Rritja e diasporës shqiptare po shton remitancat në vend muaji pas muaji. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, dërgesat e emigrantëve në tremujorin e tretë të vitit arritën në vlerën 233 milionë euro që është shifra më e lartë e dërguar në sezonin veror që prej vitit 2008 kur janë raportimet e para të bankës për këtë fenomen.

Referuar shifrave zyrtare, në tremujorin e tretë të vitit që përkon me muajit e sezonit veror remitancat u rritën me 17 milionë euro ose rreth 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por nga ana tjetër vlera e remitancave mund të jetë më e lartë, pasi ka emigrantë që zgjedhin që paratë për familjarët e tyre ti sjellin cash dhe jo nëpërmjet kanaleve formale.

“Gjatë periudhës është vërejtur rritje jo vetëm e kanaleve formale (sistem bankar), por edhe e prurjeve në cash”, thuhet në raportin e BSH.

Ndërkohë në total brenda 9 muajsh emigrantët kanë sjellë për të afërmit e tyre 677 milionë euro, ose rreth 58 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Përsëri këtu është arritur rekordi i 15 viteve, pasi dërgesat e emigrantëve asnjëherë nuk kanë qenë më të larta se kaq në 9 muaj.

Kjo rritje e remitancave tregon se familjarët që punojnë jashtë vendit po kontribuojnë në përballimin e çmimeve nga të afërmve të tyre në Shqipëri, e nga ana tjetër dëshmon edhe për shtimin e numrit të emigrantëve.

Sipas Bankës Botërore remitancat janë jetike për mijëra familje, dhe ato vijnë kryesisht nga Greqia, Italia, Gjermania, Zvicra dhe ShBA.

Në total prej vitit 2008 deri më tani emigrantët kanë sjellë në vend 10,948 mld euro.

REMITANCAT NË SHQIPËRI
Janar-Shtator 2023       677 milionë euro
Janar-Shtator 2022        592 milionë euro
Rritja                               +58 mln euro