Udhëheqësit e regjimit, ishin të interesuar për këtë pasuri. Ndaj u ngrit një komision për t’i vlerësuar këtë vepra arti, dhe ky komision hartoi një relacion mbi ta (dokumenti që disponojmë e që po e botojmë të plotë zbardhur sipas origjinalit). Komisioni përbëhej nga tre artistë të mirënjohur të artit pamor shqiptar, Odhise Paskali, Foto Stamo dhe Vilson Kilica. Ata i studiuan dhe bënë një vlerësim të hollësishëm e profesional mbi këto vepra, duke i analizuar si nga gjendja fizike e tyre ashtu edhe vlerat artistikë e historike.
Në Relacionin e tyre dërguar në Komitetin Qendror të PPSH-së ata njoftojnë që në krye: “Komisioni i ngarkuar për një studim dhe përcaktim të parë të autorëve përkatës, mbasi i kushtoi disa seanca studimit të veprave që ndodhen në këtë pallat konstaton se 19 prej tyre i konsideron vepra të rëndësishme arti...”
Më tej japin të dhëna të imtësishme për të gjithë veprat, duke filluar me 6 veprat e para që sipas tyre i përkasin shkollës së piktorit italian Pietro da Kortona, e më tej me 13 veprat e tjera si, “Adami dhe Eva”, vepër e Ticiano V., “Shën Mëria me Krishtin” e Korrexhios, “Çlirimi i një shenjtori” e Rubensit, “Krishti në torturë” e Ticianit, etj.
Komisioni me tre artistët e mirënjohur tërheq më tej vëmendjen që këto vepra të rralla të mbahen me kujdes e disa prej tyre që janë dëmtuar të ndërhyhet me sa mundësi ka të restaurohen. Ndërsa Paskali, Stamo e Kilica sugjerojnë që veprat të fotografohen e të shpërndahen imazhet nëpër ambasada për të kërkuar të dhëna më të hollësishme rreth tyre. Ata shprehin mendimin që “këto vepra mund të vendosen në Galerinë e Arteve të Tiranës dhe t’i bëhen të njohura publikut tonë duke marrë parasysh se këto janë pronë e shtetit tonë”.
Sesi mund të ketë vijuar historia e këtyre kryeveprave, për këtë gjë pak dihet sot dhe vetëm një investigim i mëtejshëm mund të zbulojë fatin e tyre. Në këtë rast dokumenti që na e zbuloi këtë fakt, shërben vetëm si ngacmim dhe njohje me këtë ngjarje.
Dokumenti i plotë
Relacion
Mbi disa vepra të pikturës që ndodhen në Pallatin e Brigadave
Komisioni i ngarkuar për një studim dhe përcaktim të parë të autorëve përkatës, mbasi i kushtoi disa seanca studimit të veprave që ndodhen në këtë pallat konstaton se 19 prej tyre i konsideron vepra të rëndësishme arti.
Këto janë:
I. 6 (gjashtë) tablo të punuara me tempera të shkollës të piktorit italian (Pietro da Kortona) që përfytyrojnë këto tema mitologjike:
1. “Zeusi” (200 x 205 cm) Numër inventari 9 229
2. “Diana” (199 x 216 cm) “ “ -
3. “Apolli” (199 x 216 cm) “ “ 9 224
4. “Merkuri” (199 x 205 cm) “ “ -
5. “Marsi” (199 x 205 cm) “ “ 9 226
6. “Venusi” (200 x 205 cm) “ “ 9 227
II.
1. “Adami dhe Eva” punuar me ngjyra vaji (180 x 145 cm).
Prapa tablosë shkruar me pendë figuron ky shënim italisht: “Vepër e Ticiano V. e vitit 1547 origjinal i verifikuar nga shumë profesorë”.
Komisioni mendon se nga stili, tipat e figurave, koloriti dhe kompozimi, kjo vepër të kujton krijimtarinë e Ticianit.
2. “Shën Mëria me Krishtin” punuar me ngjyra vaji (65 x 48 cm). Është vepër e shquar e pikturës italiane të shekullit XVI të kujton piktorin e madh italian Korrexhio.
3. “Familja e shenjtë” punuar mbi dërrasë në teknikën e asaj kohe (26,7 x 37,3 cm) është e shkollës italiane toskane të shekullit XV.
