Renditja më e fundit e publikuar nga UEFA konfirmon dominimin e futbollit anglez në kompeticionet europiane për këtë sezon. Anglia kryeson bindshëm me 22.291 pikë dhe e ka tashmë të sigurt vendin shtesë në edicionin e ardhshëm të Champions League, falë një ecurie perfekte me 9 skuadra të kualifikuara nga 9 në fazën e 1/8-ave tw kompeticioneve evropiane.

Pas saj renditet Gjermania, që mban aktualisht vendin e dytë me 5 skuadra të kualifikuara nga 7, por presioni i Italisë është bërë shumë më i fortë. Kualifikimi i Bolognas në Europa League dhe i Fiorentinës në Conference League ka rritur ndjeshëm koeficientin italian.

Italia tashmë numëron katër skuadra në fazën e 1/8-ave dhe ka ngushtuar diferencën me Gjermaninë nga 571 pikë, në vetëm 214 më pak, duke e bërë garën për vendin e dytë plotësisht të hapur.

Në vendin e tretë qëndron Spanja, gjithashtu me katër skuadra të kualifikuara nga shtatë, duke mbetur në të njëjtin ritëm me italianët.

Gjithçka pritet të vendoset në turin e ardhshëm eliminator, ku përballjet direkte mes klubeve të këtyre vendeve mund të ndryshojnë ndjeshëm renditjen. Italia tashmë jo vetëm beson, por ëndërron seriozisht sigurimin e vendit shtesë (të pestë) në Champions për sezonin e ardhshëm.