoni këtu numrin paraardhës të Dossierit
 
LISTA E MONUMENTEVE TË KULTIT QË PROPOZOHEN PËR T’U RUAJTUR
     I. Godina Kulti
     Rrethi i Beratit
     1. Kisha e Sh. Mërisë Vllahernës në kala të Beratit. Ruhet për arkitekturën e stilit bizantin të shek. XIII dhe për afresket me shumë vlerë të Nikollës (Onufrit) (1578). Është një kishë shumë e vogël; nuk përdoret prej disa vitesh.
     2. Kisha e Sh. Triadhës në kala të Beratit. Është shumë e vogël; ruhet për arkitekturën bizantine dhe për pikturë murale paraturke (shekujt XII-XIV). Ka vite që nuk përdoret.
     3. Kisha e Sh. Todhrit në Kala të Beratit. Është një kishë shumë e vogël, që nuk funksionon prej kohësh; ka afresket me vlerë shumë të madhe të Onufrit (shek. XVI).
     4. Kisha e Sh. Mihillit (lagje Mangalem) ruhet për arkitekturën bizantine dhe për lidhjen me ambientin që e rrethon. Është e shek. XIII-XIV. Nuk përdoret.
     5. Xhamia e Beqarit (lagje Mangalem). Ruhet në arkitekturën e vet karakteristike dhe pikturën murale (shek. XVIII). Ka kohë që nuk përdoret.
     6. Xhamia e Plumbit, ruhet për arkitekturën e vet dhe si një ndër xhamitë më të vjetra (shek. XVI), ka kohë që nuk përdoret.
     7. Teqeja e Helvetive, ka vlerë për arkitekturën e vet karakteristike të shek. XVIII dhe për punimet artistike në dru. Sot përdoret për bandën muzikore të qytetit (shek. XVIII).
     8. Kisha e Sh. Kollit (fshati Perondi). Ruhet për arkitekturën e periudhës paraturke (shek. XIII-XIV). Tani përdoret si depo e kooperativës.
     9. Katedralja në Kala. Ruhet për gdhendjet në dru (ikonostase).
 
     Rrethi i Durrësit
     10. Kulla e Sahatit me persistelin e xhamisë (pa xhaminë) (shek. XVIII). Ruhen për arkitekturën e tyre dhe si kompleks mjaft i bukur.
 
Rrethi i Elbasanit
11. Kisha e Shënepremtes (fshati Valësh). Ka pikturë murale me shumë vlerë të Onufrit (1554).
12. Kisha e Shën Kollit (fshati Shelcan), ruhet për afresket me shumë vlerë të Onufrit.
13. Xhamia e Nazireshës në Elbasan (shek. XVI-XVII). Ruhet për arkitekturën dhe si një ndër ndërtimet myslimane më të vjetra në vendin tonë. Është e braktisur prej kohësh.
14. Kisha e Shën Mërisë në lagjen Kala. Ruhet për ikonostasin e saj me vlerë.
 
 
Rrethi i Ersekës
15. Kisha e Shën Mërisë (fshati Lashovë). Ruhet për arkitekturën e veçantë si bazilikë dykatëshe dhe për ikonostasin me vlerë artistike të dorës së parë. Është e shek. XVIII. Kisha ka kohë që nuk përdoret, fshati ka dhe kisha të tjera.
16. Kisha e Shën Mërisë (shek. XVI) (fshati Barmash). Ruhet për arkitekturën e saj të veçantë njenefshe, me mbulesë prej pesë kubesh. Nuk funksionon prej kohësh. Ndodhet jashtë fshatit, që ka dhe kisha të tjera.
17. Kisha e Shënepremtes në Çikallesh (Kavajë). Ruhet për gdhendjet në dru.
 
Rrethi i Fierit
18. Manastiri i Shën Mërisë mbi fshatin Pojan (Apolloni). Ruhet për arkitekturën si i vetmi tip në Shqipëri dhe për pikturën murale. Ka kohë që nuk funksionon si ndërtesë kulti.
19. Kisha e Shën Kollit me muret rrethuese e shek. XIII-XV (fshati Kurjan). Ruhet për arkitekturën e saj specifike dhe për pikturën murale të Joanit dhe Nikollës të shek. XVI. Fshati është mysliman dhe kisha ndodhet e braktisur.
 
