Replikë/ Kazhani: Unë gazetarja
i përgjigjem analistit Nano

Replikë/ Kazhani: Unë gazetarja <br />i përgjigjem analistit Nano
Do të shkruaj pak rreshta z. Mustafa sepse koha kur je gazetar nuk premton shumë. Pas pak do më duhet të futem në studio dhe prej aty mundet të dal në rastin më të mirë në orën 11 të natës. Ora është 17 e pasdites. Media në të cilën punoj dhe paguhem është e projektuar si një media punëtore dhe që nuk të përkëdhel me Billborde nga autostrada deri kur mbërrin në shtëpi.

Nëse punon mirë njerëzit të shohin edhe pa shkuar tek fotografi për të bërë shkrepjen e reklamës e cila do të shes produktin tënd gazetaresk. Ka edhe disa dallime media ku punoj sepse ajo fatkeqësisht nuk mundet të më paguajë mua si një “STAR” , as edhe kolegët e mi. Llukset i kanë të tjera media të cilat nënshkruajnë kontrata shumëmilionëshe duka na lënë të çartur ne gazetarëve që kemi ngrënë pluhur 365 ditë të vitit, nuk kemi fjetur me ditë e netë nëpër fushata e zgjedhje duke sjellë lajme të cilat komentoheshin nga ju në emër të zarfit. Ne “Kazhanët” në emër të misionit. Lunch.com siç ju vetë e pranonit e ka arritur qëllimin e saj. Shpesh herë rreshta të saj i keni publikuar tek Respublica.al (përfshi dhe këtë lunch.com) dhe këtë nuk besoj ta keni bërë sepse ju josh gazetaria e “leshit” (kështu e etiketonit gazetarine time).

Lexova në shkrimin tuaj z. Mustafa për thika pas shpine dhe përmendnit mes fjalish një profil në lunch.com të ambasadorit të OSBE i cili nuk mendoj të ndajë me ju të njëjtin opinion.
Mbi artikullin tënd dje, fillimisht u drodha se nuk jam mësuar me kësi sulmesh, më pas qesha dhe pas disa telefonatash kuptova se kisha bërë gabim dhe se falë një fiksimi (të gabuar) se ju jeni kontribut në mendimin e lirë e të shëndetshëm për median, mendova t’ju ruaj nga disa sulme që mund t’ju servireshin nëse unë do të isha e sinqertë, siç zakonisht jam. Ishin disa rreshta për jetën tuaj shumë personale, të cilat ju vetë e pranoni se mi keni rrëfyer gjata asaj kafeje ne Tiranë. Nuk do doja të tregohesha vetëm një gazetare e uritur për lajmin dhe nuk shkruajta asgjë që mund të lëndonte ju e mund t’ju kthehej kundër një ditë. E gjeta të pandershme këtë edhe pse lajmi më tundonte së brendshmi. E njoh etikën dhe rreshtohem me atë pakicë për ta ruajtur atë.

Do preferoja gjithashtu, që kolumnin tuaj ta shfrytëzonit për shqiptarët e thjeshtë, për hallet e vërteta të medias dhe të mos trembeni nga liria se është me e çmuar se çdo pagesë e përkohshme. Liria ime nuk ishte fyese, por reagimi juaj ishte zhgënjyes.

Dhë në fund z. Mustafa nuk kuptova nëse merakun e kishit tek kryeministri Berisha apo tek Edi Rama kur flisni për gjendjen shok që ju kish dhënë ky titull: “Rama alamet çuni, Berisha gomar”.

Qofsha e gabuar por ju kish trembur më shumë simpatia për Edi Ramën sesa ajo shprehje vulgare për kryeministrin. Mund të kesh të drejtë se nuk flitet pa parë se çdo ndodh në 2013. Po sikur Rama të mos fitojë? Zoti na ruajtë më pas!!

Ju vetë e konfirmonit në shkrimin tuaj se kisha shkruajtur pikë për pikë atë që më kishit thënë ju vetë atë paradite. Pra e pranonit edhe në sulm e sipër që isha treguar e ndershme në çdo frazë që kisha cituar. Ku është e pandershmja këtu z. Mustafa? Mesa kuptova unë më akuzonit pse isha treguar aq e ndershme në atë rrëfim. Sipas jush nuk duhej të kisha shkruar ato çka më kishit thënë, dhe për fat kisha lënë dhe gjëra pa shkruar. Paradoksal dhe i paqartë!

Është e gabuar gjithashtu të kërkosh nga një gazetar të shkruaj atë që do doje ti dhe jo atë që dëgjon ai. Të premtoj që do të vazhdoj të shkruaj atë që dëgjoj e shoh sepse nuk mund t’ja lejoj vetes që shkrimin të ma korigjojnë të intervistuarit se në të kundërt gazetarinë e mori lumi. Siç e nënkuptoje vetë kam një memorie të mirë dhe jam gati ta rishkruaj atë lunch.com pa auto-çensurën që e zbatova në emër të gazetarisë elegante. Por nuk kam asnjë dëshirë për tu hakmarrë ndaj një një paranoje maskiliste. Dikur në Top Channel kam mbuluar qeverinë për tre vite rresht dhe kurrë nuk më kërkoi dikush nga stafi i kryemistrit të ndryshoja rreshtat e kronikave. Zoti na ruajtë z. Mustafa se është edhe dita e Kurban Bajramit ju na dolët më keq se kryeministri Berisha.

(Shkrimi u publikua sot ne gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Protesta e opozitës më 26 Nëntor/ PD publikon 5 rrugët dhe pikat që do bllokojë në Tiranë! Ja ndarja e deputeteve

Protesta e opozitës më 26 Nëntor/ PD publikon 5 rrugët dhe pikat që do bllokojë në Tiranë! Ja ndarja e deputeteve