‘Repolitix’/ Konomi: Politika s’e respekton Kodin e Etikës! Bashës i janë shtuar klikimet! Muça: Rama po projekton opozitën! Dhuli: Klikimet nuk sjellin vota

Zgjedhjet e 11 majit janë në prag teksa fushata elektorale duket se ka nisur para kohe dhe me një dialog që ka përfshirë edhe rrjetet sociale dhe botën virtuale të politikës.

Mes tyre është replika me video-selfie dhe me sfond repistësh mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, por edhe ironitë me video-post të kreut të qeverisë ndaj Sali Berishës me ‘bufin e kënetës’.

“Dissing”, foto, video, batuta, ironi dhe mesazhe me këngë kanë sjellë një imazh ndryshe të politikës, por që kapërcejnë edhe kufijtë e etikës, deri në sarkazma dhe bullizime.

Këto ishin temat e trajtuara sot në “Repolitix” të Report Tv. Të ftuarit e moderatorit Denis Minga ishin gazetarja Esiona Konomi, e Flogert Muça, përfaqësuesi i PD-së, juristi Skerdjan Dhuli dhe Ermal Peçi. 

Të pranishmit ndanë mendimin e përbashkët se kjo strategji apo taktikë virtuale ka sjellë klikime të paimagjinueshme më parë për ish-kreun e PD-së. Por vunë në dukje edhe gjuhën e metaforave deri në fyerje në distancë, edhe pse i konsiderojnë si metafora apo shaka.

“Do firmosin një Kod Etike, por në fakt ata e shkelin vazhdimisht atë dhe pritet që ta shkelin. Kurse për videot kjo ka sjellë klikime të shumta, i ka sjellë një lum klikimesh Lulzim Bashës, që nuk i ka parë asnjëherë”, tha gazetarja Konomi. 

Kurse gazetari Flogert Muça u shpreh se ky është trend i ri i memeve në rrjetet sociale dhe politikës.

“Pse e bën Rama këtë? Sepse është maniak i trendëve dhe memeve. Pjesa më e madhe është për fushatë elektorale, për imazh. Qëllimi i Ramës është projektimi i opozitës. Rama më 2017 merrej me kazan, Basha merrej me LSI. Më 2021 thoshte po votuat Bashën dhe opozitën, votoni doktorin. Në këtë rast po projekton si opozitë Berishën si buf kënete, Kujtim Gjuzin me mustaqet dhe Bashën. E ka projektuar që në fillim dhe nuk kthehet dot më”, thotë ai.

Skerdian Dhuli mendon se ky është trend i ri ku është futur edhe politika botërore, përfshi edhe presidentin amerikan Donald Trump. Por ai shpjegon se Rama ka zgjedhur Lul Bashën për video-postime për shkak se atë mund ta mundë lehtë, kurse me Berishën ka vështirësi.

Por shtoi se “klikimet në rrjetet sociale nuk sjellin vota”.

“Politika ka hyrë në një lloj trendi, edhe në PE kemi një TikToker. Madje të gjithë politikanët e përdorin këtë fazë, madje edhe Trump. Pse Rama ka shkuar te Basha? Sepse Rama e mund Bashën. Rama përdor figuracione letërsie, pikë të dobët ka vetëm Berishën, i cili zotëron epitetin dhe krahasimin. Ajo që Rama thotë me bufin e kënetës ndaj Berishës është fyerje dhe vulgaritet. Por klikimet e rrjeteve sociale nuk prodhojnë vota, për shumë arsye, dhe e njoh shumë mirë terrenin elektoral. Rama po i hedh një kamerdare shpëtimi Bashës, por jo për ta shpëtuar nga mbytja, por për interesin e vetë, të devijojë fokusin opozitar. Rama është maniak sondazhesh, e Basha del 0-0,5% e kryeministri i di mirë”, nënvizoi ai.

