Kur Banka Qendrore ruse i befasoi ekonomistët më 21 korrik, duke rritur normat e interesit me një pikë të plotë të përqindjes – dyfishi i rritjes së pritur – ky vendim do të duhej të forconte rublën, vlera e së cilës ka qenë në rënie që nga dhjetori. Megjithatë, monedha ruse vazhdoi rënien kundrejt dollarit amerikan gjatë tri javëve në vijim, duke thyer nivelin prej 100 rublash më 14 gusht dhe duke nxitur një rritje të jashtëzakonshme prej 3.5 pikësh të përqindjes ditën tjetër - në 12 për qind.
Rënia e fundit e rublës po ndodh edhe pse nafta ruse – burimi kryesor i Rusisë për të ardhurat në valutë të huaj – po shitet me çmime shumë të larta. Çmimet e larta të naftës dhe një rubël më e fortë shpesh kanë shkuar krah për krah, por jo këtë herë: pushtimi rus i Ukrainës ka goditur ekonominë e shtetit dhe nga lufta ka pësuar monedha kombëtare ruse.
“Ka një mungesë besimi në rublën”, tha Sergei Aleksashenko, ish-shef i Bankës Qendrore ruse, i cili tani është kritik i zëshëm i Kremlinit.
Përmes një postimi në X (i njohur më parë si Twitter), pas rritjes së shënuar më 15 gusht, ai parashikoi se rritja e normës do të kishte pak ndikim te monedha. Rënia për muaj të tërë e rublës ndodh në kohën kur po zhvillohet lufta e ashpër në Ukrainë, ku forcat ruse kanë bërë pak përparime që nga muajt e parë pasi nisën pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022. Forcat ruse tani po përballen me një kundërofensivë ukrainase në lindje dhe në jug.
Kjo rezistencë e fuqishme ukrainase po detyron Rusinë që të rrisë shpenzimet ushtarake përderisa sanksionet perëndimore po godasin të ardhurat nga eksporti i energjisë, duke krijuar një deficit të madh buxhetor që po ushtron presion mbi kursin e këmbimit të rublës. Ndërkaq, kërkesa industriale dhe e konsumatorëve rusë për makinerinë, teknologjinë e lartë dhe mallra të tjera të importuara është rritur, duke rritur edhe kërkesën për dollarë dhe euro, që vështirë gjenden në tregun rus.
Dobësimi i rublës po e vë presidentin Vladimir Putin në një pozitë të vështirë, thanë analistët. Ai duhet t’i frenojë shpenzimet nëse dëshiron të zbusë inflacionin dhe të stabilizojë rublën. Por, Putini ka sinjalizuar se ai synon të vazhdojë pushtimin pafundësisht dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale, që do të mbahen në mars – me fitoren e sigurt të Putinit, nëse kandidon, siç edhe pritet, për shkak të kontrollit që ka Kremlini mbi politikën dhe median. Megjithatë, ai duhet të forcojë imazhin e tij pas rebelimit të shkurtër, por të turpshëm, që kreu grupi mercenar Wagner në qershor dhe mes ngecjeve të vazhdueshme në luftën kundër Ukrainës. Si rezultat, ai nuk ka të ngjarë të shkurtojë shpenzimet ushtarake ose sociale në një nivel të duhur, duke bërë që barra të zhvendoset në mbrojtjen e rublës përmes Bankës Qendrore.
“Ka një luftë që po ndodh tani në Rusi midis ambicieve ushtarake të presidentit Putin në njërën anë, dhe objektivave të Bankës Qendrore dhe Ministrisë së Financave në anën tjetër”, tha përmes një shkrimi Liam Peach, ekonomist në firmën hulumtuese Capital Economics, me seli në Londër.
Kjo luftë ishte e dukshme edhe para rritjes së mprehtë të normave të interesit, duke shtuar shenjat brenda elitës në pushtet për situatën e rënduar në ekonomi dhe shoqëri në kohën kur lufta po vazhdon. Në një kolumne të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve TASS më 14 gusht, këshilltari për ekonomi i Putinit, Maksin Oreshkin, foli për Bankën Qendrore pa përmendur bankën apo shefen e saj, Elvira Nabiullina. Ai shkroi se “burimi i dobësimit të rublës dhe rritjes së inflacionit është një politikë e butë monetare”.