Rrethi i Gjirokastrës
20. Manastiri i Shën Siriakut dhe Julitës i shek. XVI (fshati Dhuvjan). Ruhet për arkitekturën e stilit bizantin dhe për pikturën murale. Konakët paraqiten interesantë për studimin e tërë kompleksit. Nuk përdoret, ndodhet jashtë fshatit, që ka edhe kisha të tjera.
21. Kisha e manastirit të Shën Kollit të Spilesë e shek. XVII (fshatin Saraqinisht). Ruhet për arkitekturën interesante postbizantine dhe për afresket. Ndodhet 2-3 orë larg fshatit dhe e braktisur.
22. Kisha e manastirit të Sh. Thanasit e shek. XIII-XIV (Poliçan). Ruhet për arkitekturën dhe për pikturën e vjetër nën suva.
23. Kisha e manastirit të Shpërfytyrimit e shek. XVII (fshatin Çatishte). Ruhet për arkitekturën interesante dhe origjinale si dhe për pikturat murale. Ndodhet shumë larg fshatit dhe krejtësisht e braktisur nga popullsia.
24. Kisha e manastirit të Profet Ilisë e shek. XVII (fshati Jorgucat). Ruhet për arkitekturën e tipit triabsidale, me qemerë dhe për pikturën murale. Ndodhet 3 orë mbi fshatin; është e braktisur prej vitesh nga fshatarët.
25. Manastiri i Shën Mërisë mbi fshatin Goranxi. Ndërtuar më 1600. Ruhet për arkitekturën postbizantine me elemente romanike dhe për pikturën e shek. XVIII. Gjendet 2 orë larg fshatit.
 
26. Kisha e Panajotopullës e shek. XVI (fshati Derviçan). Ruhet për arkitekturën e saj origjinale. Është e braktisur prej shumë kohësh nga popullsia.
27. Kisha e Shën Mërisë (fshati Konokë). Ruhet si bazilikë e shek. XVIII dhe për pikturën e saj murale. Nuk përdoret.
28. Kisha e Shën Mërisë (fshati Skore). Është e shek. XVIII. Ruhet si bazilikë trinefshe me kubeja dhe për ikonostasin, vepër artistike e dorës së parë.
29. Kisha e Shën Thanasit të Mazhanit e shek. XIV (fshati Poliçan). Ruhet për arkitekturën paraturke (bazilikë me kupolë) dhe për pikturën e saj murale. Nuk përdoret si godinë kulti.
30. Kisha e Shën Mërisë në labovë të Kryqit. Ruhet për vlerën e saj shumë të madhe arkitektonike dhe për pikturën e saj. Është e shek. XII.
31. Kisha e Shën Mërisë e shek. XVI (fshati Korvat). Ruhet për arkitekturën e saj postbizantine të veçantë dhe për pikturën e saj të shek. XVIII.
32. Kisha e Shën Mërisë në Peshkopi të sipërme. Është e shek. XII. Ruhet për arkitekturën e vet interesante paraturke dhe për pikturën murale.
33. Kisha e Shën Mërisë (fshati Vllaho-Goranxi). Ruhet për arkitekturën bizantine dhe për pikturën e saj të shekullit XVI.
34. Kisha e Sopikut. Ruhet për gdhendjet me vlerë në dru.
35. Kisha e Selckës. Ruhet për gdhendjet me vlerë në dru.
 
