Relacioni sekret për Ramiz Alinë: Studenti palestinez, Sherabili, tha se në Shqipëri ka censurë

Relacioni sekret për Ramiz Alinë: Studenti palestinez, Sherabili, tha se në Shqipëri ka censurë

 

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1971 dhe janë pjesë e një dosje, ku zv/ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, me anë të një raport-informacioni, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Ramiz Alia, i bën me dije me detaje e hollësi, lidhur me qëndrimin dhe sjelljet e disa studentëve palestinezë, si Muhamed Sherabili, Hasan Suljemani, Uaid Isan, Hasan Igjae, etj., të cilët asokohe studionin me bursa të qeverisë shqiptare, në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Përse studenti palestinez, Hasan Sulejmani, i kishte thënë qytetarit Ermir Ç., se midis studentëve palestinezë, ekzistojnë kontradikta politike dhe ideologjike. Në një mbledhje që kanë bërë këta, studentët Uaid Isa dhe Muhamed Sherabil, i’u kanë kërkuar llogari Hasan Sulejmanit dhe shokut të tij, Hasan Igjasë, për arsye se i pari, ka shprehur pikëpamjen se: Revolucioni palestinez do të fitojë, po u pastrua nga hajdutët dhe spiunët’?! Çfarë thuhet në dokumentin sekret të formuluar nga zv/ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Ramiz Alia, lidhur me veprimin e nëndrejtorit të Uzinës “Traktori”, Muhamet Perja, i cili kishte lejuar turistët gjermanë, të fotografojnë topat e artilerisë, që gjenden në ambientet e asaj uzine dhe si u zgjidh ai problem?!

Dokumenti sekret i formuluar nga zv/ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Ramiz Alia, lidhur me qëndrimin e disa studentëve palestinezë në Universitetin e Tiranës dhe kontradiktat që ekzistonin mes tyre në lidhje me Shqipërinë.

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISË                                                 SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                         Ekzemplar nr 1

DREJTORIA E PARË

Tiranë më 26.2.1971

                                                           I N F O R M A C I O N

Mbi qëndrimin e disa studentëve palestinezë.

Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, shokut Ramiz Alia.

Tiranë

Studenti palestinez, Hasan Sulejmani, i ka thënë qytetarit E. Çepani, se midis studentëve palestinezë, ekzistojnë kontradikta politike dhe ideologjike. Në një mbledhje që kanë bërë këta, studentët Uaid Isa dhe Muhamed Sherabil, i’u kanë kërkuar llogari Hasan Sulejmanit, dhe shokut të tij, Hasan Igjasë, për arsye se i pari, ka shprehur pikëpamjen se: revolucioni palestinez do të fitojë, po u pastrua nga hajdutët dhe spiunët.

Ndërsa i dyti, i ka shkruar për këto kontradikta vëllait të tij që ndodhet me studime në Poloni. Duke folur në këtë mbledhje, Muhamed Sherabili tha: “Pse Hasan Igjase i ka shkruar letër vëllait të tij për këto divergjenca, pa marrë miratimin tonë. A nuk e di ai që këtu ne jetojmë në një shtet policor, ku ka censurë si edhe letrat hapen”.

Hasan Sulejmani, kundërshtoi Muhamed Sherabilin për pikëpamjet e tij, duke i thënë: “Ne ndodhemi në një vend ku na konsiderojnë miq. Shqipëria, ndërton dhe jeton me djersën e saj dhe nga kjo djersë, na jep neve bursë, prandaj është turp që ta pështyjmë në këtë mënyrë, bukën që na jepet”. Sa për atë se cilin ka

quajtur hajdut dhe spiun, ka pasur parasysh funksionarin e Al Fatahut në Kajro.

Duke e ndërprerë Hasan Sulejmanin, Muhamed Sherabili, e ka pyetur në formë ironike: “Që kur zotëria jote qenka bërë marksist-leninist dhe nga i ke importuar këto mendime”?! Hasan Sulejmani, i konsideron Muhamed Sherabilin dhe Uaid Isan, si persona negativë, të cilët së bashku me tre studentë të tjerë, i kanë përgatitur atij një relacion për t’ja dërguar Al Fatahut në Kajro.

Një xhaxha i Sherabilit, ka shërbyer në policinë izraelite në Gaza, dhe është pushkatuar pasi është kapur nga partizanët palestinezë. Ndërsa Uaid Isai, është nipi i funksionarit të Al Fatahut në Kajro. Ai, flet keq për vendin tonë dhe thekson se revolucionin palestinez po e ndihmon Bashkimi Sovjetik, se Trocki nuk ka qenë tradhtar, etj.

Uaidi dhe funksionari i Al Fatahut në Kajro, thotë Hasani, duhet të jenë agjentë sekrete të policisë egjiptiane. Funksionari i Al Fatahut, e ka pas thirrur Hasan Sulejmanin dhe i ka anuluar nisjen për në Shqipëri, duke caktuar një tjetër që ishte i njohur si agjent sekret i organeve jordaneze dhe që më vonë u arrestua, duke bërë që Hasani të vijë në Shqipëri.

Qytetari E.Çepani, denoncon gjithashtu se studenti libanez Muhamed Emini, i ka thënë se: përveç Hasan Sulejmanit dhe Hasan Izgjasë, studentët e tjerë palestinezë, nuk flasin mirë për Shqipërinë.

 Zv / Ministri i Punëve të Brendshme

            Feçor Shehu

Dokumenti sekret i formuluar nga zv/ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Ramiz Alia, lidhur me veprimin e nëndrejtorit të Uzinës “Traktori”, Muhamet Perja, i cili ka lejuar turistët gjermanë, të fotografojnë topat e artilerisë që gjenden në ambientet e asaj uzine!

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                                                       SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                              Ekzemplar nr 1

DREJTORIA E PARË

Tiranë më 4.8.1971

                                                            I N F O R M A C I O N

Në datën 28.7.1971, Uzinën “Traktori” e kanë vizituar një grup miqsh gjermanë të cilët, pasi kanë kaluar nëpër uzinë, kanë qëndruar pranë katër topave të mbuluar me mushama dhe që ndodhen atje për stërvitjen ushtarake të punëtorëve të asaj uzine, dhe kanë kërkuar që t’i shikojnë.

Me gjithë hezitimet e shoqëruesit, nëndrejtori i uzinës, Muhamet Perja, e ka urdhëruar atë që të lejohen për t’i parë. Topat, u zbuluan dhe u panë prej tyre. Njëri nga miqtë ka fotografuar të gjithë mekanizmat e topit.

Lidhur me sa më sipër, mendojmë se do të ishte me vend që miqve, t’ju kërkohet e merret filmi fotografik që kanë bërë në uzinën “Traktori”.

Gjithashtu do të ishte mirë që të porositeshin shoqëruesit e delegacioneve të huaja, dhe drejtuesit e ndërmarrjeve që vizitohen prej tyre, për të mos lejuar fotografimet e këtyre objekteve.

Meqenëse pjesëtarët e grupeve që vizitojnë vendin tonë, kanë pasur raste të veshjes me minifunde, mendojmë që thu kujtohet atyre se populli ynë nuk i honeps dot ato lloj veshjesh. Grupi është shoqëruar nga Pano Lula, punonjës i turizmit./Memorie.al

 Zv/Ministri i Punëve të Brendshme

Feçor Shehu

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër