Pas rezultatit në zgjedhjet e 14 majit, ka ardhur edhe reagimi i parë nga PD zyrtare. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku është shprehur se ndihet e përulur para demokratëve dhe se do mësojnë nga gabimet e tyre. Tabaku nënvizon se mllefi nuk është as zgjidhje as alternativë mllefi.

“Sot, jam me kokën ulur para demokratëve, votuesve të djathtë e kujtdo. Nuk arritëm dot të japim një alternativë përbashkuese për PD, që pavarësisht kësaj sherrnajës që kush bën çfarë i morrëm për të mirëqenë se njerëzit do votojnë logon apo mitin me sy mbyllur.

Nuk mund të jetë zgjidhje dhe as alternativë mllefi! Nuk mund të jetë zgjidhje dhe alternativë përleshja e pakuptimtë që ka ndarë demokratët. Nuk mund të jetë zgjidhje apo alternativë izolimi i vazhdueshëm dhe fshehja pas alibive që nuk na bëjnë fitues por na zvogëlojnë përditë.

Në çdo kuti votimi nga Vermoshi në Konispol, mesazhi i shqiptarëve dhe demokratëve është i qartë; Ne duhet të pranojmë gabimet tona duke e përdorur krenarinë tonë për të ndërtuar një PD ndryshe dhe jo për të mohuar faktet!

Askush nuk mund te mohojë problemet me zgjedhjet si krimi, korruptimi, blerja e votës, presionet. Por ndryshe nga çdo herë tjetër duhet të bëjmë së pari një vështrim nga vetja!

Koha dhe humbjet e njepasnjëshme kanë treguar që denoncimet pa reflektim janë kthyer në bumerang elektoral. Prandaj A-ja është bashkimi me një analizë se përse mbjellja e urrejtjes mes demokrateve nuk mbjell dot shpresën tek shqiptarët po dëshpërimin! PD duhet të ringrihet nga hiri dhe duhet të jetë alternativë për shqiptarët.

Nuk mund të jemi bojkoti i shqiptarëve kur mund të jemi lehtësisht alternativa e një shumice!”- shkruan Tabaku.

Kujtojmë se në zgjedhjet vendore 2023 PS ka fituar 53 bashki, 7 Bashkë-Fitojmë dhe një bashki partia MEGA në Finiq. Ndërkohë që për herë të parë në historinë e PD-së nuk kanë marrë asnjë bashki.