Rrethi i Korçës
36. Kompleksi i manastirit të Shën Pjetrit mbi Vithkuq. E shek. XVIII. Ruhet për pikturën murale të piktorëve shqiptarë Kostandin Athanasi dhe Kostandin Shpataraku; ka arkitekturë interesante edhe punimet në dru dhe me vlerë të madhe. Ndodhet rreth 1 orë jashtë fshatit. Është e braktisur prej kohësh.
37. Manastiri i Shën Prodhomit (Voskopojë). Ruhet për arkitekturën e tij të veçantë në rrethin e Korçës dhe për pikturat me vlerë të tij 1634. Përdoret për spital nga ushtria.
38. Kisha e Shën Thanasit (Voskopojë). Ruhet për arkitekturën e vitit 1724 dhe pikturën e viteve 1744 e 1790. Nuk përdoret si ndërtesë kulti.
39. Kisha e Shën Kollit (Voskopojë). Ruhet për afresket me shumë vlerë të piktorit të madh shqiptar David Selenicasi (1726), nuk përdoret.
40. Kisha e Shën Mërisë (Voskopojë). Është ndërtuar në shek. XVII. Ruhet për arkitekturën dhe për pikturën e vitit 1712.
 
41. Kisha e Shën Jovanit e shek. XIII-XIV (Boboshticë). Ruhet për arkitekturën edhe për pikturën e shek. XVIII. Ndodhet në anë të fshatit, i cili ka edhe kisha të tjera, nuk përdoret.
42. Kisha e Ristozit (fshati Mborje). Nuk përdoret. Ruhet për arkitekturën e stilit bizantin dhe për pikturën e vitit 1389.
43. Xhamia e Iljaz Mirahorit (qyteti i korçës). Ruhet për arkitekturën e saj, si xhamia më e vjetër në Shqipëri (ndërtuar më 1401). Mund të jepet për përdorim.
44. Kisha e Shën Mërisë në Dushar të Oparit. Ruhet për arkitekturën e saj dhe për pikturat paraturke. Fshati është mysliman dhe kisha fare e braktisur.
45. Kisha e Shën Gjergjit (fshati Shipake). Ruhet për arkitekturën e saj si bazilikë me kube dhe për pikturën e saj interesante të shek. XVIII.
46. Kisha e Shën Triadhës në fshatin Lavdar të Oparit. Ruhet për arkitekturën e saj paraturke dhe për pikturat murale. Ndodhet pranë fshatit mysliman Tudas dhe është fare e braktisur.
47. Kisha e Shën Mitrit (fshati Besmisht). Ruhet për arkitekturën e saj paraturke (shek. XII-XIII) dhe për afresket e asaj kohe.
48. Kisha e Shën Venerandës (fshati Planë). Është e shekullit XVIII. Ruhet për afresket me vlerë të madhe. Ndodhet larg fshatit dhe e braktisur prej kohësh.
 
 Rrethi i Lushnjes
49. Kisha e manastirit të Shën Mërisë me gjithë muret rrethuese mbi fshatin Ardenicë. Është e shek. XVIII, ka vlerë të madhe arkitekturale, pikturale, historike dhe si ambient. Tani përdoret nga kooperativa.
50. Kisha e Shën Thanasit (fshati Karavasta). Ruhet si bazilikë dykatëshe, ka pikturë murale dhe gdhendje në dru.
 
Rrethi i Përmetit
51. Kisha e Shën Mërisë (Leusë). Ruhet për pikturën murale, arkitekturale dhe punimet në dru me vlerë mjaft të madhe. Fshati është i braktisur, ka 2-3 shtëpi.
52. Kisha e Shën Mërisë (Kosinë). Kisha e vjetër bizantine (shek. XIII) me vlerë nga ana arkitekturale.
53. Kisha e Shën Dëllisë (Bual). Është fare e braktisur. Ruhet si kishë bizantine e shek. XIII me piktura murale. Ndodhet jashtë fshatit, që ka dhe kisha të tjera.
54. Katedralja në Korçë. Ruhet për ikonostasin.
 
Rrethi i Mirditës

55. Kisha e manastirit të Rubikut – për afresket më të vjetra të datuara (shek. XIII) që ruhet në vendin tonë.
 
Rrethi i Pogradecit
56. Kisha e Manastirit të Shën marenës (Llëngë). Është e shek. XVIII, ka pikturë murale, punuar nga Kostandin Shpataraku dhe punime artistike në dru. Ndodhet një orë larg fshatit. Nuk përdoret.
 
Rrethi i Peshkopisë
57. Kisha e Shpërfytyrimit (Herbel) e shek. XIV. Ruhet si kishë paraturke me piktura murale. Nuk përdoret.
58. Kisha në Korçisht në pyll.
59. Xhamia e Allafebisë, shek. XVI.
 