Nabiullina, e cila është një personazh i respektuar jashtë vendit dhe ka merita për minimizimin e dëmit në ekonominë ruse gjatë kohës që është në krye të Bankës për më shumë se një dekadë, deklaroi se rënia e tregtisë së jashtme është shkaktari kryesor i dobësimit të rublës. Ajo tha se rritja e shpenzimeve shtetërore dhe mungesa e fuqisë punëtore, si rezultat i luftës, ka nxitur inflacionin. Ekspertët e kanë mbështetur shefen e Bankës në këtë debat. Pavarësisht kësaj, puna e Nabiullinës nuk do të jetë e lehtë. Perëndimi ka ngrirë rreth 300 miliardë dollarë në rezerva valutore të Bankës Qendror ruse, ka shmangur investimet në vend dhe ka vendosur një tavan çmimi për eksportet e tij të naftës, duke kufizuar aftësinë e politikanëve që ta mbështesin rublën, tha Peach.
Gjatë periudhave të dobësimit të monedhës para se të niste pushtimi i Ukrainës dhe sanksionet që u vendosën për shkak të pushtimit, Banka Qendrore ka mundur të shesë miliarda dollarë në rezerva valutore për të mbështetur rublën ose investitorët perëndimorë, duke besuar se monedha ishte zhvlerësuar dhe mund të blinin rezervat. Peach tha se rreziqet ndaj stabilitetit të ekonomisë ruse po materializohen më shpejt sesa që priste. Ai tani pret që Banka Qendrore të rrisë normën edhe për dy pikë të përqindjes para fundit të vitit, duke bërë që normat e interesit të arrijnë në 14 për qind. Normat e larta ulin huamarrjen nga korporatat dhe konsumatorët, duke bërë që të ngadalësohet inflacioni dhe depozitat në rubla të jenë një investim më tërheqës.
“Muajt e ardhshëm ka të ngjarë të karakterizohen me rënie të mëtejme të rublës dhe me inflacion më të lartë dhe norma më të larta të interesit”, tha ai.
Chris Weafer, themelues i Macro-Advisory, një firmë konsulence e përqendruar në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik, i tha Radios Evropa e Lirë se dobësimi i rublës nuk është shenjë paralajmëruese për një krizë në rritje financiare, “sepse rubla është një monedhë që menaxhohet në një ekonomi të menaxhuar. Rregullat normale në këtë rast nuk zbatohen”. Rubla kishte qenë një monedhë e luhatshme para nisjes së pushtimit në shkurtin e kaluar. Banka Qendrore e ka menaxhuar atë me ndihmë të kontrolleve të monedhave që nga marsi i vitit 2022, kur Perëndimi vendosi sanksionet gjithëpërfshirëse financiare ndaj Rusisë, tha Weafer.
Ai tha se Banka Qendrore dhe Ministria e Financave dëshironin të dobësonin rublën pas rritjes së mprehtë të vlerës së saj më 2022, në mënyrë që të ndihmonin që të ngushtohej deficiti buxhetor. Megjithatë, “ata lanë që vlera e rublës të binte shumë” dhe tani po udhëzohen “nga lart” që ta kthejnë vlerën e monedhës në nivelin që ishte paraprakisht.
Rubla arriti nivelin më të lartë në shtatë vjet prej 53 për dollar në qershor të vitit 2022, pasi rritja e çmimeve të naftës dhe gazit nxiti një fitim të papritur në valuta të huaja, ashtu sikurse importet që ranë për shkak të sanksioneve perëndimore. Buxheti i Rusisë merr më shumë të ardhura tatimore nga rubla nga eksportuesit kur kursi i këmbimit të rublës është më i ulët. Por, një rënie e madhe në krahasim me monedhat e tjera çon po ashtu në rritje të inflacionit, pasi importet bëhen shumë të shtrenjta në rubla.
