Reparti nr.315, burgu i panjohur i adoleshentëve në Belsh të Elbasanit

Reparti nr.315, burgu i panjohur i adoleshentëve në Belsh të Elbasanit

Reparti nr.315 u krijua me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme në shkurt 1966, si vend ku do vuanin dënimin nëpërmjet punës të dënuarit në moshë të re. Më shumë reparti u përdor në drejtim të punëve në bujqësi dhe hapjen e tokave të reja.

Vitet 1966 – 1970 në Gradishtë të Belshit

Fillimisht reparti u ngrit në kodrën e Gradishtës në Belsh. “Detyra kryesore e këtij reparti ashtu si edhe e reparteve të tjera të riedukimit është që nëpërmjet formave të tjera politiko – edukative të arrijë atë që kërkon partia, të riedukojë këto persona, të cilët si bartës të veseve të këqija mikroborgjeze kanë thyer rregullat e shoqërisë sonë socialiste dhe me veprimet e tyre kanë kryer krime të dëmshme nga ligjshmëria jonë socialiste” – shkruhej në historikun e repartit në vitin e dytë të jetës së tij. Në vitin 1966 të dënuarit e repartit hapën 250 hektarë tokë, të cilat u mbollën në shumicë me grurë e më pak me misër e patate. Në vitin 1967 u hapën 400 hektarë tokë e re. Në vitin 1968 ferma që kishte krijuar reparti, u shkri dhe i kaloi në administrim fermës së atyshme të Belshit.

Sipas udhëzimit të ministrit në vitin 1968, në këtë repart vuanin dënimin të rinjtë e moshës 14 – 18 vjeç, por për nevoja të regjimit, u mbajtën edhe të dënuar deri në moshën 25 vjeç. Këtë kohë në repart kishte 25 të dënuar politikë dhe 248 ordinerë. Të moshës 14 – 24 vjeç ishin 302 të burgosur. Në vitin 1969 këtu punonin 342 të dënuar politikë dhe ordinerë, si dhe të dënuar nën 18 vjeç.

Vitet 1970 – 1972 Valas, Elbasan

Më 27.11.1970 reparti zhvendoset në Valas, një fshat jo shumë larg Cërrikut. Qëllimi i zhvendosjes këtu ishin punët bujqësore të fermave të atyshme. Është punuar për hapje tokash të rejash dhe për punë të zakonshme në bujqësi. Në vitin 1971 në kamp gjendeshin 373 të dënuar, prej të cilëve 25 të dënuar politikë dhe 348 ordinerë.

Vitet 1972 – 1983 Fishtë dhe Leras, Lezhë

Më 1.4.1972reparti riorganizohet në ishullin Fishtë në Lezhë. Këtu do vuanin dënimin të dënuarit për krime kundër shtetit të moshës 14 – 20 vjeç, si dhe ato ordinerë të moshë 14 – 25 vjeç. Për këto parashikohen kurse profesionale, arsim 8-vjeçar dhe agjitacion intensiv ideologjik. Puna do bëhej në fermën e atyshme. Kur reparti u vendos në Fishtë kishte rreth 300 të dënuar. Pas pak arriti në 550 të dënuar, derisa në korrik 1973 u bënë 740 të dënuar, prej të cilëve 35 të dënuar për krime politike. Në aspektin shoqëror, mbizotëronte në masën 55%, origjina e varfër e të dënuarve. Të dënuarit janë shfrytëzuar në bonifikime, bujqësi, ndërtim. Të dhënat e vitit 1973 bëjnë fjalë se në repart vuanin dënimin rreth 700 të dënuar. Ata e vuanin dënimin të ndarë në dy sektorë: në Ishull Lezhë (rreth 200 veta) dhe në Fishtë (rreth 500 veta). Ndarja e të dënuarve ishin si vijon: 23 për krime kundër shtetit (politikë), 124 për vjedhje të pasurisë socialiste, 100 për krime seksuale, 20 për vrasje, 13 për aksidente, 120 ushtarë që kishin ikur pa leje nga repartet, 24 të padenjë, 120 të ndryshëm .

Në vitin 1974 reparti kishte rreth 670 të dënuar. Ata e vuanin dënimin në tre sektorë: 200 në Fishtë, 70 në Ishull Lezhë dhe 400 në Leras (Torovicë). Në repart ishin në këtë kohë gjithsej 17 bashkëpunëtorë të Sigurimit. Për ruajtjen e të dënuarve shërbenin 16 oficerë (por vetëm 1 me arsim të lartë), 17 nënoficer dhe 47 ushtarë .

Në vitin 1976 në repart punonin 962 të dënuar, prej të cilëve vetëm 30 politikë. Personeli i burgut për ruajtjen e tyre përbëhej nga 80 persona.

Të dhënat tregojnë se në vitin 1976 një pjesë e të burgosurve punonin në bujqësi në zonën e Bishtit të Jubës. Një e dhënë tjetër e vitit 1977 bën fjalë se në dy vitet e fundit, në repart kishin vuajtur dënimin 1361 të dënuar. Prej tyre, të moshës 14 – 19 vjeç kishin qenë 1361 të dënuar, të moshës 20 – 25 vjeç kishin qenë 680 të dënuar dhe mbi 25 vjeç gjithsej 147 të dënuar. 67 prej tyre ishin pa arsim fare dhe vetëm 5 me arsim të lartë. Shumica ishin me fillore ose 8-vjeçare.

Sipas raportit të datës 15.9.1981 në repart ishin 750 të dënuar, 11 (5 për agjitacion e 6 për tentativë arratisje) prej të cilëve ishin dënuar për krime kundër shtetit. Pjesa tjetër ishte ordinere. Të burgosurit punonin në 4 grupe me 4 brigada e punonin në bujqësi. Me amnistinë e vitit 1982 ishin liruar 523 të dënuar, prej të cilëve theksohej se 12 ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit .

Me urdhrin nr.4, datë 6.1.1983 të ministrit të Punëve të Brendshme, reparti 315 Leras Lezhë u mbyll.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore