Superliga shqiptare e futbollit mbylli raundin e 31-të, me pesë sfidat që u zhvilluan në mesjavë. Të mërkurën tri pikë siguroi AF Elbasani në Laç, teksa Tirana dhe Bylis u ndanë 2-2. Tre sfidat e së enjtes panë fituese Dinamon dhe Teutën, ndërsa Egnatia dhe Vllaznia ndanë nga një pikë pas barazimit 2-2.
Në "Elbasan Arena" i ashtëquajturi 'derbi i kryeqytetit' pa fitues Dinamon, që mposhti 1-0 Partizanin. Një gol i Zabërgjës në minutën e 59-të vendosi sfidën, ndërsa të kuqtë e bënë dramë në fund me penalltinë e humbur nga Davide Domgjoni në shtesën e pestë të ndeshjes.
Në "Niko Dovana" të Durrësit ishin vendasit e Teutës që me golin e Tomës në minutën e 11-të mposhtën 1-0 Skënderbeun dhe i largohen fundit të ftohtë, duke lënë korçarët në pozitën e fundit.

Sfida më e luftuar ishte ajo e zhvilluar në Rrogozhinë, aty ku kryesuesit e Egnatias barazuan 2-2 kundër Vllaznisë. 90 minutëshi i prodhoi të gjitha. Regi Lushkja në minutën e 20-të i dha epërsinë kampionëve në fuqi duke bërë që pjesa dërmuese e të pranishmëve në stadium të kalonin në festë.
Pjesa e dytë ishte më e bukur dhe Esat Mala vendosi barazimin momental 1-1 vetëm dhjetë minuta nga fundit. Vendasit nuk u dorëzuan dhe gjetën sërish avantazhin me Fernandon në minutën e 86-të pas një aksioni model. Mirëpo Ildi Gruda me penalltinë e kthyer në gol në minutën e fundit të ndeshjes vendosi ekuilibrat për 2-2.
Me vetëm 5 javë të mbetura nga përfundimi i kampionatit të rregullt, rrogozhinasit janë shkëputur 15 pikë nga vendi i pestë, që mbahet nga AF Elbasani. Avantazhi në ndeshjet direkte ndaj AF Elbasanit bën që kampionët në fuqi të Shqipërisë të jenë të parët që sigurojnë pjesëmarrjen në “Final 4”.
Pas javës së 31-të është Egnatia me 55 pikë që kryeson renditjen, paçka se me tre barazime radhazi. Ndjek Dinamo me një pikë më pak dhe Vllaznia me 51 pikë. Në zonën "Final 4" për momentin edhe Partizani me 44 pikë, teksa vlen për t'u theksuar se "Demat" nuk po kalojnë një formë të mirë.
Raundi i 32-të luhet të diel dhe të hënë.
Superliga, raundi 31:
E mërkurë, 26 mars 2025
15:00 Laçi 0-1 AF Elbasani
18:00 Tirana 2-2 Bylis
E enjte, 27 mars 2025
17:00 Dinamo 1-0 Partizani
17:00 Teuta 1-0 Skënderbeu
20:00 Egnatia 2-2 Vllaznia
Renditja:
Komente

