Shqipëria po përballet me një rënie dramatike të lindjeve dhe një largim masiv të të rinjve, një situatë që, sipas Partisë së Lirisë, po e çon vendin drejt një krize të thellë demografike.
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në këtë forcë politike, Arla Merja, tha të enjten se në vetëm një dekadë lindjet kanë rënë me 35%, ndërsa vendi po i afrohet një kufiri kritik prej rreth 20 mijë lindjesh në vit.
“Sa më shumë të rinj largohen, aq më pak lindje ka. Sa më pak lindje, aq më shpejt plaket dhe shuhet ky vend. Ky nuk është më problem social, por një kërcënim kombëtar”, tha ajo, duke kërkuar politika konkrete për të mbajtur të rinjtë dhe për të mbështetur familjet në Shqipëri.
Deklarata e Sekretares për Mardhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja.
"Të nderuar qytetarë!
Shifrat e fundit nuk janë më thjesht statistika, janë tronditëse dhe nuk lënë më vend për justifikime. Janë aktakuzë. Në vetëm një dekadë, lindjet në Shqipëri kanë rënë me 35%. Po afrohemi me shpejtësi drejt një kufiri kritik, rreth 20 mijë lindje në vit. Kjo nuk është rastësi, por është pasojë. Pasojë e një qeverisjeje që ka dështuar të mbajë të rinjtë në këtë vend. Pasojë e politikave që kanë varfëruar familjen shqiptare dhe kanë vrarë çdo shpresë për të ardhmen. Sot nuk kemi thjesht një krizë lindjesh. Kemi një Shqipëri që po boshatiset. Të rinjtë po largohen çdo ditë. Po ikin ata që duhet të ndërtojnë familje, të lindin fëmijë dhe të mbajnë gjallë këtë vend. Dhe mos gabohemi, kjo nuk është një zgjedhje e lirë. Kjo është një arratisje nga pamundësia për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre. Sepse këtu pagat nuk mjaftojnë. Sepse këtu çmimet rriten pa kontroll. Sepse këtu shteti nuk mbështet, por rëndon mbi qytetarin. Dhe ironia më e hidhur është kjo: Të rinjtë shqiptarë, sapo largohen, krijojnë familje. Lindin fëmijë. Ndërtojnë jetë, por jo më në Shqipëri. Kjo është prova më e qartë e dështimit. Ndërkohë, vendi futet në një spirale të rrezikshme: Sa më shumë të rinj largohen, aq më pak lindje ka. Sa më pak lindje, aq më shpejt plaket dhe shuhet ky vend. Dhe qeveria? Hesht. Justifikohet. Propagandon, ndërkohë që Shqipëria zbrazet. Ky nuk është më problem social, por një kërcënim kombëtar. Një vend që humbet rininë e tij, humbet gjithçka: ekonominë, arsimin, fuqinë punëtore dhe mbi të gjitha humbet të ardhmen. Prandaj sot nuk mjaftojnë fjalët. Duhet llogaridhënie. Duhet ndryshim real. Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për propagandë, por për politika që mbajnë të rinjtë në vend. Për paga që përballojnë jetesën. Për mbështetje reale për familjet e reja. Për një shtet që i jep arsye qytetarëve të qëndrojnë. Sepse sot pyetja nuk është më: “Sa po zhvillohemi?” Pyetja është: Kush do të mbetet këtu për ta ndërtuar këtë vend nesër? Dhe nëse nuk veprojmë sot , nesër mund të jetë shumë vonë. Faleminderit."
Komente