Monedha ruse ka rënë deri në 30 për qind këtë vit dhe vlera e saj është pothuajse sa gjysma që kishte në qershor të vitit 2022 – kur arriti pikun – pasi të ardhurat nga eksporti i naftës dhe gazit kanë rënë dhe importet janë rritur. Weafer tha se rritja e 15 gushtit kishte për qëllim të dërgonte një mesazh se “Banka Qendrore e ka situatën në kontroll dhe dëshiron që rubla të rimëkëmbet”. Tatiana Orlova, ekonomiste në Oxford Economics në Britani, i tha REL-it më 15 gusht se Banka Qendrore ndoshta do të duhet të përdorë kontrollin e kapitalit për të stabilizuar rublën. Ajo tha se një gjë e tillë mund të detyrojë eksportuesit që të shesin monedhat e tyre të huaja ose të kufizojnë sasinë e valutës së huaj që qytetarët mund të dërgojnë jashtë shtetit.
Më 16 gusht, Putin ka mbajtur një takim me zyrtarët e Ministrisë së Financave për të diskutuar për vendosjen e kontrolleve të kapitalit, ka raportuar Financial Times. Rusët kanë transferuar 43 miliardë dollarë në bankat jashtë shtetit, kryesisht në Armeni, Gjeorgji dhe Kazakistan. Ky transferim është bërë nga janari i vitit 2022 deri në maj të vitit 2023, shkroi në një raport Aleksandra Prokopenko, ish-këshilltare e Bankës Qendrore ruse, e cila aktualisht është studiuese në Qendrën Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë me seli në Berlin.
Orlova tha se edhe faktorë të tjerë kanë ndikim në rublën ruse, përfshirë edhe valutat e ndryshme që Rusia tani merr nga eksportet e saj dhe valutave të huaja që janë të nevojshme për importet e saj. Ky fenomen, sipas saj, është shkaktuar nga sanksionet perëndimore. Që kur Perëndimi vendosi sanksione ndaj sektorit të energjisë së Rusisë, Moska është detyruar që të zhvendosë shumë nga eksportet e saj të naftës në Azi, përfshirë edhe në Kinë dhe Indi. Në vend të dollarëve, Rusia tani pranon rubla, huan kinez, rupi të Indisë për disa nga shitjet që bën. Por, kompanitë ruse dhe qytetarët ende kanë nevojë për dollarë dhe euro për të importuar makineritë, teknologjinë dhe mallrat e konsumit.
“Eksportuesit rusë po përfundojnë duke marrë rupi, por këtë valutë askush nuk e do, ndërkaq importuesit duan euro apo dollarë”, tha Orlova. “Pra, i gjithë ky joefikasitet po kontribuon në rënien e vlerës së rublës”.
Ka edhe faktorë sezonalë që kanë ndikuar në rënien e fundit të rublës pasi rusët blejnë valuta të huaja para pushimeve të tyre verore jashtë shtetit, tha ajo, duke shtuar se kjo praktikë shumë shpejt do të përfundojë. Orlova tha se rubla tani është e nënvlerësuar pas rënies së saj të madhe, duke bërë që të ketë një vlerë prej rreth 85 ndaj dollarit. Rubla u forcua deri në 95 për dollar më 16 gusht, pas rritjes së normës dhe bisedimeve për përdorimin e kontrolleve të kapitalit. Putin mund të arrijë të dalë nga situata e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet tani, nëse çmimet aktuale të naftës mbesin këto që janë ose rriten edhe më shumë, tha Weafer, duke shtuar se Rusia tani po shet naftë për më shumë se 70 dollarë për një fuqi. Kjo vlerë është më e lartë se sa tavani i çmimit që është vendosur nga Perëndimi, i cili është 60 dollarë.
“Nëse diçka nuk përkeqësohet, buxheti i Rusisë do të ketë një performancë shumë më të mirë në gjysmën e dytë të vitit se sa në gjysmën e parë dhe Kremlini do të ketë para të mjaftueshme”, tha Weafer./REL