Plot 5202 gjoba u vendosën nga policia rrugore e Tiranës të martën, në ditën e parë të aksionit kundër parkimeve të gabuara të cilat zënë hapësirën e rrugëve duke u bërë shkak për trafik të rënduar. Aksioni, i paralajmëruar edhe nga Ministri i Brendshëm, vijoi edhe të mërkurën që prej orëve të para të mëngjesit. 

“Ndërkohë evidentojmë tri mjete të parkuara gabim. Do të marrim masën administrative për shkeljen e kryer. Për personat që nuk duan të lëvizin mjetet, do të marrim karotrecin për t’i zhvendosur pasi bëhen pengesë për rrjedhshmërinë e trafikut”, thotë punonjësi i policisë. 

Report Tv ndoqi nga afër aksionin ku duket se efektivat kanë konstatuar edhe drejtues mjetesh që parkojnë gabim në korsi të dedikuara për biçikletat, pa sinjal dhe pa qenë prezent në mjet.

“Do të bëjmë njoftimin te eprorët tanë dhe do të na ofrojnë shërbimin e Policisë Bashkiake dhe do t’i vendosim bllokues te goma”, shprehet ai.

Pak metra larg Universitetit Politeknik, në rrugën Skerdilajd Llagami njoftohet në radion e Policisë një situatë problematike. Një qytetare kishte parkuar makinën luksoze në vendqëndrim të gabuar dhe kundër sensit të lëvizjes. Mjeti u zhvendos me karrotrec pasi kishte bllokuar rrugën.

Bulevardi Bajram Curri konstatohet gjithashtu një segment problematik sa i takon parkimit dysh të mjeteve, pasi në krah të djathtë të rrugës, qytetarët lënë automjetet për të marrë produkte apo shërbim tek bizneset aty.

Bulevardi Gjergj Fishta është një segment me rreth të kuq sa i takon mjeteve të parkuara dyshe apo edhe në korsi të dedikuara për taksitë dhe autobusët. Kjo i detyron drejtuesit e mjeteve të transportit të zhvendosen në korsitë e veturave, duke u bërë shkak për trafik të rënduar.

Por si procedon policia në të tilla raste? A është karrotreci zgjidhja e parë dhe e vetme për ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve?

“Për tabelën ndalim qëndrimi është masë 1000-3000 lekë, nëse nuk ka shoferë në mjet, masa është me bllokuese ose karotrec”.

Policia Rrugore rrugore thotë se bazuar në matjet e saj, 40% i trafikut në Tiranë krijohet nga parkimet e gabuara, kryesisht ato dyshe. Grupi i “Report tv” gjatë vëzhgimit në terren, konstatoi problematikë të parkimeve të gabuara edhe në zona të tjera të kryeqytetit, si sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ndre Mjeda” dhe “Muhedin Llagani” në zonën e ish-parkut të autobusëve, rruga “Isuf Elezi” në zonën e Tiranës së Re si dhe “Dëshmorët e 4 shkurtit” në zonën e Liqenit Artificial. Policia rrugore ka bërë të ditur se aksioni do të vazhdojë në të gjitha zonat e kryeqytetit, por edhe në qytetet e tjera ku konstatohet ky fenomen.