I ftuari tjetër, Ermal Peçi, u shpreh:

“Basha ka gjetur dy togfjalësha të goditur, si “ku i ke shokët” dhe “7 herë 7 bëjnë 313”. Zoti Basha kapi momentin, pasi Rama reagoi i pari dhe ai iu përgjigj me një video-selfie i pari. Videon e parë e ka bërë Basha, sepse Rama përdorte sarkazëm me idenë e fjetjes gjumë. Basha mori vëmendje të madhe me atë që bëri, ku i kujtoi shokët dhe 313-ta”. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:48
Si komunikon politika? Muça: Berisha ka fjalor 100 herë më të keq e të zi se Basha dhe Rama, quajti kuçkë prokuroren! Video-postimet? Strategji dhe jo show

Gazetari Flogert Muça vuri në dukje në studion e emisionit ‘Repolitix’ në Report Tv, duke marrë shkas nga epitetet që kanë ndezur politikën së fundmi, të cilat kanë në dukje edhe një kapërcim të limitit etik, se Sali Berisha në krahasim me Ramën dhe Bashën ka një fjalor 100 herë edhe më të keq e të zi se ata dy.

Ai kujtoi këtu deklaratat e hershme të kreut të PD-së të bëra si kërcënime dhe fyerje ndaj prokurorit Altin Dumani, ndaj politikanëve të ndryshëm, ish-kryeprokurores dhe një prej prokuroreve aktuale.

“Berisha në fjalor është 100 herë më i keq se Rama dhe Basha së bashku. Ai përdor fjalët e fundit të fjalorit, më të zezat për kundërshtarët. Po merret me Dumanin, i tha edhe kuçkë prokurores. I ka thënë edhe dashnorja e filanit prokurores. Ka dy fushata, një me atë virtuale me rrjetet sociale që kanë trendë dhe algoritma dhe tjetra e Berishës, fushata e doktorit, me deklarata e pyetje-përgjigje. Rama dhe Basha janë treguar smart (të zgjuar), a kanë marrëveshje, a u ka ndezur dhe ka vazhduar se di, po duket se është kthyer në strategji dhe jo vetëm për show. Po e shfrytëzojnë të dyja palët. Berishës psh. kjo teknikë nuk i ecën, nuk i ndez. Sepse është politikan i vjetër, klasik. Kurse Bashës i ndezi, ndoshta edhe mosha dhe trendi i kohës", nënvizon ai.

Por a është strategji kjo nga ana e kryeministrit, apo thjesht një show?

"Rama e ka të qartë se çfarë po bën. E nis me 'Sy m'sy' dhe e vijon me të tjerat. Kjo është strategji. Ajo që më shqetëson është PD-ja me 'doli marsi, hyri prilli" dhe ç'kemi nga Shtëpia e Bardhë. Rama i thotë Berishës buf, kurse Bashës i drejtohet me Lul. Kurse LaCivitas i drejtohet si kandidat për kryeministër, po vjen një amerikan të mundë Ramën. Berisha me postimin e fundit e kishte mesazh për Bashën dhe doktori është i vetmi i shqetësuar nga postimet dhe i çon mesazh me 'mos ha pas shpine'”, thotë Muça. 

Gazetari iu përgjigj juristit Dhuli, që tha se Rama po përdorte fjalor fyes dhe banal ndaj “doktorit”.

“E kanë kthyer në banale, me fyerje. E kanë thyer të gjithë barrierën etike të tyre. Rama ka strategji vetëm të përdorë Bashën ndoshta për herë të fundit. Ai ka qëllim që të shpërqëndrojë opozitën”, tha Dhuli.

Kurse Ermal Peçi tha se ishte surprizuar nga Basha dhe ra dakord se ishte strategji.

“Të gjithë këtu jemi të surprizuar se si Basha i ka kthyer përgjigje. Kjo është një strategji”, tha ai. 

A.Q/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Laerti: 25/03/2025 22:14

    Sali krimi ka 30 vite që vetem shpif,gënjen,fyen,ngjit epitete,si Duka i krimit,Ditmir Bushatit dit ziu,Lavire bulevardit,dhe shum epitete të ndryeshme shum politikanëve të tjerë.ky është profesor për këto epitete për 30 vite.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 26 Mars, 08:02

    Sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 11 majit për integrimin në BE?



×

Lajmi i fundit

 I prenë rrugën 38-vjeçarit dhe e dhunuan me sende të forta, kapen dy kushërinjtë në Kamëz! Do hetohen në gjendje të lirë

I prenë rrugën 38-vjeçarit dhe e dhunuan me sende të forta, kapen dy kushërinjtë në Kamëz! Do hetohen në gjendje të lirë