4. “Çlirimi i një shenjtori” punuar me ngjyra vaji (57 x 48 cm). Me numër inventari 817. Në pjesën e pasme mban 9 copë vula me këto mbishkrime:
- Galeria nacionale dhe kabineti i gravurave.
- Administrimi i të ardhurave mbretërore.
- Regjistri i eksportimit i Akademisë Mbretërore të Milanos.
Këto vula mendohet të jenë të periudhës së pushtimit austriak.
Komisioni mendon se nga stili, fraktura, vizatimi dhe kompozimi të kujton krijimtarinë e piktorit të madh Fjaming Rubens.
5. “Peizazh” punuar me vaj (66 x 50,2 cm). Nr. inventari 814 dhe një numër tjetër me ngjyrë të zezë 252. Përmban 8 vula, në njërën prej të cilave përmban mbishkrimin: “Drejtoria e përgjithshme e muzeve të vjetërsisë”.
6. “Aspekt nga gjuetia” punuar me vaj (73,_ x 96 cm) me nr. inventari 823 dhe një numër tjetër shënuar dy herë 8343, vepër e shekullit XVIII. Autor i panjohur i shkollës italiane.
7. “Krishti në torturë” punuar me ngjyra vaji (86,7 x 114 cm). Vepër e shekullit XVI.
Komisioni mendon se nga stili dhe ngjyrat të kujton krijimtarinë e Ticianit.
8. “Natyrë e qetë me rrush e pjeshkë” me ngjyra vaji (64 x 48 cm). Vepër e shek. XVII.
9. “Natyrë e qetë/ fiq, pjeshkë, qershi” me ngjyra vaji (68 x 48 cm), vepër e shek. XVIII.
10. “Natyrë e qetë me shpendë” me ngjyra vaji (87 x 119 cm). Vepër e shek. XVII.
11. “Natyrë e qetë me fruta” me ngjyra vaji (87 x 119 cm). Vepër e shek. XVIII.
12. “Peizazh me pemë dhe figura” me ngjyra vaji (69 x 104 cm). Vepër e shek. XVIII.
13. “Peizazh me pemë dhe figura” (69 x 104 cm). Vepër e shek. XVIII.
Shënim: Veprat e artit figurativ që përmban ky relacion duhet të ruhen me kujdesin më të madh mbasi ato janë vepra arti me vlerë artistike dhe vjetërsie.
Ruajtja e tyre konsiston në: Të ruhen nga lagështia, nga thatësia e tepërt, të bëhet një dezinfektim kundër krimbit të drurit, të pastrohen provizorisht nga pluhuri. Të vendosen në një sallë të përshtatshme me ajër e ngrohtësi të kondicionuar. Veprat të vendosen në mur mbasi të jenë bërë shërbimet fillestare të rastit.
Duke parë se disa nga veprat janë dëmtuar të merret masë për ruajtjen e tyre duke penguar që të prishen më tej. Veprat kanë nevojë për restaurim por kjo është një çështje e madhe mbasi tani për tani ne nuk kemi specialistë restaurimi. Kështu nuk duhet vënë dorë mbi to veçse ato veprime që mbrojnë si p.sh. vendet ku është grisur kanavaca mund të vihen copa të reja kanavace. Spastrimi i veprave nga pluhuri mund të bëhet me qepë ose me terpentinë të lehtë.
Për identifikimin e veprave duhet të vazhdojë studimi nga specialistët tanë. Gjithashtu jemi të mendimit që të gjitha veprat duhet të fotografohen me film me ngjyra, nga fotografë specialistë.
Këto fotografi nëpërmjet ambasadave tona të konsultohen me ndonjë specialist të arteve figurative që mund të jetë mik i vendit tonë.
Këtë ta bëjmë për të marrë mendim dhe të specialistëve të tjerë të huaj të artit rreth identifikimit të këtyre veprave. Kur të kemi shumë a pak arritur në një konkluzion mendojmë se këto vepra mund të vendosen në Galerinë e Arteve të Tiranës dhe t’i bëhen të njohura publikut tonë duke marrë parasysh se këto janë pronë e shtetit tonë.
Komisioni:
Odhise Paskali
Foto Stamo
Vilson Kilica
Tiranë, më 10.III.1967
Shkrimi u publikua sot (29.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)