Rrethi i Sarandës
60. Kisha e Manastirit të Shën Kollit pranë fshatit Dhiver. Është e shek. XVIII. Ruhet për arkitekturën e saj postbizantine dhe pikturat murale.
61. Kisha e Manastirit të Shën Thanasit (Leshnicë e Poshtme). Është e shek. XVIII. Ruhet për arkitekturën dhe pikturat interesante. Ndodhet jashtë fshatit.
62. Kisha e Shën Gjergjit e shek. XIII, (fshati Dema). Ruhet për arkitekturën me kube pa mbështetje në kolona, tip i rrallë ndër ne. Është e shek. XVIII. Ruhet për arkitekturën dhe pikturat interesante. Ndodhet jashtë fshatit.
63. Kisha e Shën Gjergjit (Leshnicë e sipërme). Ruan datën e ndërtimit dhe të pikturimit 1525 dhe paraqet vlerë artistike, ndodhet në një fshat që ka edhe kisha të tjera. Është braktisur.
64. Xhamia e Gjin Aleksit në fshatin Rusanj të Delvinës. Është e shek. XVIII. Ruhet për arkitekturën e saj të vjetër dhe me vlerë arkitektonike.
65. Kisha e Manastirit të Shën Kollit pranë fshatit Mesopotam. Është shumë e vjetër, shek. XII. Ruhet për vlerën shumë të madhe, si arkitekturën bizantine e tipit unikal dhe afresket që ruan nën suva.
66. Kisha e Malçanit. Ruhet si kishë mjaft e vjetër e shek. XIV. Me vlerë arkitektonike.
 
Rrethi i Shkodrës

67. Kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës. Ruhet si kishë romanike me piktura të vjetra të stilit bizantin (shek. XIII). Nuk përdoret.
68. Xhamia e Plumbit. Ruhet për vlerën shumë të madhe arkitekturale dhe si tip unikal tek ne. Është e braktisur, nuk përdoret si godinë kulti.
 
Qyteti i Tiranës
69. Xhamia e Ethem Beut – (shek. XIX). Ruhet për vlerën e madhe arkitekturale.
 
Rrethi i Vlorës
70. Manastiri i Shën Mërisë (fshati Zvërnec). Është i shek. XIII-XIV. Ruhet për vlerën arkitektonike si kishë e rrallë në tipin e vet. Është fare e braktisur.
71. Kisha e manastirit të Panaisë (Dhërmi). Ruhet për arkitekturën dhe pikturat e shek. XVI. Është fare e braktisur.
72. Kisha e Ipapandisë (Dhërmi). Ruhet për afresket me vlerë shumë të madh etë shek. XVI. Prej kohësh nuk funksionon si kishë.
73. Kisha e Marmiroit në Pasha Liman. Për vlerën arkitekturale si kishë paraturke e tipit të rrallë (shek. XIII-XIV), ndodhet e braktisur dhe larg qendrave të banuara.
74. Kisha e Shën Kollit në Armen. Është e shek. XIV. Gjendet në një fshat mysliman dhe prej kohësh e braktisur. Ruhet për vlerën e madhe arkitekturale si e vetmja nga ai tip në vendin tonë.
75. Xhamia e Muradies në qytetin e Vlorës. Ruhet për vlerën arkitekturale si xhami e hershme e shek. XVI.
76. Kisha e Shën Sergjit e Bakut (Himarë) – (shek. XIII-XIV). Është katedralja e ish-Peshkopatës së vjetër të Himarës. Nuk përdoret prej kohësh. Ruhet për arkitekturën paraturke dhe afresket e vjetra nën suva.
77. Kisha e Shën Spiridhonit (Vuno). Ruhet për arkitekturën e saj si bazilikë me tavan të rrafshët e pikturë të shek. XVIII.

*Shkrimi u publikua sot (18.42014) në Shqiptarja.com print

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Delvinë/ Autobusi dhe një furgon digjen gjatë natës, shkrumbohen nga flakët

Delvinë/ Autobusi dhe një furgon digjen gjatë natës, shkrumbohen nga flakët