TIRANE - Nga “Qyteti Studenti”, kryeministri Sali Berisha në krah me Eduart Selamin dhe shumë të rinj, ndër të cilët edhe djalin e deputetes Rajmonda Bulku ndërsa festonte 22-vjetorin i rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha ka kërkuar 1 minutë heshtje për martiret e lirisë dhe sakrificën e tyre sublime.
Efekte

“Përmbysën më 20 shkurt diktaturën më të egër, të Enver Hoxhës, Hitlerit të shqiptarëve të pas Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi shefi i mazhorancës. Në këtë ditë Partia Demokratike zhvilloi një koncert në “Qytet Studenti” në kryeqytet, nga ku Berisha theksoi rëndësinë e kësaj dite kombëtare të kujtesës së martirëve dhe viktimave të sistemit totalitar, siç e cilësoi ai.

“Gëzuar ditën e kujtesës kombëtare për gratë dhe burrat, djemtë dhe vajzat që u martirizuan për së gjalli për fjalën e lirë, besimin tek Zoti, besimin tek Shqipëria.
Si sot 22 vjet më parë ne ndërmorën grevën e urisë, grevën më masive të lirisë që kishte parë Evropa dhe bota për heqjen e emrit të diktatorit Enver Hoxha universitetit në të cilin ata studionin. Me një vendosmëri të madhe, me një guxim të jashtëzakonshëm, u ngujuan...Shqiptarët vërshuan si uragan drejt grevës së urisë”, deklaroi Kryeministri gjatë fjalës mbajtur para të pranishmëve.

BERISHA: ZGJEDHJE TE LIRA, I SIGURT NE FITORE
Pavarësisht kritikave nga ndërkombëtarët dhe akuzave të opozitës për zgjedhje jo të ndershme, gjatë fjalës së tij Kryeministri foli për një vend me zgjedhje të lira, një Shqipëri të demokracisë që ekziston. Ndërsa i sigurt deklaroi se do të fitojë në zgjedhje.

Fjalën e tij shefi i mazhorancës e mbylli me sloganin e Partisë demokratike në zgjedhjet e 23 Qershorit: Në jemi ndryshimi-Përpara. “Ne do fitojmë, përpara përpara përpara...Zoti e bekoftë Shqipërinë, shqiptarët, demokracinë e tyre. Gëzuar”, përfundoi Berisha.

BERISHA: ME 21 JANAR RAMA DO MERRTE PUSHTETIN ME DHUNE
Berisha nuk ka hezituar t’i rikujtojë liderit të Partisë Socialiste se më 21 Janar donte të merrte pushtetin me dhunë, atë pushtet që ka dalë nga vota e lirë.

“Sot pas 22 vitesh të përmbysjes së diktaturës hoxhiste si në asnjë vend tjetër bijtë e etërve hoxhistë pasi pushtuan kreun e PS, guxuan të ndërmarrin përmbysjen me dhunë të pushteti tuaj të dalë nga vota e lirë. Ato gabuan ne ju themi dhe një herë pushtet me dhunë në këtë tokë nuk do merrni kurrë. Liria dhe mbrojtja e vlerave të saj janë pasioni ynë, forca e pathyeshme e kushtetutës, e ligjeve e votës dhe institucioneve të lirisë. Sot pas 22 vitesh ata me një zemëri të plotë politike përdorin pushtetin që iu kanë besuar zgjedhësit shqiptar për tu ngritur në rrugën e integrimit, murin e turpit, murin e bllokimit”, deklaroi Berisha.

BERISHA: RINIA DO FIRMOSE ME VOTE FUNDIN E SOCIALISTEVE
Kryeministri Berisha u bëri thirrje të rinjve shqiptar se më 23 qershor të votojnë integrimin e vendit për të firmosur fundin e socialistëve.
“Përsëri ato gabojnë për të mos gabuar kurrë më. Kësaj radhe me votën tonë do firmosin fundin e tyre, fundin e merituar. Shqiptarët me 23 qershor do të votojnë për integrimin e tyre në Evropë, për liritë dhe të drejtat e tyre, do të votojnë për Shqipërisë e zhvilluar dhe evropiane. Ne jemi ndryshimi, ne do fitojmë për para përpara, përpara, zoti e bekoftë Shqipërinë, shqiptarët dhe demokracinë e tyre”, tha Berisha.

BERISHA: PD, FORCA ME E FUQISHME ANTI-KOMUNISTE
Kreu i qeverisë duke ju referuar së shkuarës tha se 20 shkurti shënon edhe fitoren e PD si një nga forcat më të fuqishme anti komuniste në Europë. Berisha nuk la pa përmendur edhe sakrificat e këtyre viteve.
“20 shkurti shënon gjithashtu ditën në të cilën PD e Shqipërisë, e parë opozitare e vendit, do të organizonte do të realizonte njërën nga fitoret më të mëdha dhe më kulmoret në tërë historinë e saj. Fitore që në 3 muaj jetë do e bënte forcën politike më të fuqishme antikomuniste në Evropë. Dy dekada që kaluam nga 20 shkurti i 91 gjer më sot kanë qenë jo të lehta për ne, përkundrazi, ne jemi përballur me vështirësi të mëdha, vuajtje sakrifica, mangësi dhe gabime, vështirësi jo të vogla, diktatura hoxhiste shkatërroi Shqipërinë dhe qenien e shqiptarit më shume seç e shkatërroi çdo luftë, epidemi apo fatkeqësi natyrore, më shumë se në çdo vend tjetër të planetit”, përfundoi shefi i qeverisë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)